“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.


Nga Dash Frashëri

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Kështu mund të përkufizohet “Piktori i Merituar”, Naxhi Bakalli.

 

Ekspozita “Përherësi” e Mjeshtrit të Madh, piktorit Naxhi Bakalli, e hapur para disa ditësh, ishte dhe ekspozita përmbyllëse e vitit artistik në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

Ekspozita ka një moto filozofike, si vetë karakteri i artistit.

“E vështirë të mbijetosh. Akoma më e vështirë t’i takosh së ardhmes”.

Ekspozita sjell 74 vepra të piktorit, një përzgjedhje nga krijimtaria e disa dekadave të artisti, ku pjesë është dhe tabloja “Kur yjet mbushin qiellin”, një nga veprat e rëndësishme të tij. Ekspozita përmban vepra të krijuara me një stil piktorik simbolik, duke u mbështetur në artin tradicional dhe folklorik.

Kuratore është gazetarja e mirënjohur, Jetona Koçibelli, njëherësh edhe drejtoresha artistike e COD.

Po ngrejmë siparin e një xhevahiri të krijuar ndër dekada nga mjeshtri Naxhi Bakalli. Faleminderit Mjeshtër për privilegjin. Ky piktor “Formidable” dhe vizatues virtuoz lartësoi dhe ktheu në kumt familjen në tablotë e tij. Individualiteti i tij nuk është i ndikuar nga të tjerët. Atë e ka udhëhequr gjithmonë personifikimi i së bukurës. Motivet popullore e kanë ndjekur si hije fillin e dritës së krijimtarisë së tij, ku kostumet shfaqen përmes një ekspresiviteti vizatimor qartësisht të influencuar nga lidhja e fshehtë me librat e ndaluar të rinisë, dhe më pas vjen faza e lirisë ku figura njerëzore kthehet në motivin e të gjitha motiveve“, tha kuratorja.

Ceremoninë e Hapjes, i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, edhe ai një piktor dhe ish-nxënës i Bakallit, kur ai studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Bakalli jepte lëndën e kostumografisë dhe skenografisë.

Nuk mungon familja e piktorit.

Por edhe piktorë të tjerë, si dhe një listë elitare.

***

Kryeministri Rama e vlerësoi në maksimum piktorin Bakalli, duke risjellë edhe kujtime të tij personale të disa dekadave më parë, në marrëdhëniet mësues-nxënës.

Unë e mbaj mend Profesorin si një personazh hijerëndë, i heshtur, mbrapa kornizës së xhamit të derës së atelies së tij në Liceun Artistik, ku për shkak të gjatësisë, unë shikoja përtej xhamave të dyerve dhe gjithmonë ai ishte aty, i ulur tek ajo tavolina e mësuesit ku edhe vizatonte. Kur e shoh, gjithmonë më kujtohet ajo kohë dhe ajo korniza e xhamit, dhe gjithmonë më duket sikur kthehem në kohë dhe bëhem shumë i vogël përpara tij”, tha mes të tjerash Rama.

“Kur bashkon pikturat me autorin dhe personazhin, e gjitha bëhet plotësisht evidente. Ka një asketizëm dhe një romantizëm në figurën e Bakallit, që e bën atë një njeri të veçantë. Pa beretën legjendare, të kam parë vetëm në dy raste, ose kur ishe në klasë te tavolina afër penxheres dhe e vije beretën te cepi i tavolinës, si atë parzmoren e Skënderbeut kur kthehej nga lufta. Dhe e dyta është ai te tabloja, në krevat, ku nuk mund të rrijë me beretë, sigurisht sepse ajo tablo është një nga deklaratat e tij të dashurisë. Qofsh i dashuruar në gjithë vitet që ke përpara! Ashtu do jesh, se ti nuk jepesh dhe paç këtë dritë të brendshme dhe pasion që të mban të përkulur përpara pikturës, asket romantik”, theksoi kryeministri.

“Veprat e mia janë shumë të sinqerta, e thonë fjalën e vetë, por nuk e harrojnë kujt i takojnë. I takojnë vendit që edhe ju e doni shumë, një shëmbëlltyrë e një dukurie të avancuar që është e mundur”, tha midis të tjerash Naxhi Bakalli.

 

***

87-vjeçari Naxhi Bakalli – ka lindur më 4 gusht 1937- është një piktor shumë dimensional, folklorik dhe modern në punimet e tij.

Vizatimet e artistit kanë taban popullor dhe perfshijne vallet shqiptare, si ajo e Tiranës, Dropullit, Kukësit, etj, qëndismat e grave tona, motivet e xhubletës deri tek ornamentet e nënshtresat shekullore. Gruaja është gjithashtu motiv i shpeshtë në tablonë e tij.

Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona. “Si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alinë”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Shpiragu”, “Sopoti” e të tjera”.

Nuk mungon edhe boceti i murales së famshme “Përballimi”, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Një kryevepër vepër epike.

Ky vizatim me penë, ku ai shfaqet si një piktor me veshje popullore tiranase është vetë thelbi i qenësisë së tij.

Bakalli prej dekadash ka krijuar identitetin e tij artistik. Mënyrën e tij të dallueshme të të pikturuarit, me kompozime herë folklorike dhe herë abstrakte, ku theksohet linja e pastër e vizatimit dhe eleganca e silhouetave.

Nudot” e stilizuara të Naxhit janë shumë të bukura. Ai ka një cikël të gjatë rreth kësaj tematike, të cilën i ka trajtuar me shumë dashuri.


Bakalli ka eksperimentuar edhe me skulpturën.

***

Përshtypjet e artdashësve janë pozitive!

Edhe unë lë shënimin tim.

***

TEKSTI KURATORIAL NGA JETONA KOÇIBELLI

Naxhi Bakalli është një krijues në kërkim të së panjohurës. Ky kuriozitet i pashtershëm përshkruan jetën e tij. Njëkohësisht, i ka çliruar atij kufijtë e imagjinatës për t’i dhënë një fantazi të pashtershme, një shije të hollë e një ndjeshmëri të lartë.

Pyetja që i bëj vetes teksa shoh punën e tij është: “Si e ka Bakalli këtë rrezonim të përkorë me majat më të larta të artit bashkëkohor, duke qenë njëkohësisht edhe kaq kombëtar”?

Ky piktor “Formidable” dhe vizatues virtuoz lartësoi dhe ktheu në kumt familjen në tablotë e tij. Individualiteti i tij nuk është i ndikuar nga të tjerët. Atë e ka udhëhequr gjithmonë personifikimi i së bukurës.

Naxhi Bakalli u la në hije për shkak të tablosë “Kur yjet mbushin qiellin”, në vitin 1969, kur në Shqipëri u asgjësuan kishat e xhamitë, e konsideruar nga kritika zyrtare si e papranueshme. Por artisti e pranoi këtë në heshtje, megjithëse natyra e tij është e qelqtë. “Ai që fyhet më shumë është artisti i ndërgjegjshëm”, thotë Naxhi Bakalli. Për 33 vite, asnjë punë e tij nuk është shfaqur nëpër ekspozitat e kohës.

Linjat e tij nuk kanë mbingarkesa. Janë fine. Vizatimet për vallet shqiptare janë të një karakteri lakonik, si ajo e Tiranës, Dropullit, Kukësit, etj. Kjo i jep Naxhi Bakallit një taban popullor dhe vepra e tij është e çuditshme, sepse nga ky taban ai krijon figuracion. Nga qëndismat e grave tona, motivet e xhubletës deri tek ornamentet dhe nënshtresat shekullore.

Gruaja është gjithashtu motiv i shpeshtë në tablonë e tij. Misterioze, e bukur, e ndrojtur apo shpërthyese, teksa pikturon atë artisti ka një tis kënaqësie dhe relaksi.

Piktori Naxhi Bakalli ka krijuar një stil pikturik simbolik, duke u mbështetur në artin tradicional dhe folklorik, që shërben si gurrë e pashtershme për krijuesin.

Mjaft me interes janë edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat tona, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alinë”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Shpiragu”, “Sopoti” e të tjera.

Naxhi Bakalli, nga viti 1977 e deri sot, është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në të gjithë botën.

Në vitin 1980 fitoi konkursin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut për muralen e Muzeut të Krujës. Ai krijon “Përballimin”. Pa dashur të pasqyrojë aty një betejë të caktuar, Naxhi Bakalli na sjell bëmat e Skënderbeut dhe nëpërmjet artit depërton në nëndërgjegjen tonë.

Katër vite me vonë realizon muralen kushtuar Kuvendit të Dukagjinit për Muzeun e Burrelit.

Nëse, siç shprehet në fillim, Naxhi Bakalli e sheh të vështirë t’i takojë të ardhmes, nuk ka arsye! Ai i ka braktisur kufijtë e formave të caktuara, çka e shndërron në një nga piktorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë. Tashmë emri i tij është përherësuar.

PUNIME TË TJERA NË EKSPOZITË

_________________________
Tiranë, më 19 nëntor 2024

“Rrënjët” e mjeshtrit Agim Sulaj!

Piktori i kompozimeve të fuqishme dhe portreteve hiperrealiste celi ekspozitën e tij në "Maritim Plaza Hotel" në Tiranë

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.