
Sadik Kasa, një jetë në shërbim të artit!
“Një botë e tërë shqiptare në telajot e tij”

Nga Fatmir Toçi
Sot, në Durrës, pata kënaqësinë të vizitoj ekspozitën “Stinët” e piktorit të njohur Sadik Kasa, të çelur në kuadrin e një përvjetori të veçantë, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.

Një ekspozitë që nuk është thjesht një prezantim veprash artistike, por një udhëtim mbresëlënës nëpër natyrën, peizazhet, qytetet, fshatrat dhe bukuritë e Botës Shqiptare. Përmes penelit të tij, Sadik Kasa ka përshkuar thuajse të gjithë botën shqiptare, deri në Kalabri, duke e sjellë atë në telajo me dashuri, përkushtim dhe një ndjeshmëri të veçantë artistike.

Në krijimtarinë e tij gjen këtë Botë Shqiptare të shumëfishtë: malet madhështore, luginat e lumenjtë, bregdetin, fushat, vendbanimet e lashta, qytetet me histori dhe peizazhet e qeta rurale. Çdo tablo është një copëz Atdheu, një emocion i fiksuar në ngjyra, një dëshmi e bukurisë natyrore dhe shpirtërore të këtij vendi.
Ajo që e bën të veçantë krijimtarinë e Sadik Kasës është jo vetëm aftësia për të kapur me mjeshtëri pamjen e natyrës, dritën dhe harmoninë e ngjyrave, por edhe mënyra se si ai depërton përtej pamjes së jashtme, duke zbuluar emocionin, atmosferën dhe shpirtin e peizazhit. Në telajot e tij nuk sheh vetëm natyrën, por ndien dashurinë e artistit për vendin e vet.
Me një përkushtim shumëvjeçar ndaj pikturës së peizazhit, ai ka ndërtuar një profil të dallueshëm krijues dhe ka lënë një galerei dokumentuese për bukuritë e vendit tonë.
Në këtë 70-vjetor të jetës, të pasur me imazhe shqiptare, të cilat mbartin vlera artistike, estetike, por edhe promovuese, ekspozita e tij është një dëshmi e bukur e një udhëtimi të gjatë krijues, e një jete të lidhur ngushtë me artin dhe e një pasioni që nuk njeh moshë.
I shpreh Sadik Kasës vlerësimet dhe urimet më të përzemërta për këtë ekspozitë dinjitoze, për gjithë krijimtarinë e tij dhe për kontributin që i ka dhënë pikturës shqiptare.
Uroj që peneli yt të vazhdojë të na sjellë edhe për shumë vite Shqipërinë dhe gjithë botën shqiptare në gjithë bukurinë, ngjyrat dhe madhështinë e saj!
Ka artistë që pikturojnë peizazhe, por ka edhe artistë që, përmes peizazheve, pikturojnë dashurinë për Atdheun.
Dhe Sadik Kasa është njëri prej tyre!


























