Fond Kombëtar për blerjen e veprave të artit!

Nga tenderat tek arti, qeveria do të përdorë deri në 10% të kursimeve nga prokurimet për të blerë art


Një pjesë e parave që institucionet publike kursejnë nga tenderët mund të përdoret për blerjen e pikturave, veprave të artit, artefakteve dhe koleksioneve me vlera historike e kulturore.

Qeveria ka propozuar krijimin e një mekanizmi të ri financimi, që do të mundësojë përdorimin e deri në 10% të kursimeve të realizuara nga procedurat e prokurimit publik për pasurimin e koleksioneve shtetërore të artit.

Parashikimi përfshihet në projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, të depozituar në Kuvend, i cili synon të krijojë për herë të parë një instrument të posaçëm financiar për blerjen e veprave artistike në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

Sipas relacionit shoqërues, Fondi Kombëtar për Artin do të funksionojë si një fond financiar publik, pa personalitet juridik, nën administrimin e ministrisë përgjegjëse për kulturën. Burimi kryesor i financimit do të jenë kursimet e krijuara nga prokurimet publike, të cilat duhet të verifikohen dhe certifikohen nga Ministria e Financave.

Projektligji përcakton se shuma që mund të përdoret për këtë qëllim nuk mund të tejkalojë 10% të kursimeve financiare të certifikuara si të disponueshme. Megjithatë, kjo përqindje përfaqëson kufirin maksimal të financimit dhe jo një detyrim për transferimin automatik të një të dhjetës së kursimeve nga tenderët.

Shuma konkrete që do t’i kalojë Fondit çdo vit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për kulturën, duke marrë në konsideratë mundësitë buxhetore dhe prioritetet e politikave publike.

Në përllogaritjen e kursimeve që do të shërbejnë si bazë për financimin e Fondit nuk do të përfshihen kursimet e krijuara nga procedurat e prokurimit me vlerë të vogël.

Në relacion nuk jepet një vlerë konkrete e financimit të pritshëm vjetor. Për rrjedhojë, madhësia financiare e Fondit do të varet nga kursimet e certifikuara të prokurimeve publike dhe vendimmarrja e qeverisë për shumën që do të alokohet.

Për shembull, nëse kursimet e verifikuara dhe të certifikuara nga prokurimet publike do të arrinin në 1 miliard lekë, shuma maksimale që mund të përdorej për Fondin do të ishte 100 milionë lekë. Ky është një ilustrim i mekanizmit të parashikuar dhe jo një fond konkret i përcaktuar nga qeveria.

Shteti do të blejë vepra arti edhe në ankande ndërkombëtare

Përmes këtij mekanizmi, shteti synon të krijojë mundësi financiare për blerjen e veprave të artit, artefakteve dhe koleksioneve me vlera të veçanta artistike, historike dhe kulturore, përfshirë objektet që ndodhen jashtë territorit shqiptar.

Relacioni argumenton se aktualisht mungon një instrument financiar i dedikuar, që t’u mundësojë institucioneve publike të ndërhyjnë në mënyrë të organizuar dhe në kohë në tregun e artit, veçanërisht kur krijohen mundësi për blerjen ose rikthimin e veprave me rëndësi për trashëgiminë kombëtare.

Një tjetër element i projektligjit lidhet me mënyrën e blerjes së këtyre veprave. Sipas përmbledhjes së nenit 10, blerjet mund të realizohen nëpërmjet ankandeve kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe përmes negociimit të drejtpërdrejtë me pronarin e ligjshëm.

Kjo nënkupton krijimin e një procedure të posaçme për blerjen e objekteve artistike, duke marrë parasysh natyrën e veçantë të tregut të artit, ku çdo vepër mund të ketë karakteristika dhe vlera të ndryshme.

Procedurat e hollësishme të blerjes do të përcaktohen me akte nënligjore.

Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave parashikohet ngritja e një komisioni kolegjial, të përbërë nga ekspertë vendas dhe të huaj, me përvojë në art, trashëgimi kulturore, muzeologji, restaurim dhe vlerësimin e tregut të artit.

Projektligji parashikon gjithashtu verifikimin e pronësisë, prejardhjes dhe autenticitetit të objekteve, si dhe ndalimin e blerjes së veprave të vjedhura, të trafikuara, të humbura ose që janë objekt mosmarrëveshjesh pronësore./ D.Hyka

Monitor.al

Lexo më shumë nga

MË SHUMË LAJME

Fond Kombëtar për blerjen e veprave të artit!

Një pjesë e parave që institucionet publike kursejnë nga tenderët mund të përdoret për blerjen e pikturave, veprave të artit,…

“Aleksandër Moisiu”, një krijim i guximshëm!

Nga Ivo Moja Kemi dëgjuar shpesh debate dhe kritika rreth veprës skulpturore kushtuar ikonës sonë të skenës botërore, Aleksandër Moisiut,…

Dita Ndërkombëtare e Artistëve

Çdo vit, më 25 tetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Artistëve, një ditë kushtuar krijimtarisë, imagjinatës dhe talentit të artistëve në…

“Korça e kohës sime”

Galeria e Artit “Guri Madhi” në Korçë mirëpriti ekspozitën personale të piktorit Agron Shahinas. Një takim piktotik kushtuar qytetit, kujtimeve…

Alush Shima, mjeshtri i harmonisë së ngjyrave!

Nga Dash Frashëri Një piktor modern shqiptar! Alush Shima konsiderohet si një nga piktorët e rëndësishëm bashkëkohor të artit modern…

Një çast në atelierin e Artur Muharremit!

Nga Luan Rama Artur Muharremit po ti shkosh papritur në shtëpi do ta gjesh gjithnjë para një tabloje. Puna e…

“Dy artistë, një Berat”

“Dy artistë, një Berat” në Galerinë e Arteve “Eduard Lear”! U çel ekspozita e piktorëve Grigor dhe Jani Tavanxhi, ku…

Muzeu Bansky – një sfilatë mbarëshqiptare në javën e modës në Paris

Parisi u kthye sërish në epiqendrën e krijimtarisë më 3 tetor 2026, kur edicioni i pestë i GX Fashion Week…

Fond Kombëtar për blerjen e veprave të artit!

Nga tenderat tek arti, qeveria do të përdorë deri në 10% të kursimeve nga prokurimet për të blerë art

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.