
“Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë”
“Nostradamus” rikthehet dhe gjen strehë në galeri “GOCAT”, por jo si një Déjà Vu.

Nga Gazmend Leka

“Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë”
Këtë të vërtetë të madhe e ka thënë Herakliti.
Në një farë mënyre, mua kjo më ndihmoi të gjeja një “alibi” për riprezantimin e disa prej veprave të mia, të ekspozuara vite të shkuara.

Po e quaj alibi, pasi është hera e parë që pranoj t’i rikthehem një ekspozite personale, veprat e se cilës i kam nxjerrë dikur në dritë. I kam lënë ta jetojnë kohën e tyre me publikun e që më pas i kam konsideruar si një kapitull të mbyllur. Kur e arkivova, mendova se e kisha kyçur edhe mundësinë e rishfaqjes. Ekspozita ka kohën e vet, fillimin, fundin e më pas heshtjen.
Mua më duhej të shihja përpara, drejt një kërkimi tjetër, drejt një ekspozite të re.

Miqtë e mij, A.Isufi dhe A.Kapo, në këtë rast kuratorët e kësaj ngjarje, më kërkuan ta hapja përsëri atë kapitull. Më kërkuan të pastroja pluhurin e veprave dhe t’i bëja të prezantueshme edhe njëherë për publikun. Fillimisht nuk e përjetova mirë. Mu duk sikur po më kërkohej të kthehesha pas, ndërkohë, që unë kam ende energji për të ndërtuar ekspozitë me vepra të reja. Kam gjithmonë një lloj padurimi për atë që nuk është bërë ende, për atë që me shfaqet si mirazh dhe kjo ma bënte kthimin pas paksa të dyshimtë.

Veprat, fizikisht janë po ato. Nuk kanë ndryshuar. Ka ndryshuar koha që ka kaluar mbi to. Ka ndryshuar hapësira ku ato do të shfaqen. Ka ndryshuar publiku. Dhe, mbi të gjitha, kam ndryshuar unë. Ky rivlerësim më erdhi më vonë. Shumë më vonë.
Dalëngadalë, fillova të kuptoj jo vetëm dëshirën e miqve të mi, por edhe arsyen e brendshme për këtë “rishfaqje”. Vepra nuk mbyllet në të njëjtin çast kur mbyllet ekspozita. Ajo vazhdon të qëndrojë diku, në pritje të një kohe tjetër, të një shikimi tjetër, të një marrëdhënieje tjetër. Dhe atëherë, pluhuri nuk mu duk më pluhuri që mbulon për të harruar. Pashe cipën e kohës. Ta pastroja atë, nuk do të thoshte domosdoshmërisht ta ktheja veprën në gjendjen e saj fillestare.

Në rrugën time, nuk kam qëndruar gjithmonë brenda “gardhit” të pikturës dhe vizatimit. Herë pas here kam kërkuar mënyra të tjera marrëdhënie me publikun, me hapësirën, me mungesën dhe me praninë:
…Projektet për dy muze kombëtarë, instalacioni “Flamuri Kombëtar”, dy filmat e animuar, performanca “Prezenca e mungesës”, performanca “Homazh Segal”, instalazioni ”Fjala”, instalacioni “Kuq e Zi – geni i shqiptarëve”, e të tjera, kanë qenë pjesë e këtyre daljeve nga “e zakonshmja”.
Edhe ekspozita “Nostradamus” ishte njëra ndër to.
…
Viti 1999, muaji i shtatë, nga qielli do të vijë një Mbret i Madh i Terrorit; për të ringjallur Mbretin e Madh të Angolmois,
para dhe pas, Marsi do të mbretërojë me fat.
Nostradamus
…
Në vitin 1999 e ekspozova në Galerinë Kombëtare të Arteve. Sot, pas më shumë se dy dekadash, “Nostradamus” rikthehet dhe gjen strehë në galeri “GOCAT, por jo si një Déjà Vu.

Më kujtohet se ahere për një muaj të tërë, njerëzimi mbajti frymën pezull. Muaji i shtatë ishte dhe është Korriku. Ka tridhjetë e një ditë dhe unë bëra tridhjetë e një vepra të mbyllura në tridhjetë e një kuti supermarketi. Një refren i përsëritur tridhjetë e një herë, sikur doja me patjetër që profecia të bëhej realitet. I mbusha ato me një material të zi, të dendur, si llava pas një zjarri, si mbetje e diçkaje që dikur kishte qenë e gjallë. Brenda tyre zhyta objekte, statuja, makina, anije, mikroçipe, vegla muzikore, lodra fëmijësh, një mikrobotë të tërë, si metaforë e botës së madhe. Të zhytur në materialin e zi, në llucë, duken si fosile pas një katastrofe. Çdo kuti kishte si titull një datë korriku. I vendosa në rend dhe krijova kalendarin. Por jo një kalendar që vetëm numëron ditët. Ishte një kalendar në pritje të katastrofës. Çdo datë ishte një shpallje e fundit të botës. Por unë nuk ndala aty. Shpika një datë tjetër, tridhjetë e dy korrikun. Një datë që nuk ekziston, por që jetonte në zemrën time.
Dhe pikërisht aty filloi vepra “Nostradamus”.

Kjo datë e shpikur ishte një çarje në kohë.
Ishte një vend ku kalendari nuk mund të më ndiqte më. Me mbarimin e ditëve, nuk mbaron domosdoshmërisht bota. Mbaron sistemi ynë për ta matur fundin e saj. Nëse tridhjetë e një kutitë mbajnë apokalipsin, e tridhjetë e dyta prezanton familjen.
Bleva në një dyqan suveniresh një porcelan, ku shihet çifti, një qen dhe një çadër.
Njeriu, kafsha dhe sendi, tri nivele që njeriu i quan “botë”. Njeriu, si administrator i gjithçkaje që ka përreth, nuk mund të administrojë kohën e një përmbytjeje që nuk kishte ardhur ende, por që kishte ndodhur në mendjen e njerëzve. Sikurse Noe ndërtoi një Arkë për të shpëtuar nga uji, unë ndërtova idenë e një Arke miniaturë, për të shpëtuar kuptimin e jetës nga fundi tragjik. Njeriu nuk e shpëton botën se e gjithë bota vdes, por shpëton modelin. Shpëton vetëm një qelizë për të rindërtuar trupin.

Apokalipsi kthehet si pritja për apokalipsin. Dhe ndoshta kjo është katastrofa e vërtetë.
Kur njeriu bindet se fundi ka një datë, fillon të jetojë ndryshe. Çdo ditë bëhet provë, çdo qiell shenjë, çdo luftë përmbushje, çdo rastësi paralajmërim.
Profecia nuk ka më nevojë të realizohet. Mjafton të besohet.

Prandaj data e tridhjetë e dytë e prish rregullin. Ajo nuk i bindet profecisë. Nuk i bindet kalendarit. Nuk i bindet muajit. Është një ditë që nuk mund të vijë. Dhe pikërisht sepse nuk mund të vijë, është e vetmja ditë që nuk mund të mbarojë. Jo sepse bota shpëtohet, por sepse bota çlirohet nga detyrimi për të pasur një datë për fundin e saj. Është Arka e shpëtimit, përballë tridhjetë e një kutive të zeza të katastrofës. Një vend ku koha çahet ku për një çast, njeriu mund të dalë përtej saj. Të shpetojë.

Ndoshta Arka nuk na shpëton nga përmbytja. Ndoshta është ajo që na kujton se edhe kur bota mbaron në imagjinatën tonë, dikush duhet të ruajë një çift, një qen dhe një çadër. Sepse për të rindërtuar botën, nuk duhet të shpëtosh gjithçka. Duhet të ruash vetëm idenë se bota mund të rifillojë.
Çifti, bota e njerëzve, Qeni, bota e kafshëve dhe Çadra, bota e sendeve, mjafton për të pretenduar se bota është ende e gjitha aty.



















