
“Eposi në artet pamore shqiptare”
Promovohet vepra më e re studiueses së arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka

Komisioni i Përhershëm i Arteve dhe Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuan promovimin e veprës më të re të studiueses së arteve pamore Suzana Varvarica Kuka, me titull “Eposi në artet pamore shqiptare”, botim i ASHSH-së.
Veprimtaria u moderua nga studiuesi Agron Mesi, QSA, i cili, në fjalën e hapjes, vuri në dukje profilin e autores dhe rëndësinë e studimeve të saj në fushën e artit pamor shqiptar. Ai u ndal te qasja studimore e veprës, e cila sjell në vëmendje marrëdhënien midis trashëgimisë gojore shqiptare, eposit, miteve e baladave dhe frymëzimit krijues të artistëve pamorë.

Në vijim, piktori dhe studiuesi Gazmend Leka e cilësoi veprën si një studim pionier, që sjell në vëmendje një fushë pak të trajtuar në mënyrë të mirëfilltë: ilustrimin dhe ilustratorët e eposit shqiptar. Ai u ndal te pyetja e autores mbi mundësinë që baladat, legjendat dhe eposi i kreshnikëve të përbëjnë një vepër madhore të trashëgimisë gojore shqiptare, duke e lidhur këtë çështje me kujtesën dhe ndërgjegjen kombëtare. Prof. Leka vlerësoi veçanërisht rolin e ilustratorëve shqiptarë, të cilët, edhe pa një shkollë të posaçme për ilustrimin, krijuan një traditë të veçantë artistike, duke e shndërruar fjalën e trashëguar në imazh dhe duke ndërtuar, sipas shprehjes së tij, një “ungjill imazhi”, paralel me fjalën e shkruar.

Studiuesi Ylli Drishti trajtoi praninë e eposit në krijimtarinë e artistëve shqiptarë, përmes penelit dhe daltës, duke vënë në dukje rëndësinë e këtij botimi në studimin e mënyrave se si trashëgimia epike është përthithur dhe interpretuar në artet pamore shqiptare.

Studiuesi i artit pamor Ermir Hoxha u ndal te etnosi dhe ndërtimi i imazhit kombëtar në artin shqiptar të shekullit XX, duke analizuar kalimin nga etnografia te miti dhe epika, si dhe mënyrën se si këto burime kanë ndikuar në formësimin e përfytyrimeve artistike mbi identitetin kombëtar.

Në përmbyllje, autorja Suzana Varvarica Kuka falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mundësimin e botimit, artistët që lejuan përfshirjen e veprave të tyre në këtë vëllim, si dhe mbledhësit e studiuesit që kanë kontribuar në ruajtjen dhe dokumentimin e eposit shqiptar. Ajo theksoi rëndësinë e kësaj trashëgimie për kulturën kombëtare dhe vuri në dukje se botimi nuk përfshin të gjitha veprat artistike që lidhen me këtë temë. Për këtë arsye, shprehu dëshirën për t’iu rikthyer studimit, me synimin për ta plotësuar e pasuruar atë me vepra dhe të dhëna të tjera në të ardhmen.
Për më shumë shikoni linkun: https://www.youtube.com/watch?v=FfMGnNHBCvE&feature=youtu.be
www.akad.gov.al




















