“Portreti i një Gruaje të Re” nga Petrus Christus, “Mona Lisa” e Rilindjes së Hershme Veriore

Petrus Christus (1410–1476), dishepull dhe trashëgimtar artistik i Jan van Eyck


Nga Albert Vataj

Janë gjashtë shekuj në mes, dhe ende ajo ka diçka të thotë. Përmes vështrimit të saj të xhamtë rreket të përçojë një shpirt që i ofrohet ndijimit dhe përjetimit. Ajo është një bukuri e lëmuar, dhe është kjo delikatesë e linjës së dritës që e reflekton hirin e kësaj gruaje në ngasjen e bukurisë së modernitetit.
Një nga portretet më magjepsëse dhe të rrëqethshme të artit të hershëm holandez, dhe ndoshta i tërë Kuatrocentos, është ky portretizim i pazakontë i gjallë i një gruaje të re nga mjeshtri i pakapshëm, Petrus Christus. Kjo pikturë nuk është thjesht një figurë; ajo është ndjesi, është frymë dhe heshtje e ngurtëzuar mbi telajo.

Historiani i artit Joel Upton e ka përshkruar si “një perlë të lëmuar, pothuajse opaleshente, e shtrirë mbi një jastëk kadifeje të zezë”. E pikturuar rreth vitit 1470, kjo vepër konsiderohet gjerësisht si një nga kryeveprat absolute të portretit në artin e Rilindjes Veriore.


“Portreti i një Gruaje të Re” nga Petrus Christus, “Mona Lisa” e Rilindjes së Hershme Veriore

Gruaja e re e paraqitur është e brishtë dhe e fortë njëkohësisht, me një shikim që nuk flet, por as hesht. Sytë e saj nuk janë plotësisht të sinkronizuar, duke krijuar një tension të lehtë emocional, një enigmë të thellë dhe sfiduese. Shprehja e saj është e ndërlikuar: rezervë, vigjilencë, ndoshta edhe një dozë ironie e heshtur.

Petrus Christus (1410–1476), dishepull dhe trashëgimtar artistik i Jan van Eyck, shfaq këtu jo vetëm zotërimin e teknologjisë së pikturës me vaj dhe precizionin flamand, por edhe guximin për risi. Ndryshe nga pararendësit që përdornin sfond të sheshtë dhe të zi, ai e vendos subjektin e tij në një hapësirë arkitekturore, duke i dhënë portretit thellësi, atmosferë dhe realitet.

Vepra e tij në “Portretin e një Gruaje të Re” është ndërthurje e mjeshtërimit teknik dhe delikatesë estetike. Prekja e dritës mbi faqen e saj të zbehtë krijon ndjesinë e një skulpture të gjallë prej alabastre. Hijezimi poshtë mjekrës tregon një përpjekje për ndërtimin tredimensional të figurës, duke e vendosur në një raport të ri me hapësirën dhe shikuesin.

Kapelja e saj, hennin, është jo vetëm aksesor mode, por simbol i statusit, finesës dhe standardeve estetike të kohës. Veshja, e thjeshtë, por e sofistikuar, me konture të bardha dhe vija blu të kadifejta, thekson qafën e zbuluar, një fushë e ekspozuar e pastërti dhe virtyti. Varëset qafore të shumëfishta shtojnë kontrastin dhe krijojnë një muzikë vizuale që zbukuron heshtjen.

Zonja e re nuk “lundron” në ajrin e zi si personazhet e Van Eyck, por është “e ankoruar” në një botë reale, tre-dimensionale, ku ndodhin ndjesitë. Ajo nuk i drejtohet shikuesit si një figurë, por si një pranësi. Ky zhvillim stilistik shënon një hap të madh në historinë e portretit dhe ndikoi ndjeshëm mbi artistët pasardhës.

Spekulimet mbi identitetin e saj lidhen me aristokracinë angleze, ndoshta me familjen Talbot, por këtu, ajo që ka rëndësi është jo emri, por ndjenja. Ajo mbetet ikonë e heshtjes së bukur, e finesës që nuk thërret, por frymën e ndalon.

Ky portret është si një poezi pa vargje. Ai nuk ka nevojë të flasë me tone të larta, por me frymëmarrje të ulëta. Është vepër që jo vetëm qëndron në kohë, por edhe e tejkalon atë. Është një ftesë për të ndaluar, për të shikuar, dhe për të ndier bukurinë si qenie e gjallë që na vëzhgon nga thellësitë e heshtjes dhe e kohës.

Marrë nga portali AlbertVataj.com

MË SHUMË LAJME

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Nga Ylli Drishti Historian dhe kurator arti Botimi “Eposi në artet pamore shqiptare”, i studiueses Suzana Varvarica Kuka, përbën një…

“Eposi në artet pamore” nga Suzana Varvarica Kuka

Nga Prof. Gazmend Leka Me sa njohuri kam, studime të plota mbi ilustrimin dhe ilustratorët e “Eposit Shqiptar” janë thuajse…

Etnosi dhe ndërtimi i imazhit kombëtar në artin shqiptar të shekullit XX

Nga Prof. Asc. Dr. Ermir Hoxha Nëse shekulli XIX shqiptar ishte shekulli i zgjimit dhe i formulimit politik të identitetit…

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Komisioni i Përhershëm i Arteve dhe Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuan promovimin…

Fond Kombëtar për blerjen e veprave të artit!

Një pjesë e parave që institucionet publike kursejnë nga tenderët mund të përdoret për blerjen e pikturave, veprave të artit,…

“Aleksandër Moisiu”, një krijim i guximshëm!

Nga Ivo Moja Kemi dëgjuar shpesh debate dhe kritika rreth veprës skulpturore kushtuar ikonës sonë të skenës botërore, Aleksandër Moisiut,…

Dita Ndërkombëtare e Artistëve

Çdo vit, më 25 tetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Artistëve, një ditë kushtuar krijimtarisë, imagjinatës dhe talentit të artistëve në…

“Korça e kohës sime”

Galeria e Artit “Guri Madhi” në Korçë mirëpriti ekspozitën personale të piktorit Agron Shahinas. Një takim piktotik kushtuar qytetit, kujtimeve…

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Një studim nga Suzana Varvarica Kuka, mbi ndërthurjen e trashëgimisë gojore me artet pamore shqiptare

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.