Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore


Nga Ph.D. OLTSEN GRIPSHI
Kurator i ekspozitës

Caritas-i Shqiptar është një institucion i themeluar nga Konferenca Ipeshkvnore Katolike Shqiptare, që ka si fokus kryesor varfërinë dhe drejtësinë sociale në Shqipëri.

Caritas-i Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cenueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara.

Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas-it Kombëtar: Caritas-i Tiranë-Durrës, Caritas-i Shkodër-Pult, Caritas-i Sapa, Caritas-i Lezha, Caritas-i Rrëshen dhe Caritas-i Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë.

BRENDA RRETHIMIT TË MISHTË

Në të mprehtë të dy realiteteve
Në të lulëzuar të dritës,
Në perëndim të natës
Në të kapërcyer të frikës

Brenda ngjyrë vjollcë
Jashtë ngjyrë mjaltë të praruar,
Lëngëzohet koha
Brenda rrethimit të mishtë pjalmohen ditët dhe natyra

Në një pikë mes dy botëve
Mbetur varur mbi rrethimin e mekur,
Brenda thërret ndërgjegjja
Jashtë oshtin heshtja,

Hijeve të mia letargjike në pritje i shpërbërë
Erë kundëmuese ilaçesh që vetë hijen mbajnë gjallë,
I ndarë në dysh nga rrethimi i mishtë
Tashmë u mësova, nuk dua të dal më në dritë

Brenda meje bie shi i rrëmbyeshëm, vetëtimat shkrepin flakë
Jashtë kundërmon aromë lulesh limoni, portokalli dhe lilakë,
E shkuara vërtitet mureve të rrudhura të mendjes sime
Përtej rrethimit të mishtë lejlekët folezën ngrenë mbi krye të ekzistencës time.

Kjo ekspozitë është një ndër të vërtetat e shoqërisë shqiptare. Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore, duke na bërë të reflektojmë mbi vlerën e jetës dhe të të jetuarit të saj. Punimet e realizuara me teknika të ndryshme artistike, nga pirografie e deri tek prodhimet artizanale na udhëheqin drejt një përmase, ku gjithkush gjen veten të materializuar në çdo punim artistik.

Jemi përballë një realiteti, ku duket se koha është ndalur së ecuri; ku dielli duket sikur nuk ka më atë shkëlqimin e dikurshëm; ku nënvetëdija tashmë i ka lënë vend vetëdijes për të perceptuar e për të parë të vërtetën në sy. Një e vërtetë e shenjuar nga gjurma njerëzore, fenomenologjia e së tashmes shqiptare që mbartet nga fenomene të ndryshme të shoqërisë në të cilën të gjithë ne jemi pjesë.
Ekspozita shfaqet si një triumf mbi përvojën e një jete të jetuar, kryqëzimeve të fateve dhe të të parit përtej errësirës, ku shpeshherë vetë jeta na vendos në sprovë. Veprat e ekspozuara shfaqin subjekte të thjeshta në dukje, por shumë të thella për nga përmbajtja simbolike, sepse nën petkun e tyre fshihen lotët e pendesës së një nëne për bijtë e saj, që e presin jashtë nën mburojën e kaltërsisë së qiellit pa kufij. Të një djaloshi, apo vajze që rastësia i takoi me pabesinë e fatit të tyre, apo të shumë grave të tjera, jeta e të cilave nuk njohu asnjëherë shkëlqimin e asaj çfarë në të vërtetë një GRUA përfaqëson, për vetë ekzistencën e vijueshmërisë së jetës. Gra të dhunuara, të poshtëruara e të braktisura udhëve të zbrazëta të meshkujve, të cilët harrojnë se dora e vënë mbi një grua, është dora e vënë mbi burimin e jetës.

Ekspozita e fton publikun të prekë nga afër dhimbjen dhe përjetimet e këtyre individëve, gjë, e cila mishërohet në imazhin e duarve të shtrënguara fort me rruzaren e Kryqit të Shenjtë mes tyre. Një simbolikë kuptimplotë që i mbush ata plot shpresë për të tashmen e ngujuar dhe të ardhmen e paqartë.
Caritas-i Shqiptar është një dorë e zgjatur pa kushte karshi kujtdo nevojtari që gjendet në udhëkryq, duke mbushur zbrazëtinë njëngjyrëshe të monotonisë pas hekurave të cilitdo, me ngjyrat e jetës që ndodhen jashtë tyre. Askush nuk është i mbrojtur përballë gabimeve, apo asaj që jeta ka rezervuar. Gjithkush në një çast dobësie bie preh e grackës së pabesisë së fatit, por ne si shoqëri do të duhet të dijmë se bashkë mund t’ia dalim dhe këtë mision e mishëron më së miri, largëpamësia e Caritas-it Shqiptar. Kjo, sepse mbështetja ndaj të pamundërve është shkalla sipërore e të bashkëjetuarit në komunitet, duke bashkëndarë jo vetëm gëzime, por mbi të gjitha momente të vështira, përballë secilës, e ardhmja ngjason me fundin e një tuneli pa rrugëdalje.

Mbështetje e shpërfaqur dita-ditës me përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në qendrat ditore, aty, ku ata gjejnë një strehëz për të zbutur sadopak situatën e veshtirë sociale dhe ekonomike, e cila ndikon për rrjedhojë në shkollimin dhe formimin e tyre, që më pas u mundëson atyre integrimin me dinjitet në shoqëri. Caritas-i Shqiptar ka bërë që këta fëmijë dhe të rinjë të gjejnë vetveten, duke iu mundësuar atyre të gjitha gjërat e nevojshme për të rritur vetëvleresimin, të edukohen, të njohin veten dhe talentet që mbartin brenda vetes. Një proces gjithëformues për integrimin e këtij target grupi në nevojë, jo vetëm si pjesë e një shoqërie të shëndoshë plot vlera, por mbi të gjitha duke i paraprirë pasojave të rënda që mos shkollimi dikton udhën e ardhshme të jetëve të tyre. Udhë të cilat i shpien ato drejt dhunës, përdorimit të lëndëve narkotike dhe përvetësimit të veseve të çfarëdolloj natyre e për rrjedhojë në përplasje me ligjin dhe pasojat e tij.

Në këtë këndvështrim, arti ka luajtur një rol thelbësor, aq sa nëpërmjet tij ata kanë arritur të shëmbëllejnë botën ku jetojnë me ndjesinë e përjashtimit dhe veçimin që varfëria krijon me pjesën tjetër të shoqërisë, duke i strukur këta fëmijë dhe të rinj brenda guaskës së ëndrrës për një jetë më të mirë.

Ekspozita ka pjesë të botës se fëmijëve dhe të rinjëve në kushte të vështira por me një botë pafund perjetimesh, emocionesh dhe ëndrrash. Çdo fëmijë nëpërmjet artit ndërton botën ashtu thjeshtë në mënyrën e vet. Arti i tyre kalon problemet, vështirësitë dhe krijon një dritë se e nesermja do jetë më e mirë.
Ekspozita është e ndërtuar në mënyrë të atillë, ku çdo vepër e realizuar nga personat që gjenden në institucionet e vuajtjes së dënimit IEVP “Ali Demi” dhe IM Kavajë, shpreh dhe përcjell tek publiku përjetimin e gjithkujt brenda këtyre dy institucioneve. Veprat e ftojnë publikun të udhëtojë nëpër “shtigjet” e ndjesive, botëkuptimeve, qasjeve dhe emocioneve që këta persona në konflikt me ligjin, kanë përjetuar përgjatë procesit krijues të punimeve artistike të tyre.

Arti pamor mbart një magji në vetvete, aq sa kontakti me të, të përfshin dhe të nxit imagjinatën që atë çfarë këta persona nuk mund ta shprehin me fjalë, por mund ta rrëfejnë përmes imazhit. Një mënyrë kjo, e cila ngre brenda secilit prej tyre një dialog të heshtur, për të reflektuar mbi të kaluarën, për të njohur më mirë veten dhe aftësitë që ata zotërojnë, duke i vendosur më pas në shërbim të jetës, pas daljes nga një izolim i përkohshëm rehabilitimi, situate të vështirë, tejkalimit të problemeve vetjake e familjare.

Ndaj ekspozita rrok disa përmasa të këtyre personave, atë, të së tashmes gri dhe të dëshirës për të jetuar e për më tepër, për ta parë jetën dhe vlerën e saj me sytë e ndërgjegjes.

Arti ka fuqinë të na tregojë botën e këtyre personave plot ngjyra, ide, përmasa që shoqëria nuk i ka parë në përditshmërinë e zhurshme. Këta persona shpeshherë në përditshmërinë e tyre janë ndjerë të pashpresë, pazë, të padëgjuar, pamundësi. Arti i ka bërë ata të komunikojnë me veten, me mua, me ty me të gjithë ne.

Lexo më shumë nga

Ekspozitë “In memoriam” për piktorin Nexhmedin Musaj

Në Galerinë e Artit "Eduard Lear" në Berat u hap ekspozita në nderim të piktorit të shquar beratas.

Sadik Kaceli, peneli i artë!

"Artist i Merituar" , "Artist i Popullit", "Nderi i Kombit". Një piktor që modernizoi shkollën shqiptare të arteve.

Sadik Kaceli, peneli i artë!

"Artist i Merituar" , "Artist i Popullit", "Nderi i Kombit". Një piktor që modernizoi shkollën shqiptare të arteve.

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit