
“Aleksandër Moisiu”, një krijim i guximshëm!
Vepra skulpturore kushtuar ikonës së skenës botërore, Aleksandër Moisiut, e realizuar nga skulptorët Ergys Krisiko dhe Sadik Spahija.

Nga Ivo Moja
Kemi dëgjuar shpesh debate dhe kritika rreth veprës skulpturore kushtuar ikonës sonë të skenës botërore, Aleksandër Moisiut, e realizuar nga skulptorët Ergys Krisiko dhe Sadik Spahija, të cilën disa e kanë etiketuar padrejtësisht si “të çmendur” apo kanë pretenduar se “nuk i ngjan aktorit”, ulje e figurave kombëtare etj etj.

Por a është arti vërtet thjesht një pasqyrë mekanike apo një fotografi e ngurtësuar në bronz?
Për mendimin tim, kjo vepër është një arritje e jashtëzakonshme dhe një krijim i guximshëm, pikërisht sepse largohet nga skemat e lodhura të realizmit socialist apo nga ato portrete që kërkojnë të duken fiks si fotografi.
Nëse qëllimi i një vepre arti do të ishte thjesht imitimi i një imazhi fotografik, atëherë mjaftueshmëria e aparatit do ta bënte skulpturën të panevojshme, duke e zhveshur nga shpirti, shija dhe prekja personale e artistit. Ergys Krisiko dhe Sadik Spahija nuk kanë bërë një “copy-paste” sterile, por kanë arritur të kapin esencën, tensionin psikologjik dhe gjallërinë e roleve që Moisiu interpretonte me aq madhështi në skenë, duke e shkëputur veprën nga monotonia e monumenteve tradicionale dhe duke na dhënë një vizion artistik që të transmeton emocion të vërtetë.
Respekt dhe vlerësim maksimal për këtë qasje kaq moderne dhe domethënëse!























