
“NOSTRATEMPUS” – Gjuha e shenjave: Një rikthim tek e pathëna!
Universi pamor i Gazmend Lekës shpaloset me misterin e tij në Gallery of Contemporary Art of Tirana

Nga Ardian Isufi & Ardian Kapo
Kuratorët të Ekspozitës

Arti mund ta rikthejë si dëshmi atë që historia lë pas si rrënojë dhe ajo që duket si fragment i një bote të humbur, mund të bëhet pikënisje për një botë ende të paimagjinuar.

NOSTRATEMPUS është një hartë mistike e kujtesës njerëzore nga ku simboli, shkrimi, dhe materia formojnë një alfabet të kohës. Universi pamor i Gazmend Lekës e paraqet të kaluarën jo si një territor të mbyllur dhe të ardhmen jo si një horizont të paprekur, por si dy kohë që bashkëjetojnë në të tashmen e kodeve, që presin të deshifrohen, e në gjendje të padukshme vazhdojnë të ushtrojnë praninë e tyre.

Ndërthurja e shenjave arkaike, strukturave biologjike, shkallëve kromatike, skemave teknologjike dhe simboleve mitologjike krijon një gjuhë që kapërcen kufijtë e epokave. “Arti nuk riprodhon botën” në frymën e Gilles Deleuze-it, por krijon mënyra të reja perceptimi dhe lidhje të reja midis elementeve, që më parë dukeshin të palidhura. E lashta dhe bashkëkohorja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që ato bashkëveprojnë për të prodhuar kuptime të papritura.
NOSTRATEMPUS nuk pyet vetëm se çfarë ka qenë koha, por çfarë ka shënjuar ajo brenda nesh dhe çfarë jemi ende në gjendje të shkruajmë mbi të.

DËRRASAT E ZEZA – AXIC MUNDI janë shtresëzime ku dija dhe harresa, shenja dhe fshirja, ndërtojnë një histori të brishtë. Vepra e artit në këtë ekspozitë buron nga një skenar i brendshëm, ku arti shfaqet si proces interpretimi dhe transformimi i kulturës që nga kaligrafitë e lashta tek tipografitë e analizuara apo shenjat arketipale, e deri në kontrastet me të tashmen tonë që ka kaluar përmes trupit shekullor të histories, për të mbërritur në trupin e veprës. Formula, simbole dhe fragmente shkrimi, ngjajnë me mbetjet e një qytetërimi që përpiqet të deshifrojë vetveten. Walter Benjamin në tezat mbi filozofinë e historisë e përfytyron engjëllin e historisë të kthyer drejt të kaluarës, ku ai sheh rrënoja që grumbullohen njëra mbi tjetrën dhe ato nuk e rindërtojnë të kaluarën si një rrëfim të përfunduar, por zbulojnë fragmentet që kanë mbijetuar përtej heshtjes.

E zeza, e bardha dhe e kuqja
E zeza krijon thellësinë e një hapësire të panjohur, e bardha regjistron shenjën, shkrimin dhe diagramën, e kuqja shfaqet si theks energjie, alarmi ose gjurme biologjike. Ngjyra-Shenjë në këtë raport vepron si një kod simbolik që udhëheq leximin e imazhit.
Shkalla kromatike në aktin e Gazmend Lekës, në kontekstin e ekspozitës NOSTRATEMPUS mund të interpretohet jo thjesht si organizim teknik i ngjyrave, por si një strukturë aktive e mendimit, e simbolit dhe e përvojës estetike. Krijimtaria e tij vendoset në një dialog konceptual me Johannes Itten-in dhe Josef Albers-in, dy figura themelore të modernizmit që e trajtuan ngjyrën si një fushë të pavarur kërkimi artistik dhe perceptiv.
Në veprën e Gazmend Lekës këto dimensione mund të zgjerohen drejt një fushe simbolike dhe ekzistenciale. Shkalla kromatike nuk është vetëm organizim i dritës dhe i intensitetit, mund të bëhet bartëse e kujtesës, e trashëgimisë dhe e tensioneve midis pranisë dhe mungesës. Në ciklet “GENI YNË SHKRUAR NË KUQ & ZI” dhe “DËRRASAT E ZEZA” shkrimet shquhen si skripte pamore që shndërrohet në një hartë të mendimit njerëzor, ku biologjia, mitologjia, numri dhe simboli përpiqen të komunikojnë.
Këtu qëndron mundësia më interesante e Lekës që nuk e ndan dijen nga misteri. Përkundrazi, i vendos përballë njëra-tjetrës. Diagramet sugjerojnë se bota mund të deshifrohet dhe simbolet na kujtojnë se jo çdo gjë mund të reduktohet në shpjegim. Subjekti duket sikur ruan një sekret dhe shkrimi premton ta zbulojë pa e përfunduar kurrë procesin.
NOSTRADAMUS nuk funksionon thjesht si evokim i figurës së profetit, por si një strukturë simbolike përmes së cilës e ardhmja shfaqet si enigmë, e tashmja si çast interpretimi dhe e kaluara si një arkiv shenjash që presin të rilexohen.
Profecia në këtë perspektivë nuk është domosdoshmërisht parashikim i asaj që do të ndodhë, por një akt krijues që ndërton marrëdhënie të reja midis imazhit, kohës dhe njohjes. Gjuha simbolike e Lekës mund të interpretohet si një sistem shenjash të hapura, ku referencat mitologjike, historike dhe arkaike nuk ofrojnë përgjigje përfundimtare, por aktivizojnë mundësi të shumëfishta kuptimi. Imazhi bëhet kështu, një hapësirë ku e dukshmja dhe e fshehta, racionalja dhe intuitivja, ndërthuren pa u shkrirë në një shpjegim të vetëm.
NOSTRADAMUS brenda NOSTRATEMPUS, shndërrohet kështu në një metaforë të vetë aktit artistik dhe mund të lexohet si një kërkim mbi kufirin e brishtë midis historisë, profecisë dhe imagjinatës. Ekspozita në këtë kuptim nuk i qaset vetëm një udhëtimi retrospektiv, por është thuajse një akt kritik ndaj mënyrës se si ndërtohet historia dhe se si shoqëria zgjedh të kujtojë ose të harrojë.
Dërrasat e zeza bëhen arkiva të hapura të ndërgjegjes, ndërsa objektet e ciklit Nostradamus shndërrohen në relike dhe paralajmërime të një të ardhmeje të mundshme.
Martin Heidegger nënvizon njeriun si qenie kohore: “Ne nuk e vështrojmë kohën vetëm nga jashtë, ne ekzistojmë dhe strukturohemi përmes saj”, pra nëse NOSTRATEMPUS na vendos përballë asaj që kemi trashëguar, NOSTRADAMUS konfronton dilemat se çfarë po përgatisim për ata që do të vijnë pas nesh, sepse koha nuk është vetëm ajo që kalon mbi ne, por edhe ajo për të cilën mbajmë përgjegjësi.




















