Realizmi bashkëkohor ekspresionist në peizazhin e njolltë të Çaush Vathit

“Valsi i Natyrës”. Peizazhet e Çaush Vathit mbartin një fuqi të jashtëzakonshme ngjyrash, formash dhe ndjesish


  • Nga Ph.D. OLTSEN GRIPSHI

Kanavaca është pasqyra e ekzistencës së një piktori. Përballë saj ai reflekton shëmbëllimin e hijes së tij, që merr trajta siluetash, formash, vëllimesh e perspektivash të pakapshme. Është hapësira në të cilën piktori nuk njeh as një ligj, që mund ta kufizoj për t’u shprehur e për t’i bërë të njohur të tjerëve ndjesitë që mbart brenda vetes.

Kjo është qasja e piktorit Çaush Vathi, i cili mbetet gjithmonë në kërkim të një këndi të natyrës që ta befasoj atë, ta nxisë për të pikturuar dritën dhe emocionin e atij çasti.  Një hulumtim ndjesor i piktorit Vathi për të kapur të pakapshmen e dritës, duke pikturuar realitetin bashkëkohës të tij, me një thjeshtësi të atillë, ku njollat e ngjyrave e shndërrojnë natyrën në një skenë madhështore, protagonistët e secilës janë shpendët me cicërimat e tyre, kafshët që hungërijnë livadheve në çdo stinë, pemët e shumëllojshme që komunikojnë mes tyre përmes tingujve të fëshfërimës së erërave athtare, dielli mesdhetar që rrëzëllen sipërfaqeve të ujrave të Adriatikut, Jonit, Prespës, liqenit të Shkodrës dhe atij të Pogradecit, hëna që ndrinë lugjeve të dëborës, të rrahur nga të ecurit e rrëqebullit bjeshkëve të Kukësit dhe retë të cilat duken sikur vallëzojnë mes tyre mbi krye të një natyre mbresëlënëse.

Piktura e Çaush Vathit dukshëm na shpërfaq elemente stilistike të krahasueshme me lëvizjen artistike të Macchiaioli[1] në Italinë e viteve midis 1855 dhe 1867, ku një grup piktorësh fiorentinë, ashtu si edhe pararendësit e tyre, impresionistët francezë, ndjenin një revoltë kundër akademikizmit dhe dëshirës për të përshkruar të vërtetën, që ato jetonin përmes ndjesisë së dritës së vërtetë dhe efektit që drita kishte tek ngjyra dhe loja e dritëhijeve.

Në këtë fushëpamje, ndonëse impresionistët dhe makiaiolistët kanë një ndikim shpirtëror tek piktori Vathi, përsëri ai nuk bien në “kurthin” e imitimit të gjuhës së tyre pamore, përkundrazi kërkon që nëpërmjet pikturës së tij të kornizoj kohën në të cilën jeton. Piktori Vathi natyrën e shikon si një ndërthurje njollash ngjyre, pasi në realitet nuk ka konture, as vizatim të linjave ndarëse mes objekteve apo përmbajtje të njëtrajtshme të tyre. Syri i piktorit goditet vetëm nga ngjyrat e organizuara në mënyrë të atillë, që u japin objekteve dhe natyrës forma dhe vëllime. Ngjyra është i vetmi mjet i piktorit për të modeluar hijeshinë e natyrës mbi kanavacë. Konturet e natyrës për artistin nuk janë gjë tjetër veçse kalimi nga një ngjyrë në ngjyrën tjetër, duke modeluar pa kuptuar format dhe vëllimet e saj.

Piktura e Çaush Vathit rindërton një realitet të ri nëpërmjet njollave të ngjyrave të shtrira gjerësisht dhe të ngjeshura mirë mbi sipërfaqen e kanavacës. Njollat e ngjyrave janë shëmbëlltyra se si piktori e shikon natyrën, të thjetuar me forma e vëllime të mëdha. Qasja në këtë mënyrë e piktorit në raport me natyrën ka bërë që ajo të na shfaqet e stilizuar, ekspresive dhe me një furi mbivendosjeje penelatash pastoze, aq sa alkimia mes veprës dhe vëzhguesit të saj është e pashmangshme.

Natyra mbi kanavacën e Çaushit Vathit largohet dukshëm nga realiteti, ndonëse nga realiteti peizazhet e tij përftohen. Ai nuk kërkon të shëmbëllej me përpikmëri atë që sheh në natyrë sesa ngulmon të shpërfaqë atë që ai ndjenë dhe që e emocionon në çastin e realizimit të veprës piktorike. Pavarësisht këtij procesi metamorfoze që natyra pëson nga e vërteta fizike në të vërtetën e piktorit, përsëri vërejmë modelimin e tyre sipas rregullave të perspektivës, ndarja mirë e planeve të cilat na përçojnë ndjesinë e trepërmasores. Për t’u theksuar është se në shumësinë e peizazheve nga e gjithë Shqipëria e jo vetëm, piktori na demonstron një harmoni në vendosjen e njollave ekspresive të ngjyrave pranë dhe mbi njëra-tjetrën me shumë zgjuarsi dhe veshur me ndjenjë.

Kuratori Oltsen Gripshi

Karakteristikë e pikturës së Çaush Vathit, që e bën atë të dallueshme mes shumë veprave të piktorëve të tjerë është pastërtia e timbrikës së ngjyrave, ashtu direkt të marra nga tubeti, duke u përzier më pas me tyre mbi kanavcën e bardhë.

Realizmi bashkëkohor ekspresionist në peizazhin e njolltë të

Temat e trajtuara nga piktori e shmangin tërësisht analogjinë kohore referuar realizmit historik, me pikturimin e miteve, legjendave dhe historive të mëdha nga e kaluara e popullit shqiptar. Realizmi bashkëkohor ekspresionist i piktorit Vathi përqendrohet tërësisht në zhanrin e peizazhit, duke shkelur e zbuluar këndet më të panjohura të Shqipërisë.

Elementi themelor i pikturës së realizmit bashkëkohor ekspresionit të Çaush Vathit është pastërtia e ngjyrave, interpretimi dhe ngjyra e dritës që përshkon të gjitha peizazhet që ai pikturon. Vizatimi pushon së qenuri parimi koordinues i kompozimit; teknika piktorike e përdorur mbështetet në vibrimin kromatik dhe në ndarja e planeve nëpërmjet njollave të ngjyrave, duke krijuar kontrastet e duhura mes tyre vetëm mbi kanavacë. Vëzhguesi kur gjendet përballë peizazheve të Çaush Vathit njesohet me imazhet e pikturuara. Kjo, falë ndërlidhjes që alkimia e perceptimit pamor bën me dy përmasave, atë të ndjeshmërisë së artistit për të përçuar nëpërmjet imazhit të pikturuar botën e tij të brendshme dhe ndjeshmërisë së vëzhguesit për ta përftuar atë brneda vetes.

Realizmi bashkëkohor ekspresionist në peizazhin e njolltë të

Stilistika me të cilën piktori i qaset dhe e trajton natyrën na shpien drejt një gjuhe të re pamore, atë që mund të konsiderohet si realizmi bashkëkohor ekspresionist, ku ai bën bashkë elementë të gjurmës së realizmit dhe të ekspresionizmit evropian, por duke u mbivendosur këtyre dy rrymave pararendëse bashkëkohësinë e tij, realitetin dhe të jetuarën në të tashmen bashkëkohore. Realizmi bashkëkohor ekspresionist nuk është gjë tjetër për piktorin sesa përfaqësimi i momentit, i demonstrimit teknik dhe emocional, se realiteti formohet dhe zhduket, duke përbërë njëkohësisht rrjedhën ndërvepruese midis mendjes (arsyes) dhe shpirtit (emocioneve), i cili për piktorin Vathi është një nxitje e vazhdueshme dhe frymëzuese brenda tij për të krijuar.

Piktori interpreton aktin subjektiv të të parit përmes paraqitjes së dritës dhe ajrit, zbërthimit të sipërfaqes së ngjyrosur me penelata dhe njolla të shtrira gjerë mbi kanavacë, lojën e pafundme të hijeve dhe reflektimeve. Rezultati i përftuar nga ky virtuozizëm piktorik është një imazh i papërcaktuar nga konturet e qarta, apo nga linjat vizatuese të natyrës, që piktori ka përballë vetes sesa një përafërim me të. Kjo, pasi për piktorin nuk ka rëndësi shëmbëllimi me përpikmëri apo kopjimi i natyrës, por përvetësimi dhe personalizimi i saj, duke e filtruar atë përmes ndjenjave, emocioneve dhe përvojës së tij psikoshpirtërore.

Çaush Vathi gjatë procesit krijues en plein air njesohet shpirtërisht dhe fizikisht në heshtje me natyrën, për të marrë në pak kohë esencën mahnitëse të saj, të atij çasti, e cila është në një dinamikë ndryshimesh të vazhdueshme, ku herë një re errëson diellin, herë era valëzon një reflektim uji e herë papritur ngjyrat shndërrohen nga të ngrohta plot dritë në të ftohta plot brishtësi. Në këtë këndvështrim piktori nuk ka kohë të përziejë ngjyrat në tavalocë, ai duhet t’i hedhë ato menjëherë mbi sipërfaqen e bardhë të kanavacës, duke mos u kujdesur aq shumë për hollësitë dhe përsosmërinë e vizatimit sesa për efektin e përgjithshëm emocional që ai përfton nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë me natyrën.

Peizazhet e Çaush Vathit mbartin një fuqi të jashtëzakonshme tingujsh, ngjyrash, formash dhe ndjesishë të cilat janë në kërkim të rezonancave pamore për ripërtëritjen e natyrës mbi sipërfaqen e kanavacës. Piktori është “ena” ku të gjitha këto ndjeshmëri treten për t’u njesuar në një materie të vetme, ku të gjitha bashkë i përgjigjen ritmeve poetike për të kuptuar gjuhë e re të realizmit bashkëkohor ekspresionit të piktorit Çaush Vathi.

* Estet, kurator dhe historian arti

[1] Macchiaioli [it] – Ishte emri i lëvizjes së re artistike të themeluar nga një grup piktorësh aktivë kryesisht në krahinën e Toskanës në Itali, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të. Kjo lëvizje e re artistike e njohur si “Makiaioli” pati një kohështrirje nga viti 1855 deri në vitin 1867. Thelbi e kësaj lëvizjeje artistike ishte “teoria e njollës”, që për këtë grup piktorësh kishte të bënte me pikturimin e formave që krijoheshin nga drita përmes njollave të ngjyrave, të dallueshme, të ngjeshura mirë dhe të mbivendosura në mënyrë të atillë, ku të gjitha planet të ndaheshin falë njollave të ngjyrave.

Lexo më shumë nga

Hisni Meta, mjeshtri i harmonisë!

Piktori Hisni Meta feston 70-vjetorin. Një artist me një dashuri të madhe për artin e bukur. Perfeksionist.

“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti

Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit