
Në muzeun e Monarkisë të Artan Lames
NJË UDHËTIM NË HISTORINË E MONARKISË

Nga Fatmir Toçi
Sot pata kënaqësinë të vizitoj ekspozitën – muzè kushtuar periudhës së Monarkisë në Shqipëri, një hapësirë e veçantë historike dhe muzeale, e ideuar dhe e ndërtuar me pasion e përkushtimin prej koleksionisti nga i ndjeri Artan Lame, miku dhe fqinji im prej njëçerek shekulli. Ishte tema kryesore në bisedat tona me Artanit, ashtu si dhe për botimet e tij studimore dhe albumet që i kemi botuar për periudhën e Monarkisë Shqiptare, jo dhe aq e trajtuar në botimet shqiptare…

Përmes një koleksioni të pasur veshjesh, uniformash, medaljesh, dekoratash dhe objektesh të tjera me karakter ushtarak e historik, kjo ekspozitë të ofron mundësinë të udhëtosh në një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Çdo objekt duket sikur mbart një histori më vete, një dëshmi të kohës, të njerëzve dhe të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë historike. Aty historia nuk rrëfehet vetëm përmes dokumenteve dhe fotografive, por bëhet e prekshme, merr formë dhe të vendos përballë një të kaluare që meriton të njihet e të studiohet.
Nuk mund të mos ndalesh me respekt te puna e jashtëzakonshme e Artan Lames, i cili, përtej pasionit të tij të njohur si studiues dhe koleksionist, na ka lënë një trashëgimi me vlera të veçanta dokumentuese dhe muzeale.

Ai nuk arriti ta shohë të realizuar punën e tij pasionante, të cilës i kushtoi jetën; por ishte familja e tij, bashkëshortja Mirela dhe e bija, Lisia, tërësisht e përkushtuar në gjurmët e të atit, që e çuan deri në fund amanetin e Artanit.

Për t’u evidentuar dhe përgëzuar edhe puna e kuratorit të kësaj ekspozite të çmuar, z. Bajram Peçi, me të cilin na lidhin edhe rrënjët e përbashkëta të origjines në Lumin e Vlorës.

Një kontribut që meriton të vlerësohet, të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm, sepse një komb që ruan objektet dhe dëshmitë e së kaluarës, ruan edhe kujtesën e identitetin e vet historik.
Një vizitë që të lë mbresa dhe të bën të reflektosh, por që sjell të freskët kujtimin e Artan Lames, si një njeri që e ktheu pasionin për historinë në një trashëgimi të prekshme për të gjithë.



























