
“Male, re dhe plisa të bardhë”
Në kullën e Kalasë së Gjirokastrës, u çel ekspozita “Male, Re dhe Plisa të Bardhë” e prof. Bashkim Ahmeti Izano.

Nga Artan Shabani

Më 18 maj 2026, në kullën e Kalasë së Gjirokastrës, u çel ekspozita “Male, Re dhe Plisa të Bardhë” e prof. Bashkim Ahmeti Izano.

Prof. Izano cilësohet si një nga figurat më të rëndësishme të pikturës bashkëkohore shqiptare. Pas viteve ’90, u përfshi në një cikël veprash me karakter kombëtar; në periudhën pas izolimit dhe censurës kulturore, piktura e tij shfaqet me një oksigjenim të fuqishëm estetik dhe kulturor, duke artikuluar një përkatësi të dukshme në kompozime, figurën njerëzore, peizazhin, përrallën dhe karakterin tipik shqiptar.

Bashkim Ahmeti është një personalitet i artit bashkëkohor shqiptar, kultura dhe talenti i të cilit e radhit ndër emrat kryesorë të artit pamor modern shqiptar të shekullit XXI.

Bashkim Ahmeti është i ndjeshëm ndaj historisë, letërsisë dhe kulturës së vendit të tij, Shqipërisë. Në veprat e tij, u frymëzua nga shkrimtari Ismail Kadare dhe mendimtarët kombëtarë, për të shprehur në artin e tij thelbin shpirtëror të shqiptarëve dhe bukurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë. Në tablotë e artistit, gjejmë figurativisht historinë e Shqipërisë: legjendat e këngët e vjetra, luftëtarët shqiptarë, barinjtë; prijësin Skënderbe; bregdetin Jon, Gjirokastrën dhe ngjarjet “fantastike” të qytetit. Shpesh, në peizazhet që u kushton bregdetit Jon dhe maleve të Jugut, ndihet “aroma” e bimëve të maleve të thepisura, bukuria e tyre tronditëse.
Në këtë ekspozitë, Bashkim Ahmeti Izano përdor hapësirën si mundësi për të ndërtuar një trup veprash të paparë më parë, duke krijuar lidhje dhe interpretime të reja. Punimet e tij përcjellin emocione të forta dhe zgjidhje kompozicionale elegante, ku kujtesa, miti dhe peizazhi bashkëjetojnë në një marrëdhënie organike.
Malet e Jugut, për artistin, nuk janë thjesht interpretim i natyrës. Ato depërtojnë në jehonën e kujtesës historike dhe marrin një përmasë, pothuaj, metafizike. Në pikturat e Izanos, mali shfaqet si figurë me ndjenjë shpirtërore, si një trup që ruan kohën, kujtesën dhe identitetin. Brenda hapësirës së kalasë, këto vepra krijojnë një rezonancë të natyrshme me vendin dhe historinë e tij.
Vendndodhja në kalanë e Gjirokastrës, arkitektura dhe vetë konteksti i ekspozitës bëhen pjesë përbërëse e procesit krijues. Artisti zgjeron fjalorin e tij të pasur figurativ duke u mbështetur herë në burime të prekshme — si legjendat, përrallat dhe territori — e herë në rrjedhime të padukshme që burojnë nga kujtesa vetjake dhe përfytyrimi.
Veprat e paraqitura në muzeun e qytetit të lindjes janë kryer gjatë dhjetëvjeçarit të fundit si pjesë e ciklit fantastik. Në këtë ekspozitë instaluese, Izano i jep formë një dialogu që nisi pothuajse pesëdhjetë vite më parë, kur ai krijonte për herë të parë kompozimet me valltarët e Malit të Gjerë.
Barinjtë e Labërisë, motiv i përsëritur në shumë prej veprave të tij, përbëjnë një nga çelësat ikonografikë të ekspozitës. Përmes tyre, artisti rikthehet vazhdimisht te fillesat, kujtesa dhe struktura shpirtërore e botës së tij piktorike.
Nga studioja e tij e largët, Izano ngre pyetje mbi trashëgiminë e shijes dhe mbi vazhdimësinë kulturore. Këto kompozime dhe peizazhe nuk mbeten vetëm referenca biografike të kujtesës, por shndërrohen në mundësi për të reflektuar mbi vetë bazamentin e pikturës së tij.
Në pikturat e Izanos, ndiejmë një afërsi të natyrshme me ADN-në tonë kulturore: me portretet e të dashurve, me hijet e atyre që nuk janë më, me kujtesën e përbashkët që vazhdon të jetojë përmes figurës dhe peizazhit. Kjo estetikë lind nga një polifoni e njohur, ku artisti ruan konstruktin e fillesës dhe atë që mund të quhet bazamenti shpirtëror i veprës së tij.
Themelet janë fillimet tona — të rrënjosura në tokë — dhe pikërisht aty nis ndërtimi i trashëgimisë.























