
Metafora të pikturuara. Karikatura me humor dhe filozofi
Në Bienalen e Katërt të Karikaturës, karikaturisti Arben Meksi fitoi çmimin e dytë për temën “Engjëll dhe Djall”.

Nga Agim Janina

Në Bienalen e Katërt të Karikaturës, të zhvilluar në qytetin e Korçës, karikaturisti Arben Meksi fitoi çmimin e dytë për temën “Engjëll dhe Djall”.
Në ditën e hapjes, në prani të organizatorëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor, karikaturistëve të huaj, të ftuarve dhe miqve e dashamirëve të shumtë, në Pazarin karakteristik të qytetit ai hapi ekspozitën vetiake, ku paraqiti 30 punime, të pa ekspozuara më parë.


Meksi, arkitekt i shkëlqyer, ndërtimet e të cilit i kanë dhënë Vlorës një fizionomi europiane, ku në fasadat me hijeshinë, brishtësinë e linjave përkthyese, hyn drita e bollshme e me gjetje të papërsëritshme i japin vulën origjinale, kënaqësinë për t’i kundruar dhe për të banuar në të.
Të larmishme dhe funksionale, ku hapësira e bollshme dhe drita e gjithanshme u jep atyre ndriçim të bukur, ajër dhe pamje mbresëlenëse.


Ato paraqesin një arkitekturë mesdhetare, me ballkone valavitëse, si dallgët e detit, se Vlora është me dritë dhe me det, të projektuara për të patur pamje më të mirë nga rruga. Nuk janë shumë të larta, duke ruajtur studimin urbanistik të qytetit me 12 kate.
Banesat janë ngritur në qendër të qytetit dhe në Lungomare.
Por Meksi është edhe një figurë qëndrore e karikaturës shqiptare dhe përfaqëson vlerat më të mira të saj.

Në krijimtarinë e tij numërohen me mijëra karikatura, të cilat lexuesit e shtypit i kanë parë dhe shijuar në faqet e gazetave, revistave dhe medias, ku ai është “banor” i përhershëm, duke dhuruar gazmend të shumtë. Ato jenë ngulitur në kujtesën e gjithkujt që i ka parë.
Ato shquhen për një linjë grafike lakonike, ndërton, shpreh dhe sjell shembëllturën në përmasën e saj gazmendsjellëse e mbi të gjithë mendimin filozofik të kohës, sepse Meksi shquhet për një kulturë të gjithanshme, të mëkuar e edukuar nga familja intelektuale dhe që e rriti dhe e ngriti më pas në nivele më të larta nga leximet, studimet dhe falë një syri vëzhgues për të hyrë e zbërthyer natyrën njerëzore në gjerësinë e thellësinë e saj të shumanshme, ku spikat humori i përmbajtur, i thellë dhe që të vë në mendime. Inteligjenca dhe kultura e thellë shkojnë krah njëra tjetrën dhe janë tregues të nivelit artistik të punimeve.
Nga ana tjetër tek artisti janë mbledhur bashkë serioziteti profesional i arkitektit me humorin e karikaturistit, që edhe pse bashkë ia dalin të shprehin individualitetin e tyre të veçantë, duke dhënë e marrë me njëri tjetrin në një rivalitet të bukur e të natyrshëm, por që artisti dhe arkitekti i mbajnë nën kontroll dhe me dashuri të barabartë. Dy gjini të ndryshme, një qëndrim profesional i njëjtë. Sa i ka dhënë emër arkitektura, po aq i ka dhënë edhe karikatura.
Rreth dyzetë vjet më parë Meksi u shfaq në faqet e shtypit shqiptar, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit me gjetjet e larmishme, të menduara dhe për kapjen e temave mbarëkohore e gjithëpërfshirëse. Ai i largohet humorit për humor. Krijimet kanë e jepin gjithmonë një mesazh, një kumt domethënës, sepse autori kurrë nuk ka bërë karikatura thjesht për të dhënë humor. Krijimet e tij pasi të bëjnë të vësh buzën në gaz, të bëjnë të refkektosh mendosh, duke mos i larguar sytë prej tyre për kohë të gjatë. Meditimi ngulmues dhe detyrues janë shprehje e inteligjencës së artistit, që vjen pas një njohje të thellë të fenomeneve që trajton.
Veçori e karikaturave janë gjetjet artistike dhe njëmendësia e tyre. Askund nuk përsërit apo të marrë nga të tjerë, gjithmonë kërkues dhe origjinal. Veprat peshojnë e të mbesin në mendje dhe s’ka sesi të largohesh lehtë prej tyre.
Shumë i thellë në zgjidhjet me gjetje të menduara, karikaturisti bën një përthyerje artistike plot humor të shfaqjeve dhe dukurive shoqërore. Fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare e zuri shpejt vendin në ajkën e karikaturistëve shqiptarë dhe u bë shumë i kërkuar nga shtypi. Nuk nguroi dhe përtoi të shpaloste një larmi tejet të madhe karikaturash, që shpërfaqnin probleme esenciale dhe shpesh ekzistencialite të shoqërisë. Gjuha e tyre nuk kishte nevojë për përkthyes, sepse shembëlltyrat flisnin gjuhën e përbotshme, ishin shumë të kuptueshme dhe shumë të lexueshme, ndaj u vlerësuan në konkurse të ndryshme ndërkombëtare, ku mori pjesë.
Gjetjet metaforike, baza e së cilave është kontrapunti apo kundërthënia e fortë dhe e qashtër, për të bërë kthesën e asaj që duket me atë që fshihet, është qëllimi i veprës për në arritur në leximin e mesazhit që shpaloset si shembëlltyrë.

Në karikaturën fituese paraqitet koka e një pëllumbi, i dalë mbi sipërfaqen e ujit të ftohtë, ndërsa trupi i zhytur është i ngrirë dhe në trupin e pëllumbat varet pushka vrastare. Karikatura kumton, “Mos shikoni dukjen, por shikoni brendësinë!” Misteri gjithmonë fshihet dhe shfaqja bëhet dyshuese, Engjëll dhe djall! Pra,e vërteta nuk është ajo që duket.

Në të njëjtën linjë vjen edhe karikatura tjetër. Si në një kuti e surprizave, kur i hap kapakun je në luftë e kur mbyllet kapaku bëhet paqe. Pra, artisti na thotë, sa afër është lufta dhe paqja!
I shqetësuar për virtualitetin gjithnjë në rritje sidomos tek të rinjtë, që gjithnj e më shumë po prangosen me plot kuptimin e fjalës nga interneti, Meksi ndërton karikaturën e rradhës, ku paraqitet në mënyrë përgjithësuese një i ri, i kërrusur me sytë përmbi celular, nga dalin prangat që i varen në qafë. Të zhytur në botën virtuale rinjtë jetojnë një kohë tjetër e po harrojnë të qeshin, po harrojnë të qajnë!

Në një tjetër karikaturë shfaqet dikush që herët në mëngjes ka ngritur krahët lart dhe në sfond zgjatohet hija i tij, duke marrë përmasa gjigande dhe mendon se po ngre një peshë të madhe. Mesazhi, mos u mat me hijen e mëngjesit!
Vëmë në dukje, karikaturat e Meksin janë “novela”, nga se si theksuam, ato flasin me shembëlltyra metaforike, gjetje të njëmendta, kundërthënie plot humor dhe “zhvillojnë” një dialog të gjatë me shikuesin.
Do të veçonim më gjatë karikaturën “Bashkëjetesë, por me identitet”, për të zhbiriluar më thellë në kumtin e artistit:
Përplasje qytetërimesh.

Dy personazhe emblematikë njëri i Lindjes dhe tjetri i Perëndimit, Nastradin Hoxha dhe Don Kishoti, në një “përplasje” gotash. Urojnë njeri tjetrin. I pari Nastradini me përmasat e urtësisë, gazmendit (humorit) dhe filozofisë së jetës, i tejkalon ato të Turqisë. Është kryepersonazhi i Perandorisë Osmane, duke u bërë edhe lajmëtar i Lirisë si dhe kundër dhunës cilado qoftë shprehja e saj. I janë kushtuar shumë monumente. “Bëmat e tij filozofike” me një veshje të bukur plot humor popullor qarkullojnë në të gjithë Ballkanin. Ne shqiptaret kemi shumë prej tyre, që i tregojmë lirshëm si pjesë morale e trajtimit të jetës.
I dyti, Don Kishoti tejkalon përmasat e një gadishulli, duke kapur fillimisht ato europiane e më pas botërore. Kalëruar mbi Rozinantin, së bashku me Sançon, dha mjeshtërisht “karikaturën” e një kohe, duke ardhur deri në ditët tona në shprehjen “donkishoteske” përdorur rëndom në ligjerim.
Arben Meksi me mjeshteri “i përplas” të dy dhe kjo është “Përplasje qytetërimesh”, aq e mprehtë, e egër dhe e dhimbshme sot. Të dy janë përfaqësues tipikë, të dy kulturave të mëdha asaj të Lindjes dhe të Perëndimit. Si duhet zgjidhur kjo përplasje? Me luftë? Me urrejtje?
Zgjidhja që jep Meksi është sa e bukur, aq edhe domethënëse: gjigandët e historisë e filozofisë artistike edhe pse me ushtë e shtizë u kanë ulur armët, kanë marrë gotat e verës dhe… “Brom gëzuar miku im”! Urojnë njeri tjetrin…, por Nastradini si i mbrapshtë që është, e ka kthyer gotën poshtë. Gjetje artistike e karikaturistit për të rritur gazmendin dhe për të dalë nga steriotipi i krijimit.
Gjetja artistike e mban veprën e artit. Realizimi shkon më pas “vaj” me të.
Meksi është mjeshtër i vërtetë i trajtimit të temave të mëdha me shtrirje gjithë kohore, larg karikaturës së ditës, që “shuhet” me mbarimin e saj.
Pjesmarrësit e shumtë të ardhur edhe nga Portugalia, Spanja, Belgjika, Italia, Bullgaria etj., vlerësuan punimet, duke u shprehur me lavdërime për cilësinë dhe mesazhet e fuqishme që veprat përcillin. “Një shpirt që rrezëllin nga humori dhe të ngacmon me shpotitjen e fenomeneve, që nuk janë vetëm shqiptare, por të përbotshme”, do të shpreheshin ata.
Një çast i veçantë ishte kur Meksi u dhuroi nga një portret në karikaturë, dy miqve të tij Mjeshtrit të Madh Bujar Kapexhiut dhe piktorit e karikaturistit të shquar Agim Sulaj. Sa e shikon shembëlltyrën Kapexhiut e kupton menjëherë domethënien e saj. Ai jepet në abstragim, si një llambë ndriçuese, duke ruajtur tiparet e tij me pak elementë për të theksuar, se në rrugëtimin e Karikaturës Shqiptare emri i Bujar Kapexhiut është një pikë, gur kilometrik e më mirë një llambë ndriçuese, që na tregon jo vetë rrugën e saj, por edhe vlerën që mjeshtri ka shpërfaqur për kohë shumë të gjatë, në kapërcyell të dy shekujve.

Ndërsa Sulaj paraqitet “i ngujuar” pas kavaletit në një siluetë elegante të hijshme, si për të dëshmuar përkushtimin e pashtershëm të tij ndaj artit.
Vitet e fundit Meksi i ngriti karikaturat në një nivel më të lartë artistik, duke i punuar ato me ngjyra akriliku. Ato u kthyhen në tablo të mirëfillta dhe rrinë bukur në ekspozita, ku ai merr pjesë.

Modest dhe shumë i përmbajtur Meksi dëshmon një shpirt të lirë, sjellje të përkorë dhe gatishmëri të madhe për të ndihmuar të tjerët dhe veprimtaritë ku merr pjesë apo edhe miqtë e tij krijues.

Rrallë mblidhen kaq veti e virtyte njerëzore në një njeri. Në këto kohë të shqetësuara e ndonjëherë dramatike. Buzëqeshja e zgjuar, që shkaktojnë karikaturat e Arben Meksit, na largojnë sado pak nga limontia dhe shqetësimet e kohës e na shtyjnë drejt shikimit me gëzim të jetës, pa harruar edhe të mundohemi t’i zgjidhim ato!
(Marrë nga faqja e autorit në rrjetet sociale)


















