
Ekspozita në “Marubi”, një dekadë krijimtari dhe dialog me trashëgiminë fotografike
Ekspozita “Marubi: Atelieja e Edukimit”, e kuruar nga Tereza Çuni dhe Jozefina Vokrri, sjell në Muzeun Kombëtar të Fotografisë, një dekadë krijimtari, eksperimentimi dhe edukimi përmes artit.

Ekspozita “Marubi: Atelieja e Edukimit”, e kuruar nga Tereza Çuni dhe Jozefina Vokrri, sjell në Muzeun Kombëtar të Fotografisë, një dekadë krijimtari, eksperimentimi dhe edukimi përmes artit.
Ekspozita, e hapur në Muzeun “Marubi”, prezanton një përzgjedhje nga puna e zhvilluar gjatë dhjetë viteve në Atelienë e Edukimit të muzeut, duke sjellë për publikun një arkiv të pasur krijimtarie të realizuar nga fëmijët.
Punimet ndërthurin mediume, teknika dhe mënyra të ndryshme të shprehjes artistike, duke krijuar një fjalor vizual të ndërtuar përmes syrit, përvojës dhe imagjinatës së fëmijëve. Në qendër të ekspozitës është procesi krijues, ku puna me dorë, kërkimi dhe koha e ngadaltë e krijimit i japin hapësirë imagjinatës dhe eksperimentimit.
Fotografia dhe arkivi i “Marubit” kanë shërbyer gjatë këtyre viteve si pikënisje për njohje, interpretim dhe krijim. Përmes tyre, fëmijët janë ftuar të eksplorojnë imazhin, kujtesën dhe trashëgiminë fotografike, duke ndërtuar forma të reja komunikimi me historinë dhe të shkuarën.
Ekspozita dëshmon gjithashtu rëndësinë e edukimit kulturor dhe të rolit që institucionet muzeore mund të luajnë në formimin e brezave të rinj. Punët e ekspozuara pasqyrojnë jo vetëm rezultatet artistike, por edhe një proces të gjatë të të mësuarit, kërkimit dhe zhvillimit të mendimit krijues e kritik.
Ekspozita u prezantua edhe falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Burimi ATSH



















