
“Eposi në artet pamore shqiptare”
Një studim nga Suzana Varvarica Kuka, mbi ndërthurjen e trashëgimisë gojore me artet pamore shqiptare

Nga Ylli Drishti
Historian dhe kurator arti
Botimi “Eposi në artet pamore shqiptare”, i studiueses Suzana Varvarica Kuka, përbën një kontribut të veçantë në studimin dhe dokumentimin e marrëdhënieve ndërmjet trashëgimisë së letërsisë gojore shqiptare dhe arteve pamore. Ky botim, i mbështetur financiarisht dhe i publikuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sjell një qasje të gjerë studimore ndaj një prej burimeve më të rëndësishme të kujtesës historike, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se ai e trajton Eposin e Kreshnikëve, baladat dhe legjendat shqiptare jo vetëm si pasuri të trashëgimisë gojore, por edhe si burime të vazhdueshme frymëzimi për krijimtarinë artistike. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një botim të parë të këtij profili studimor në Shqipëri, i cili synon të evidentojë, të dokumentojë dhe të analizojë mënyrën se si rrëfimi popullor është shndërruar në imazh, formë, ngjyrë dhe vepër arti.
Suzana Varvarica Kuka është një emër i njohur në fushën e studimeve të artit pamor shqiptar. Veprimtaria e saj profesionale në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, si studiuese, kuratore dhe drejtuese e sektorit të studimeve, është shoqëruar me një angazhim të vazhdueshëm kërkimor dhe botues. Që prej vitit 2002, ajo ka publikuar monografi dhe studime kushtuar artistëve shqiptarë, ndër të cilat veçojmë botimet për Kristina Koljakën, Kristaq Ramën, Alush Shimën, Vangjush Mion, Simon Rrotën, Jakup Kerajn, Faruk Bashën, Xhevdet Xhafën, Fatmir Haxhiun dhe Gjelosh Gjokajn, si dhe tri vëllimet e ciklit 20 mjeshtrat e hershëm shqiptarë.
Kjo përvojë e gjatë kërkimore dëshmohet edhe në botimin e ri, ku autorja ndërthur njohjen e historisë së artit me kërkimin dokumentar, analizën estetike dhe përzgjedhjen e materialit pamor. Libri, me 204 faqe dhe ilustrime me ngjyra e bardhezi, është organizuar në nëntë kapituj dhe rreth dyzet njësi tematike. Shtrirja e tij dëshmon një punë kërkimore të konsiderueshme, të mbështetur në literaturë, dokumente, burime elektronike dhe shqyrtimin e drejtpërdrejtë të veprave artistike.
Një dialog ndërmjet fjalës së trashëguar dhe imazhit
Në parathënien e librit, Prof. Gazmend Leka e vendos studimin në një hapësirë reflektimi mbi përmasat kulturore dhe shpirtërore të trashëgimisë sonë epike. Pyetja që ai përcjell nga autorja, lidhur me natyrën dhe madhështinë e krijimit gojor, shërben si një pikënisje për të kuptuar thelbin e këtij kërkimi: si mund të ruhet dhe të interpretohet përmes arteve pamore një trashëgimi e përcjellë ndër breza përmes këngës dhe rrëfimit?
Vlerësimi i Prof. Lekës merr një domethënie të veçantë edhe për shkak të lidhjes së tij krijuese me këtë botë tematike. Ilustrimet grafike për Balada popullore shqiptare, botuar më 1981, si dhe vizatimet për Tregime të moçme shqiptare të Mitrush Kutelit, dëshmojnë përvojën e tij të drejtpërdrejtë në interpretimin pamor të letërsisë popullore. Prandaj, vlerësimi i tij për këtë botim, të cilin e sheh jo vetëm si kontribut shkencor, por edhe si akt kulturor, përbën një lexim domethënës të qëllimit dhe vlerës së tij.
Autorja e mbështet trajtesën edhe në traditën e rëndësishme të mbledhjes dhe botimit të folklorit shqiptar, duke u ndalur te vepra Visaret e Kombit, vëllimi II, Eposi i Kreshnikëve dhe Legjenda, botuar më 1937 nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, si dhe te botimet e mëvonshme deri në vitin 2019.
Një nga çështjet e para të trajtuara është LAHUTA, instrumenti që zë një vend të veçantë në traditën epike shqiptare. Studiuesja e analizon atë jo vetëm si mjet muzikor, por edhe si objekt me vlera historike, simbolike dhe artistike. Vëmendja përqendrohet te ndërtimi i instrumentit, elementet zbukuruese dhe veçanërisht motivi i kokës së dhisë, që shfaqet në pjesën e sipërme të tij.
Përmes dokumentimit fotografik, bisedave me koleksionistët Luljeta Dano dhe Jaho Brahaj, si dhe referencave nga studimet e muzikologut Ramadan Sokoli, autorja ndërton një pasqyrë të traditës dhe të interpretimeve të saj. Kjo trajtesë plotësohet me analiza të veprave si Lahutari (1994), e Bujar Zajmit, Kompozim me lahutë, e ruajtur në Galerinë Kombëtare të Arteve, dhe Lahutari (1967), e Edison Gjergjos, krahas një vizatimi të Naxhi Bakallit.
Në këtë mënyrë, LAHUTA shfaqet si një simbol që kapërcen funksionin e saj muzikor dhe shndërrohet në shenjë identiteti, kujtese dhe frymëzimi artistik.
Eposi si burim frymëzimi për artin shqiptar
Një nga vlerat kryesore të studimit është evidentimi i interesimit të artistëve shqiptarë për botën e baladave, legjendave dhe këngëve epike. Kjo trashëgimi, e pasur me përmbajtje heroike, dramatike, tragjike dhe lirike, ka frymëzuar krijime në pikturë, grafikë, skulpturë, ilustrim dhe film të animuar.
Autorja nuk kufizohet në identifikimin e temave dhe të veprave, por përpiqet të evidentojë mënyrat e ndryshme me të cilat artistët i kanë interpretuar ato, sipas ndjeshmërisë individuale dhe gjuhës artistike të kohës. Pas vitit 1990, ky proces shfaqet edhe përmes qasjeve moderne, ku trajtimet realiste ndërthuren me prirje të ndryshme stilistike dhe me kërkime të reja shprehëse.
Në këtë kontekst, veçohen skulptura Sofra e Kreshnikëve e Vasillaq Kolevicës dhe tabloja Kreshniku i Bjeshkës (2021), e Azem Kuçanës, si dy interpretime që e rikthejnë figuracionin epik në vëmendjen e artit. Analiza përfshin edhe kompozimin Epika e yjeve të mëngjesit, të Edison Gjergjos, duke dëshmuar larminë e mënyrave përmes të cilave temat e trashëgimisë gojore janë përthithur dhe shndërruar në gjuhë pamore.
Një vend të rëndësishëm në libër zënë ilustrimet e botimeve kushtuar baladave dhe tregimeve të moçme shqiptare. Përfshirja e kopertinave dhe e cikleve grafike të artistëve të ndryshëm e zgjeron studimin përtej pikturës dhe skulpturës, duke e trajtuar ilustrimin e librit si një fushë të mirëfilltë krijimtarie dhe interpretimi estetik.
Vëmendje e veçantë i kushtohet dy cikleve grafike të Prof. Gazmend Lekës, të realizuara përmes vizatimeve me penë dhe bojë kine. Cikli i vitit 1981 përfshin 17 kompozime, ndërsa ai i vitit 1986 përbëhet nga 35 vizatime. Krahasimi i tyre nxjerr në pah zhvillimin e gjuhës grafike të artistit, fantazinë krijuese dhe aftësinë për t’i dhënë rrëfimit popullor një dimension të veçantë pamor.
Temat e trajtuara përfshijnë episode të njohura si E bija e Hënës dhe e Diellit, Rozafati, Besa e Kostandinit, Gjergj Elez Alia, Ajkuna qan Omerin, Martesa e Halilit dhe Muji dhe Zanat. Përmes kontrasteve, ritmit kompozicional dhe interpretimit të personazheve, Leka krijon një univers grafik ku fantazia dhe tensioni dramatik i rrëfimit marrin jetë të re. Vlerësimi i këtij cikli u kurorëzua më 1987 me çmimin “Odise Paskali”.
Krahas krijimtarisë së Gazmend Lekës, studiuesja analizon edhe ilustrimet e Agim Fajës për botimin e vitit 2015 të Tregime të moçme shqiptare të Mitrush Kutelit. Krahasimi i dy autorëve evidenton larmishmërinë e zgjidhjeve artistike dhe dëshmon se ilustrimi nuk është thjesht shoqërues i tekstit letrar, por një interpretim krijues më vete, me strukturë, ritëm dhe identitet estetik.
Baladat dhe legjendat në gjuhë të ndryshme artistike
Në vijim, Suzana Varvarica Kuka përqendrohet te interpretimet pamore të disa prej baladave dhe legjendave më të njohura shqiptare. Ajo vëren se artistët nuk janë mjaftuar me paraqitjen e drejtpërdrejtë të personazheve dhe ngjarjeve, por kanë sjellë lexime personale, të formësuara nga kujtesa kolektive, imagjinata dhe përvoja e tyre krijuese.
Një prej temave qendrore është figura e Gjergj Elez Alisë dhe përballja e tij me Bajlozin e Zi. Në këtë grup përfshihen piktura Gjergji dhe Bajlozi i Zi dhe dy fletë grafike me temën Dyluftimi i Gjergj Elez Alisë, të Gazmend Lekës, si dhe vepra të Ismail Lulanit, Parid Dules dhe Nevzat Kiçës. Tema shfaqet edhe në filateli, përmes emisionit me tri pulla Motra i sjell gjokun dhe armët Gjergjit, me autor Naxhi Bakallin, si dhe në medaljonin Gjergj Elez Alia (1985–1986), të realizuar nga Ferit Kola.
Studiuesja ndalet gjithashtu te interpretimet e figurës së Mujit dhe të Zanave, të trajtuara nga artistë si Gazmend Leka dhe Sali Shijaku. Përfshirja e këtyre veprave ndihmon në kuptimin e mënyrave të ndryshme me të cilat bota mitologjike e eposit është shndërruar në formë artistike, duke ruajtur njëkohësisht karakterin simbolik dhe fuqinë e saj shprehëse.
Një vend të veçantë zë legjenda e Rozafës, një prej rrëfimeve më përfaqësuese të kulturës shqiptare. Në studim përfshihen vepra e Sali Shijakut Rozafa, kompozimi skulpturor Murosja e Rozafës, i realizuar nga Skënder Kraja, Hashim Kruja dhe Petrit Kruja, si dhe vepra Guri i Bardhë, e Destan Gashit. Legjenda dokumentohet edhe përmes interpretimit të saj në një emision filatelik të Naxhi Bakallit.
Këto trajtime dëshmojnë se figura e Rozafës e ka kapërcyer kufirin e rrëfimit tradicional, duke u shndërruar në një simbol të qëndrueshëm artistik, ku ndërthuren sakrifica, besa dhe lidhja me vendin e origjinës.
Një tjetër bosht i rëndësishëm është legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës. Autorja analizon pikturën Kush e solli Doruntinën, të Edison Gjergjos, skulpturën Kostandini dhe Doruntina (2024), të Llambrini Bojaxhiut Dena, si dhe ciklin e vizatimeve të Avni Behlulit, realizuar më 2002.
Kësaj teme i kushtohen edhe filmat e animuar Nëntë vjet e nëntë ditë (2003), me autor Artur Dautin, dhe Besa e Doruntinës, me autore Gentian Mingën dhe Ledia Merollarin. Përfshirja e gjashtë tablove të Nevzat Kiçës, të realizuara gjatë viteve 2020–2022, e plotëson panoramën e interpretimeve bashkëkohore të kësaj legjende.
Përmes këtyre shembujve, libri evidenton aftësinë e një rrëfimi të trashëguar për të frymëzuar forma të ndryshme krijimtarie, duke ruajtur në kohë mesazhet e besës, të përgjegjësisë morale dhe të lidhjes familjare.
Përtej arteve pamore: një trashëgimi e gjallë kulturore
Një meritë tjetër e studimit është zgjerimi i vështrimit përtej pikturës, grafikës dhe skulpturës. Autorja përfshin edhe emisione filatelike, filma të animuar, vizatime të fëmijëve, dramaturgji, krijimtari muzikore dhe koreografike, duke treguar se ndikimi i eposit ka përshkuar fusha të ndryshme të jetës kulturore shqiptare.
Përmes këtyre formave të shprehjes, personazhet dhe ngjarjet e traditës epike janë përcjellë te brezat e rinj, duke u bërë pjesë e edukimit estetik dhe e kujtesës kolektive. Kjo qasje i jep studimit një dimension më të gjerë, sepse e trajton trashëgiminë gojore jo si një relike të së kaluarës, por si një burim që vazhdon të jetojë dhe të ripërtërihet përmes krijimtarisë.
Për një historian dhe studiues të artit, dokumentimi i këtyre lidhjeve ka rëndësi të veçantë. Ai ndihmon në identifikimin e veprave, në njohjen e autorëve dhe në kuptimin e konteksteve kulturore në të cilat janë krijuar. Njëkohësisht, krijon mundësi për kërkime të mëtejshme, krahasime estetike dhe studime ndërdisiplinore mbi marrëdhëniet e letërsisë, folklorit dhe arteve pamore.
Një kontribut me vlerë për historinë e artit shqiptar
Në përfundim, Eposi në artet pamore shqiptare përfaqëson një përpjekje serioze studimore për të ndërtuar një panoramë të pasur të ndikimit të baladave, legjendave dhe Eposit të Kreshnikëve në krijimtarinë artistike shqiptare. Përmes kërkimit dokumentar, analizës estetike dhe përzgjedhjes së veprave, Suzana Varvarica Kuka sjell në vëmendje lidhje që shpesh kanë mbetur të shpërndara në botime, koleksione dhe fusha të ndryshme të krijimtarisë.
Vlera e këtij botimi nuk qëndron vetëm në materialin e mbledhur, por edhe në përpjekjen për ta organizuar atë në një tërësi studimore, duke krijuar një urë lidhëse ndërmjet trashëgimisë gojore dhe historisë së artit. Ai u drejtohet studiuesve, artistëve, studentëve dhe lexuesve të interesuar për kulturën shqiptare, duke ofruar një bazë të vlefshme për njohjen dhe vlerësimin e kësaj pasurie.
Me këtë vepër, Suzana Varvarica Kuka i shton krijimtarisë së saj studimore një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e artit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij me trashëgiminë kulturore kombëtare. Libri na kujton se një popull e ruan identitetin e vet jo vetëm përmes historisë së shkruar, por edhe përmes këngëve, legjendave, figurave dhe imazheve që përcillen nga një brez te tjetri.
Pikërisht në këtë ndërthurje të kujtesës, fjalës dhe imazhit qëndron rëndësia e Eposit në artet pamore shqiptare: një botim që na fton ta shohim trashëgiminë tonë jo vetëm si dëshmi të së kaluarës, por edhe si burim të gjallë frymëzimi për artin dhe kulturën e së ardhmes.



















