”Udhëtarët e kotësisë”, Helidon Haliti hap në Shkodër ekspozitën më të madhe të tij

Një ekspozitë mjaft intriguese dhe e veçantë prezantohet këto ditë në Galerinë e Artit Shkodër nga datat 4-27 Prill


Takimin e tij të parë me artdashësin shkodran, qytetin e shumë piktorëve të famshëm,”Mjeshtri i Madh” i pikturës, Helidon Haliti, e vlerësoi më ndryshe, duke çelur një nga ekspozitat më të mëdha të karrierës së tij.

Një ekspozitë mjaft intriguese dhe e veçantë prezantohet këto ditë në Galerinë e Artit Shkodër nga datat 4-27 Prill nga artisti i mirënjohur Helidon Haliti.

Duke filluar që nga ftesa “Në emër të popullit”, jeni të ftuar … , dhe kurator “Populli”, Helidoni befason, sfidon dhe teston audiencën. Artist në kuptimin e plotë të fjalës, kërkues i palodhur, ekstravagand kokëfortë, ai tërheq, përmes vëmendjes që i jep subjektit dhe personazheve të tij, ai krijon vlera të rralla artiske, të cilat të fusin në një univers që të befason.

Ekspozita vjen me 4 cikle që prezantohen në salla të veçanta: Udhëtarët e kotësisë ; Faksimile; Çapaçulët dhe Shqipëria në akuarel.

Udhëtarët e kotësisë, do të befasojë me kompozimet dhe me një tematikë provokuese, ku publikut i jepet mundësia interpretuese. E gjitha në një gamë të rozës dhe së kuqes, ku personazhet prezantohen çuditshëm në botën e tyre, ato deri diku kanë një qëndrim stoik, si pjesë e karakterit të secilit, janë nisur drejt një rrugëtimi që nuk dihet si përfundon apo kur përfundon, diku me nota ironie apo me nota humori, artsiti luan, ironizon, provokon, duke lënë të hapur një dialog apo një diskutim artistik. Eshtë një udhëtim ku dy kohë të ndryshme ndërthuren me njëra tjetrën, një udhëtim në krijimtari, udhëtim në filozofi e mendim, udhëtim në karaktere, me simbolikat e veta, ku artisiti bëhet pjesë e tij. Unik në kompozim dhe subjekt duke luajtur me çdo formë, ngjyrë, figurë, personazhe, dhe ky rrugëtim vazhdon ….

Faksimile

Përshkruhet fund e krye nga lirizmi, duke u bazuar në poezitë e të atit Faslli Halitit , Helidoni i jep ngjyrë këtyre rrëfimeve, ai krijon një kontekst të ri të guximshëm për motivet që ai përzgjedh. Ngjyrat e gjalla përshkruajnë skena lirike por dhe të tensionuara, ai fut erotiken si herë të parë në kompozimet e tij, figura e femrës nudo është kudo e pranishme, ajo jepet sensuale, joshëse, shpesh e fsheh shikimin dhe shpesh qëndron e pashqetësuar nga vështrimet dhe bëhet pjesë e lojës artistike duke krijuar një energji të furishme që të tërheq rreth pikturës.

Helidoni është shume i ndjeshëm dhe nga luftërat në botë.

Tabllotë përshkruhen me nota mjaft dramatike, të ftohta, të pikturuara mjeshtërisht, kudo është një personazh interesant, ai luan me simbolika, me një majmun shpërthen me një klithmë, një dhimbje që mbin nga brenda dhe përhapet në hapësirë, një ulërimë shurdhuese, si për të thënë stop indiferencës përpara një realiteti të tillë, një dash apo një dhi që merr formën e një anijeje lufte, një qiell i vrenjtur, si para një stuhie dhe në plan të parë një figurë femërore, e cila e ka humbur joshjen, tashmë ajo mban tragjizmin e situatës, e strukur në lakuriqësinë e saj ajo vajton, e kërrusur, e trishtuar duke qenë pjesë e asaj çfarë po ndodh.

Helidonit i ka interesuar shumë fuqia imagjinare e detajeve, që lidhet aq ngushtë me faksimet, vargjet e të atit që shoqërojnë gjithë tabllotë.

Çapaculët

Veprat e Helidonit është shumë bashkëkohore, ai i referohet tematikës në lirikë, por pa lënë pa prekur dhe probleme dhe shqetësimet e shumta sociale.

Çapaçulët janë punime të mrekullueshme , që vijnë në dimensione më të vogla, të cilat marrin shkas nga e përditshmja, nga ajo që ndeshim çdo ditë, njerëzit që enden në hapësira shpesh të paorientuar, me duar në xhepa, të lodhur, në kërkim të diçkaje ose të asgjëje, mbase dhe njerëz që vrasin kohën në bare, në diskutime të pavlera, pjesë e të përditshmes sonë. Artisti luan me ironinë , sarkazëm, duke futur shpesh herë dhe veten si pjesë e personazheve të tij, por pa harruar të fusë dhe miq, shokët, apo pjesë nga historitë që ai ka përjetuar, të cilat shpesh herë vijnë me nota humori.

Si një mjeshtër i ngjyrës dhe teknikës ai luan bukur me mjetet shprehëse, fshirjet , lëvizje mjeshtërore , me një ekspresivitet të theksuar, ku shpesh fokusi kryesor është marrëdhënia midis formës, ngjyrës, personazheve dhe linjës. Helidoni luan shumë me tabllon e tij, ai dëfrehet kur punon, shpesh gjen brenda sipërfaqes së telajos sugjerime të figurave kafshë, nudove dhe personazheve te tij. Ky cikël i cili është i ndërtuar mbi karton apo fibër, vijnë si një pjesë e çmuar që i jep ajër gjithë ekspozitës.

Shqipëria në akuarel.

Dhe nuk kishte si të mungonte akaureli , dhe prekja magjike e Helidonit, i njohur si mjeshtri i akuarelit.

Ai vjen si një rrugëtim i artistit nëpër Shqipëri, si një Edwart Lear por i kohëve moderne, që ka udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë dhe do vijojë ta bëjë duke e pikturuar atë.

Pejsazhet e Helidonit vijnë plot ajër, freski, delikatesë, të mbushin me oksigjen e bukuri. Mjeshtri i madh Haliti prezantohet i plotë, si mjeshtër i vërtetë, vjen me magjinë e tij në një qytet magjik , vjen me një art të madh, në një qytet që është djepi i artit, prezantohet me kulturë e modestinë që e karakterizon në një qytet që është vatra e kulturës dhe Shkodra do e mirëpresë ashtu siç ajo di, se Shkodra e do të bukurën dhe vlerën. Një rrugëtim i bukur në Shkodrën loce.

Lexo më shumë nga

Greta Tahiraga, artistja e luleve!

“Lule je, lule frymon” - Piktorja shkodrane ekspozon 33 punime me motive lulesh në hollin e Bashkisë

“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti

Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit