Të kuptosh pikturën e Ali Osekut!

Punët e Osekut dallohen nga harmonia e ngjyrave, paqja që rrezatojnë apo drita e fuqishme që buron brenda tyre


Nga Ermir Hoxha

Në fillimin dhe gati përgjatë gjithë viteve ‘90, piktura abstrakte, me tendenca të qarta drejt një ekspresionizmi, prek një pjesë të mirë të krijimtarisë së mjaft piktorëve shqiptarë, qofshin këta të rinj apo më pak të rinj. Një prej tyre ishte dhe Ali Oseku. Por, nëse të tjerët u shkëputën dalëngadalë prej saj, drejt një figuracioni a përsiatjeje konceptuale, Oseku vazhdoi i qetë punën e tij, me një ritëm konstant, duke qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, si një nga krijuesit më të mirë të artit bashkëkohor shqiptar.

Kjo vijë konsekuente, me pak luhatje në perceptimin apo përfigurimin e së tërës, solli një ndjesi që sikur tashmë piktura e tij njihej e akoma më keq, pritej. Piktura e Osekut ishte (dhe është) një pikturë abstrakte, e vështirë për të folur mbi të, por e bukur për t’u shijuar. Dhe kaq. Dhe kaq.
Por, s’mund të jetë vetëm kaq. Ata që merren me këtë punë, s’mund ta lenë me kaq.

Ajo që edhe mua më ka munduar, në ato pak herë që kam qenë në studion e artistit, është pyetja se pse piktura e Osekut është e tillë. Në studion e tij, nën atë lumë urtësie artistike të akumuluar në vite, ti dehesh dhe për një çast harron t’i bësh pyetjen vetes… se pse në to mungojnë subjektet.
Në studion e tij, ti sheh sa seriozisht artisti e kupton dhe vlerëson punën e tij, por harron të pyesësh se pse në to mungon prezenca njerëzore… pse mungojnë trajtat; pse mungojnë elementët që ti të mund t’i japësh pikturës, “subjektit”, një kohë, histori apo temë të caktuar; pse pikturat e Osekut duken njësoj e prapë gjithnjë të ndryshme?

Në studion e artistit, vëzhguesit kuriozë flasin mbi punën e tij, e pëlqejnë atë (vështirë të mos e pëlqejnë), por pa e përcaktuar qartë, se çfarë ju pëlqen: harmonia e ngjyrave, paqja që rrezatojnë, mungesa e theksuar e subjektit apo drita e fuqishme, që duket sikur buron nga brenda pikturës.
Në pikturat e tij, në ato telajo ku ngjyrat kullojnë apo mpiksen në hapësirë, mbizotëron një harmoni e kërkuar dhe e gjetur me kaq lehtësi. Në atë harmoni ti ndihesh mirë, ndihesh i qetë, ndihesh i etur për qetësi. Prandaj, ty s’të intereson më t’i bësh pyetjen vetes, pse.

Konsekuenca e Osekut në vite, të imponon ta marrësh seriozisht. Po t’i bashkangjitësh kësaj dhe emocionin që ndjen para pikturës së tij, ti kërkon të dish, kërkon të kuptosh, më shumë se kurrë. Kjo pse “e bezdisshme”, që stërpërsëritet, kërkon një përgjigje, meriton një përgjigje racionale. E kjo pse, mund të gjejë përgjigjen në të vetmen zonë ku mund të merret…, tek vetë artisti, tek historia e tij.

Le ta nisim nga rinia e hershme e tij…

Ali Oseku nisi të pikturojë si profesionist rreth fundit të viteve ‘60. Vite të arta për artin shqiptar, sidomos duke patur parasysh rrethanat dhe kontekstin historik të Shqipërisë së atyre viteve. Ai, njëzet vjeçar aso kohe, ndihej i lirë, i fuqishëm e për më tepër moskokëçarës ndaj sedrës dhe xhelozive të artistëve që e rrethonin. Vazhdoi kështu për disa vite, të “sfidonte” hapur artistët e vjetër, të kërkonte një frymë të re, të pikturonte ashtu siç e ndjente. Nuk ishte vetëm. E nuk do të qe vetëm edhe kur shteti do të “zgjohej” për t’i lidhur artistët e shfrenuar, që kërcënonin status quo-në e pushtetit komunist.

Në ato vite të errëta, artisti, bashkë me disa kolegë, sakrifikohet për t’u bërë shembull; për ta bërë frikën, mjetin e vetëm për të mbajtur pushtetin, një ndjenjë edhe më të prekshme. Nis kështu odisea e mënxyrave. Fillimisht, djegia e punëve që kish në shtëpi. Artisti nga viti 1969 (viti i diplomimit) deri në vitin 1973, kish realizuar rreth 300 vepra. Mes tyre kish portrete, peizazhe e natyra të qeta. Artisti i hodhi në zjarr, që të mos binin në duart e policëve. Por, kjo nuk mjaftoi, e bashkë me shokë përfundoi, fillimisht nga muret e shurdhëta të hetuesisë e më pas edhe në ato më të shurdhëtat e burgut.

Një artist që burgoset. Të burgosesh sepse pikturoje. Një artist në burg, në vetmi a me shokë, kur sheh muret e errëta e plot lagështirë, e ka vështirë të harrojë se pse është aty. E ndër mend i sillen gjithnjë punët, që digjen në zjarr.

Të djegësh punët e tua. Të djegësh realizmin, me personazhet e temat e imponuara, e më pas t’i rikujtosh ato në vitet e errëta të burgut; të gjitha këto e kanë bërë punën e vet. Në mendjen e tij, metamorfoza ka kohë që ka hedhur rrënjë. E kur artisti, më në fund del nga burgu, ai jeton me sindromën e frikës edhe nëse punon, punon me frikë, në një pritje të heshtur, deri në ditë më të mira.

E ditë më të mira do të vinin bashkë me pluhurin e murit të Berlinit. E bashkë me të, një emocion elektrifikues, që përshkon gjithë vendin, deri me ardhjen e lirisë së shumëpritur. Shumë artistë e ndjejnë këtë erë edhe më herët, që në mesin e viteve ’80 dhe nisën të mbushen me frymë thellë.
Edhe Ali Oseku, po dilte nga errësira. Po dilte nga tuneli. Më në fund po shihte dritë. Ndoshta në ato vite të para, kuptoi, që drita duhet të pushtonte telajot e tij. Ajo mund dhe duhej të mbetej gjithnjë, personazhi kryesor i realitetit të tij. E thyer në prizmin e mendjes, ajo u shndërrua në ngjyra. Në tablotë e tij, subjekti është gjithnjë i njëjtë. Nuk janë fantazmat e kohës, që jetonte në errësirën e tunelit. Ajo kohë nuk ekziston më. Ajo kohë është fshirë, e bashkë me të edhe çdo trajtë a formë me kuptim. Të gjitha janë shkrirë në sfonde shumëngjyrëshe qiellore. Edhe në rastet e rralla kur artisti “ka dalë nga vetvetja”, dhe ka realizuar portrete personazhesh, ato kanë qenë miq e të afërm të tij, njerëz të cilët atë nuk do ta tradhtojnë kurrë.

Para se ta mbyllja doja të shtoja disa rreshta dhe mbi përshtypjet e mia mbi ekspozitën e fundit të artistit, ende e hapur në sallën e madhe të GKA-së. Në të, ai ka ekspozuar mbi njëzet tablo, të përmasave të ndryshme, kryesisht mbi 150 cm.

Tablotë, që padyshim vijnë në të njëjtën linjë të konsoliduar artistike, dallohen për disa elementë unifikues, siç janë linja unike kompozicionale, objektet e “fjetura” mbi to, shenjat abstrakte, që shpërndahen në hapësirë apo elementë të tjerë më lehtësisht të identifikueshme, që duket sikur tentojnë ta drejtojnë të gjithë ekspozitën drejt një gjuhe vizuale më të prekshme.

E para, linja kompozicionale, si linjë horizonti, zhvendoset si në një lente periskopi, herë më lart e herë më poshtë, e ndërsa ajo lëviz, ty të humbet perceptimi se cila zotëron më shumë paqen, hapësira tokësore apo ajo qiellore. E si e tillë, ty të humbet edhe gjykimi racional. Dhe kupton që nuk ke të bësh me një peizazh tokësor, por me një peizazh imagjinar, me një peizazh të çliruar nga përcaktimet e koordinatat.

Të dytat janë objektet e vendosura shpesh mbi këtë linjë, që duken si sagoma objektesh, të pagoja e të paforma, gati si personazhe pa identitet. Këto forma tentojnë të zhduken a të shpërbëhen pikërisht në këtë linjë horizonti, si imazhet e një ëndrre, që ti mundohesh të rikujtosh.

Të tretat janë tablotë më të vërteta. Janë ato me diej që nxehin, yje që shkëlqejnë me forcë dhe ujëra që rrjedhin. E tillë është dhe tabloja me det e yje, në të cilën për një moment duket se qielli e toka kanë gjetur harmoninë absolute; aty ku dhe vetë koha duket se humbet.

Të katërtat janë tablotë abstrakte, të cilat përbëjnë njëkohësisht dhe pjesën më të madhe të ekspozitës. Në to mendja e spektatorit bredh e qetë, teksa shijon harmoninë kromatike e që vetëm herë pas here, thyhet nga shenja antropomorfe e një kohe pa emër.

Dhe, si element të fundit, mund të përmendim mungesën e peshës së titullit. Kjo sepse artisti të fton ta shohësh pikturën e tij gjithnjë ndryshe. Ai të fton të bëhesh pjesëmarrës i udhëtimit të tij imagjinar drejt së panjohurës.

Artisti ka braktisur subjektin tokësor, për t’iu dedikuar qetësisë së parajsës qiellore. Ai i dedikohet dritës. Vetëm tek ajo gjen një subjekt të denjë për të përmbledhur pasionin e tij për artin. Piktura e Ali Osekut është abstrakte, aq sa është realiste. Ajo është e qartë, aq sa është e paqartë. Por në fund, për të gjithë, ajo është e vërtetë.

Piktura e Ali Osekut është një peizazh imagjinar, që shpesh tenton të marrë formë, apo të konkretizojë personazhe dhe kështu të kthehet në një vepër narrative. Por këto trajta, subjekte a personazhe, asnjëherë nuk konkretizohen. Ato mbeten gjithnjë fragmentare, si pjesëz të një gjuhe vizuale gjithëpërfshirëse, dëshmitare e heshtur e dashurisë për krijimin.

Botuar në gazetën “Panorama” (2011)

Lexo më shumë nga

Hisni Meta, mjeshtri i harmonisë!

Piktori Hisni Meta feston 70-vjetorin. Një artist me një dashuri të madhe për artin e bukur. Perfeksionist.

“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti

Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit