
“Eposi në artet pamore” nga Suzana Varvarica Kuka
“Libri nuk është vetëm një kontribut shkencor, por një akt kulturor!”

Nga Prof. Gazmend Leka
Me sa njohuri kam, studime të plota mbi ilustrimin dhe ilustratorët e “Eposit Shqiptar” janë thuajse të munguar.
Përsiatjet janë të pranishme, por të shpërndara në kumtesa apo kapituj brenda trajtesave më të gjera, pa hyrë thellë në këtë temë themeli. Në këtë këndvështrim, studimi i Suzana Varvarica Kukes, përbën një akt pionier, një zgjim të kujtesës përmes artit pamor, duke prekur një nerv me ndjeshmeri shumë të lartë!

Pika kulmore e studimit, siç e lexoj unë, qëndron tek një pyetje fare e thjeshtë, që autorja e bën me elegancë në formën e një pyetje retorike: “A mundet që Balladat, Legjendat dhe Eposi i Kreshnikëve, në konceptin e krijimit gojor të trashëguar, të jenë një vepër madhore dhe pretenduese e një eposi të kënduar prej popullit? ”
Nuk është një pyetje si gjithë të tjerat! Është një pickim që të zgjon me dhimbje.
Më vijnë në mendje popujt që, me material të ngjashëm në thelb, kanë formuluar nga mugëtira e kohërave tapinë e tyre shpirtërore dhe e kanë shenjtëruar.
Hebrenjtë me Biblën, arabët me Kuranin, hindutë me Vedat, budistët me Tripitakën, persianët me Avestan, egjiptianët me Librin e të vdekurve, popujt e Amerikës me Popol Vuh, romakët me Mitologjinë, etj.
Shqiptarët janë pa libër. Libri i tyre i Madh, që do të duhej të shenjtëronte ndërgjegjen, ende nuk është ngjizur. Ai ekziston në gjendjen e pluhurit kozmik, mbarsur me traditën gojore, me mitet, balladat, legjendat, kënget, kanunet, pa formuar ende yjet, planetet, hënat etj.
Suzana nuk ndalet me kaq. Ajo na kujton se shtëpia pa lahutë, është si ”shtëpi e lanun”. Shqipëria, shtëpia jonë nuk është e tillë!!!
Ajo ndërton strategjinë e studimit duke e kompozuar si një skenë teatri. Analizon fillimisht dekorin e kësaj shtëpie, më pas sofrën mikrpritëse, si një ftesë për lexuesin, lahutën për të shijuar fjalën e në fund personazhet. Si e tillë, shtëpia popullohet me imazhet e krijuara nga ilustratori. Çfarë shkruhet më pas, është zgjatim teme, ndërtuar mirë e bukur, siç bëhën punët e padukëshme e “të bekuara” të shtëpisë!
Ilustrimi i Eposit përbën një nga ndërthurjet më domethënëse në artet pamore të trashëgimisë gojore. Ato ndihmojnë në vizualizimin e ngjarjeve dhe personazheve, për të ushqyer memorjen.
Shkolla jonë e arteve, nuk pati një atelje të veçantë për ilustratoret. Ata vetë zgjodhën të ishin të tillë, si një thirrje vetiake dhe vit pas viti, e ndërtuan po vetë ata shkollën e ilustrimit shqiptar. Mes piktorëve e skulptorë ve, ata u pagëzuan me emrin ilustratorë, sikur të ishin një rracë e veçantë. Të tillë ishin, sepse luanin rolin e shkesit. Afronin lexuesin me Fjalën dhe Shkrimin.
Kur Fjala bën zbaticë, boshllëkun e mbush Shkrimi, por kur Shkrimi bën zbaticë, atë e mbush Ilustrimi, siç ndodh nga tërheqja e ujrave, tek mbesin në breg si dëshmi, guacka, leshterike e deri tek mbeturinat e anijeve të mbytura. Rrëfehet ngjarja, atje ku lexuesi nuk mund të ishte prezent. Ilustratoret shqiptarë, histori të tilla kanë rrëfyer!!!
Suzana shkruan se ilustrimet e “Eposit”, kurrë nuk qenë shërbëtorë të fjalës. Ilustratoret krijuan një tjetër ungjill, një ungjill imazhi, paralel me ungjillin e shkruar, por në thelb të pavarur. Ilustrimi e mishironte, e bënte trup, fytyrë dhe shenjë. Fjala dhe figura, si të tilla përbënin thelbin e një ikonografije të shenjtë që i përkiste kulturës së lashtë të kujtesës.
Kontakti i parë me një liber është kopertina, me pas ilustrimi e në vazhdim shkrimi, i cili këndohet në një qoshe të rehatëshme shtëpije. Sapo libri na bije në dorë, i bëjmë një shfletim të shpejtë dhe sytë na mbeten tek ilustrimi, aty ku ngjizet dashuria e parë për ngjarjen e treguar. Lexuesit, shpesh librin e kanë të memorizuar nga ilustrimi. Fjala ndoshta u është tretur, por ilustrimin e ruajnë në memorje, sikurse “Abetaren”, që përpara se të mësonim gërmat, e shijonim nga ilustrimet. Ato na shfaqeshin si piktograma arketipe të shpellës.
Ndodh që lexuesi i zakonshëm të jetë dembel, por ilustratori e zgjon dhe kjo nuk është pak, pasi e josh dhe e fton të hyjë nga një derë sekrete, që vetëm ai e di. Ai përkthen në imazh një botë të lashtë, ku kufiri midis njeriut dhe mitit, reales dhe të shenjtës treten në një klithmë epike.
Ndofta me pa të drejtë, por librat pa ilustrime, më janë dukur si një shkretëtirë e madhe, ku nuk dalloja asnjë oaz, që të ndaloja për tu freskuar sadopak.
Pa ilustrimin, çdokush e krijon imazhin vetë, si një mirazh dhe në thelb, çdokush me fantazinë e vet, tenton të bëjë pjesë me të drejtë në rracën e ilustratorëve.
Suzana analizon aq sa e lejon ky studim. Përshkruan stilin e veçantë ikonografik të imazhit, gjuhën simbolike, metafizike dhe madje liturgjike. E vizaton artistin ilustrues si krijuesin e një ikonostasi kombëtar, ku ngjizet ndërgjegja e një kombi të lashtë.
Ilustrimi mund të jetë burg, pasi fjala është “shpikur” për të fluturuar. Viktor Hugo tek “ Katedralja e Parisit ” e përshkruan atë, të lirë si një zog, që nuk duron dot të burgoset në kafazin e ilustrimit, sado i artë të jetë ai, por rraca ilustratoreve e lë derën e kafazit të hapur!
Shvejku i Hashekut, fillimisht mësoi të cicërijë në kafazin e artë të Josef Ladas, Gargantua e Pantagruel i Rablesë, në kafazin e artë të Gustav Doresë, Pinoku i Kolodit, në kafazin e artë të Carlo Chiostrit, Çipolino në atë të Vladimir Suteevit, e kështu me radhë.
Fjala vërtetë është zog. Lind nga terri i gojës pa trup, rritet si tingull e fluturon me frymëmarjen e njeriut që e shqipton. Nuk njeh as kufij, as mure e as korniza. Rjedh nga errësira e kujteses drejt dritës së zërit dhe për sa kohë mbetet në ajer, është e gjallë, e lire dhe e paprekshme si Eposi ynë.
Njeriu siç ka frikë nga harresa, ka etje të ruajë fjalën dhe imazhin për mbiejtesë. Prandaj thirret në ndihmë piktori. Vargjet e Eposit tonë kanë fluturuar gojë më gojë në hapsira të mëdha. Ilustrimi i bën të fluturojnë në një hapsirë të vogël. Suzana e ridimensionon hapsirën klaustrofobe të ilustrimit dhe e përshkruan ilustratorin si dikë që ndërton jo një kafaz, por një fole për fjalën. E shpjegon ilustrimin si epifani të fjalës edhe kur ilustratori mëkaton duke e divulguar.
Për ta përmbyllur udhëtimin tim, si një paralele me mendimin e Suzanës, mund të shprehem pa hezitim, se libri nuk është vetëm një kontribut shkencor, por një akt kulturor! Do të jetë vlerë e madhe në bibliotekat tona dhe ka fatin të bëjë hapin e parë në një maratonë shumë të gjatë!



















