“Mbrëmje” e Agron Bregut

Vepra “Mbrëmje” (viti 1989) ndodhet në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve.


Nga Prof. Asc. Dr. Ermir Hoxha

Në fund të viteve ’80, në muret e Galerisë Kombëtare të Arteve u shfaq, pa bujë, tabloja “Mbrëmje” (1989) e Agron Bregut. Në një shikim të parë, ajo nuk dukej se kishte pretendime të mëdha. E realizuar në një tonalitet gri të pazakontë për kohën, larg koloritit optimist të realizmit socialist, vepra paraqet një ambient të zakonshëm shtëpiak: një kuzhinë qytetare si shumë të tjera të atyre viteve.

Por përtej kësaj pamjeje të përditshme, tabloja artikulon një imazh të ri, krejt ndryshe nga skemat entuziaste dhe euforike të dekadave të mëparshme. Për ta kuptuar risinë e saj, mjafton të ndalemi tek hapësira dhe personazhet. Bregu prezanton një familje tipike e kohës, dy prindër dhe tre fëmijë, të mbledhur rreth tavolinës së kuzhinës, ku qendërzon mbulesa me kuadrate bardhë e zi (si një fushë shahu), metaforë e heshtur e një “fushëbeteje” të ngrirë.
Rreth saj, si lojtarë të një sfide të pashpallur, por me rezultat të paracaktuar, qëndrojnë anëtarët e familjes. Aty askush as nuk lëviz e as nuk flet, pasi secili është i mbyllur në vetminë e vet. Babai, i vendosur në skaj të kompozimit, është një figurë njëkohësisht brenda dhe jashtë ngjarjes. I përqëndruar, përkulur mbi një libër, ai duket më i lidhur me të shkuarën sesa me të ardhmen, i pafuqishëm për të ndikuar mbi fatin e familjes së vet. Në anën tjetër të tavolinës, nëna, me fytyrë të zbardhur dhe shikim të shuar, mishëron lodhjen dhe boshllëkun shpirtëror, ndërsa distanca fizike mes tyre thekson edhe largësinë emocionale.

Në këndet e tjera vendosen fëmijët. Dy adoleshentët, secili i zhytur në botën e vet, shmangin çdo kontakt: djali sheh drejt një pike të papërcaktuar në murin e hirtë, ndërsa vajza është e përqendruar në lexim, as do të flasë, as ti flitet. Vetëm më i vogli, me shikimin e drejtuar nga publiku, krijon një thyerje të lehtë të izolimit kolektiv, me gjasa e vetmja ftesë naive për komunikim.

Hapësira e dhomës, e zbrazët nga prania e orendive, ndriçohet zbehtë vetëm nga një llambë e çka ripërkufizon heshtjen si triumfatorja e vërtetë të skenës. I vetmi element që thyen boshllëkun e murit të zbrazët është imazhi i varur mbi të, i cili ripërsërit, në mënyrë enigmatike, të njëjtën skenë familjare. Motivi i “pikturës brenda pikturës” ka një histori të gjatë në artin perëndimor. Që nga eksperimente si ato të Jan van Eyck me pasqyrën në ‚‘‘Portretin Arnolfini‘‘, tek strukturat komplekse të Diego Velázquez në ‘‘Las Meninas‘‘, apo tek analizat e hapësirës dhe përfaqësimit në veprat e René Magritte, imazhi i dytë ka shërbyer si mekanizëm për të hapur një dimension tjetër të realitetit: një lojë mes brendësisë dhe dimensionit jashtë saj, mes shikuesit dhe të shikuarit, mes realitetit dhe iluzionit. Në këto raste, piktura brenda pikturës zgjeron hapësirën, krijon një shtresëzim narrativ dhe shpesh sugjeron praninë e një bote përtej asaj që paraqitet në plan të parë. Ajo është një dritare e dytë, një hapje drejt një horizonti tjetër perceptimi.

Në tablonë e Bregut, ndodh e kundërta. Imazhi në mur nuk hap një dimension të ri, por riprodhon të njëjtën skenë, duke e mbyllur hapësirën në një qark të mbyllur reflektimi. Në të, nuk kemi zgjerim të realitetit, por thellim të izolimit të tij. Riprojektimi nuk funksionon si perspektivë alternative, por si jehonë e së njëjtës gjendje ekzistenciale. Në vend të një dritareje, kemi një pasqyrim të pafund të së njëjtës heshtje.

Kështu, ndërsa tradita perëndimore e ka përdorur këtë mjet për të problematizuar marrëdhënien mes realitetit dhe përfaqësimit, Bregu e përdor atë për të artikuluar një mbyllje historike: një shoqëri që nuk sheh përtej vetes, por vetëm ripërsërit veten. Imazhi në mur bëhet jo hapje, por vulë. Ai e përforcon dramën e brendshme, duke e kthyer kompozimin në një hapësirë ciklike, ku mungesa e dialogut dhe e perspektivës përkthehet vizualisht në mungesë daljeje.

“Mbrëmje” shfaq me ftohtësi të përmbajtur një dramë ekzistenciale. Nëse do të kërkonim të tjera referenca historike, ato do ti gjenim lehtë tek ‘‘Dhomat e të sëmurit‘‘ të Edward Munch, ku dhoma nuk është thjesht ambient fizik, por hapësirë e ankthit, humbjes dhe kujtesës traumatike. Në sintomi me këtë ofrohet dhe dhoma e Bregut, vetëm se ajo nuk përkufizon tragjedinë e një familje, por atë të një shoqëri të rraskapitur, të zhveshur nga iluzioni dhe nga energjia e dikurshme ideologjike. Pa retorikë, pa deklarim të drejtpërdrejtë, vepra ekspozon atë realitet të heshtur që për vite kishte munguar në hapësirën publike. Në këtë kuptim, ajo përmbys jo vetëm narrativën optimiste të realizmit socialist, por edhe vetë funksionin e artit si instrument ideologjik, duke e rikthyer atë në një hapësirë reflektimi sa intim, aq dhe kritik.

—————-
Shkurt, 2026

“Mbrëmje” e Agron Bregut

Vepra “Mbrëmje” (viti 1989) ndodhet në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.