Busti i Tanush Topisë

Studiot e artistëve nuk janë thjesht tempuj arti, por edhe libra të hapur, si ajo edhe e skulptorit Perikli Çuli.


Nga Agim Janina, studiues arti

Studiot e artistëve të Arteve Pamore nuk janë thjesht tempuj arti, por edhe libra të hapur, ku duke bashkëbiseduar me artistë dhe duke parë veprat e tyre mëson më shumë se nga librat e historisë së artit. Një e tillë ishte edhe studio e skulptorit Perikli Çuli. Çdo krijim mbart edhe historinë e krijimit. Në vitet ’80 studio e tij më ishte bërë shumë e afërt dhe bisedat me artistin ishin të pafundme…
“Më kujtohet, rrëfeu një herë skulptori, sapo kisha mbaruar studimet e larta në Rumani për skulpturë monumentale dhe si çdo i ri isha plot frymëzim, ëndrra për të ardhmen. Mësimet kishin mbaruar dhe duhej të paraqitesha përpara shikuesve. Ndjenja përgjegjësi ndaj vetes.
Doja të bëja diçka të bukur, të fortë, të tregoja veten e të justifikoja studimet. Po çfarë? Pyetja më shqetësoi kohë të gjatë. Shikoja bustin e Skënderbeut dhe thoja me vete: I bukur është. Shumë mirë e ka punuar Paskali. Nuk mund të bëja edhe unë një të tillë? Vetëm një Skënderbe do të kemi në skulpturë? Po heronjtë e tjerë a do t’i bëjmë? Po sikur… dhe në mendje më vinin shumë figura të shquara shqiptare, por nuk vendosja.
Ndërkohë mora porosi të punoja një bust për bashkëluftëtarin e Skënderbeut, Tanush Topinë. E prita me shumë kënaqësi kërkesën. Fillova menjëherë nga skicat. Bëra disa syresh. Nuk më pëlqyen. Bëra të tjera dhe përsëri nuk më pëlqyen. Fillimi i punës është një periudhë shumë shqetësuese, aq më shumë kur frymëzimi është shumë i madh, por realizimi nuk të kënaq.


Busti i Tanush Topisë, realizuar nga Perikli Çuli

Kuptova se vetëm me skica nuk do të mundja kurrë ta realizoja portretin e Tanushit. Duheshin njohuri më të thella. Një gravurë që gjeta në muze me portretin e tij nuk më tërhoqi. Ishte i ftohtë dhe nuk më thoshte gjë, nuk më ngacmonte. Tanushi ishte nga raca e pastër shqiptare që i dhanë lavdi Atdheut. Gravura mbetej larg përfytyrimit tim. Si duhej realizuar?
Fillova të shfletoj historinë, u takova me historianë dhe formova një përfytyrim të plotë për epokën dhe vetë Tanushin. Koha e tij ishte një kohë historike. Tanushi është nga figurat e mëdha të botës shqiptare, bashkëlufttar i Skënderbeut. U takova me Aleks Budën. Në fushën e historisë ai është shumë i përgatitur. Ç’është e vërteta, ai më ndihmoi shumë për t’u futur në frymën e atij shekulli të lagët kur ka jetuar Tanushi.
“Shqiptarët – më tha – në atë kohë ishin jo vetëm luftëtarë trima të mëdhenj, por edhe shumë të bukur. Kjo ishte një bukuri e veçantë karakteristike. Fytyrën e kishin me tipare burrërore, të ashpër shumë, por të bukur. Burrat mbanin ca flokë të gjatë deri në bel, të lidhura nga pas kurrizit që kur luftonin të dalloheshin nga larg nga turqit e të mos përziheshin me ta. Visheshin kështu e ashtu, mbanin këto rroba, armë, qeleshe në kokë. Tanushi ishte më mjekër të vogël, mbante qeleshe të thjeshtë pa zbukurime…”
Fliste Aleks Buda sikur ta kishte njohur Tanushin nga afër e të kishte jetuar me të. Ai më hapi horizontin, më futi në epokën e Tanushit.
Pra, duhej që portretin ta bëja karakteristik, ku të mpleksej bukuria me ashpërsinë dhe të mos dukej asnjë gjurmë e egërsisë dhe çnjerëzores. Dalngadalë e sa më shumë thellohesha në histori e biseda aq më i plotë më bëhej përfytyrimi për të e aq më të sakta e të qarta tiparet, portreti. Kudo ku isha mendoja për Tanushin. Ai u bë i imi. U fut në mendimet e shqetësimet e mia, më dilte vazhdimisht pëpara syve, më ngacmonte e më ndiste fanatazinë. Jetova me figurën e tij organikisht gjatë gjithë kohës së krijimit. Ishte e pamundur të ndahesha prej tij. Kështu mbasi u mbusha nga brenda fillova përsëri nga skicat dhe modelimi në baltë drejt krijimit të formave plastike.


Studiuesi i artit, Agim Janina

Në mendje e shikoja Tanushin të gjallë, por kur mundohesha ta krijoja në baltë më ikte, dilte tjetër gjë nga përfytyrimi që kisha krijuar brenda vetes. Nuk dilte që nuk dilte…
Pata raste që edhe mërzitesha shumë, por punës nuk i ndahesha. Përsëri skica e skica të panumërta, lodhje e kërkim pranë kavaletit. Dhe erdhi një moment që për mua ishte më i bukuri gjatë krijimit, kur e pashë Tanushin si të gjallë që më vështronte anash, rreptë e me zgjuarsi, sikur po i thoshte turkut: “Ti njoh dredhitë e tua. Nuk më mashtron dot! Ja ky është Tanushi i vërtetë – i thashë vetes. Tani nuk më ikën më.
Portreti u kap, puna eci shpejt, sepse kisha diçka të fortë që më ngacmonte. Tanushi jetonte i gjallë brenda meje. Dhe pastaj doli Tanushi… Mirëpo ande nuk ishte ai tamam.
Erdhën kolegët dhe e panë. “Skënderbeu! – thanë. – Bukur, bukur!” Mua edhe mirë më vinte edhe keq. Mirë sepse isha futur në epokë, kisha kapur frymën e saj, por keq se nuk shikonin Tanushin, por Skënderbeun dhe unë doja të bëja Tanush Topinë e jo Skënderbeun.
Iu ktheva përëri librave. Studiova tipa e karaktere nga jeta, malësorë nga krahina të ndryshme dhe i hyra punës. Pra, kalova nga njohja historike në njohjen ideale e më pas në trajtimin jetësor aktual. Kërkova shumë tek balli, sytë, hunda. Sidomos kjo e fundit më lodhi shumë…
Një herë ma prishi nipi, të cilin e kisha marrë me vete në studio. Ishte i vogël dhe një ditë kur mbeti vetëm i luajti hundën. Kur u ktheva mbeta te dera. Kaq e kaq ditë punë shkuan dëm. “Nuk rrinte mirë e desha ta rregulloja! – më tha nipi gjithë frikë. I vogël ishte dhe e kishte shqetësuar hunda e portetit, shqetësim që e kisha edhe unë.
Janë çaste me tension të madh psikologjik. Një prishje sado e vogël e të duket sikur prishet diçka përgjithmonë e ti nuk do të mundesh më të rregullosh… Pse e them këtë? Për artistin krijimi duhet të jetë edhe rikrijim, pasurim i vazhdueshëm dhe të mos mbesi në një arritje, kur e di që ajo çalon. Mësim që ma dha një fëmijë.
Pra, ka çaste kur kujton se e ke kapur bukur një tipar, një detaj apo diçka tjetër, të rri mirë dhe nuk të bën të ndahesh nga ai, por me tërësinë nuk shkon. Atëhere e rregullon e afron me të tjerat deri sa të harmonizohet me tërësinë e aj. Por, ka edhe raste kur nuk bën..
Kisha edhe çaste që kur punoja Tanushin puna nuk ecte. Nuk punon dot dhe pikë. Asgjë në art nuk bëhet me imponim, pa frymëzim. Dilja nga shtëpia dhe endesha rrugëve, por gjithmonë mendjen aty në studio, pranë kavaletit, ku më priste Tanushi. Kur e kisha mbushjen nga brenda vrap e në studio dhe puna ecte.
Dhe erdhi një ditë dhe Tanushi përfundoi. E çova bustin në ekspozitë dhe isha gjithë tension. Si do të pritej vepra, çdo të thonin për të, a do të ishte Tanushi?
Çastet e ekspozimit para publikut gjithmonë janë të ngarkuara për artistin. Bëhesh nervoz dhe shqetësohesh edhe për gjëra pa rëndësi. Nuk më zinte vendi. Edhe tani i kujtoj ato emocione të forta bile ika nga Tirana, shkova në Gjirokastër dhe kur erdhi dita e hapjes së ekspozitës u ktheva. Vrap e tek Tanushi. Hyra brenda në ekspozitë dhe hodha sytë gjithë emocion… Aty midis veprave të tjera të ekspozuara ishte edhe Tanushi im. E kishin pranuar…
Por me Tanushin më lidh edhe një kujtim i bukur. Kisha shkuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të marrë rrogën e kur po vija firmën shikoj që nga pas afrohet dikush dhe i drejtohet llogaritares:
‘Pa hë moj vajzë, a do të më japësh rrogën’?
‘Menjëherë profesor, ja sa të mbarojë ku shoku’ – ia përgjegj ajo.
Tjetri u zgjat dhe zuri të më shikonte. Dëgjova që më pyeti:
‘Cili je ti mor djalë?’
U ktheva. Ishte poeti Lasgush Poradeci. Për të kisha shumë respekt. Ndjeva që u skuqa në fytyrë. I dhashë emrin.
‘Cili Perikli? Ai i Tanushit je?’
‘Ai jam.’
‘Ashtu?! Ti mor djalë e paske bërë Tanushin dhe unë nuk të njihkam! Pa lere aty stilografin dhe eja të të përqafoj. Dhe Lasgushi më mori në qafë, duke më përqafuar me dashuri. ‘Do të pimë një kafe bashkë e do të bisedojmë për atë mot të madh të Skënderbeut e të Tanush Topisë’.
Vlerësimi i poetit më mallëngjeu. Busti i Tanush Topisë, vepër e rinisë sime, për mua është shumë i dashur dhe më dha një mësim të madh, të punoj e jetoj pranë përfytyrimit popullor. Ai ishte hapi i parë që hodha në krijimtari dhe kuptova që veprat e artit nuk krijohen për një brez.
Ato janë libra të hapura historie të derdhura në bronc apo material tjetër, që do të lexohen nga të gjithë me gjuhën e plastikës ndaj duhen punuar me pasion e ndërgjegje, por mbi të gjitha me përgjegjësi, që të mos të na skuqet faqja më vonë”.

Rama në ekspozitën e piktorit Naxhi Bakalli: Një shfaqje e bukur linjash dhe ngjyrash

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në çeljen e ekspozitës së piktorit Naxhi Bakalli në ambientet e Qendrës për…

15 vjet
“DKullolli Art – Studio”!

Në 2009 ishte një projekt ambicioz. Sot, në vitin 2024 është një dyqan prestigjioz i materialeve të artit në Shqipëri.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.