
Ekspozita “Nëntori 28” në Galerinë FAB
Në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) vijon të presë vizitorë të shumtë ekspozita e përvitshme e Grupimit ‘‘Nëntori‘‘.

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) vijon të presë vizitorë të shumtë ekspozita e përvitshme e Grupimit ‘‘Nëntori‘‘.
Ky është edicioni i 28-të i ekspozimeve të këtij grupimi artistësh. Themeluar në vitin 1998, në një kohë kur mediumet e reja ekstrapiktorike si instalacioni, video dhe performanca po e shtynin mediumin e pikturës drejt një pozioni dytësor, grupi themelues përbërë nga Llambi Blido, Besim Tula dhe Stefan Taçi bashkë me një numër të madh personalitetesh të pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek XX si Sadik Kaceli, Vilson Kilica, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Ksenofon Dilo, Isuf Sulovari, Agim Zajmi, Zef Shoshi, Niko Progri, etj. nisën realizimin e saj si një manifestim me qëllimin e vetëm, promovimin e mediumit të pikturës në vlerat e saj më të mira.
Prej fundviteve 2000 grupimi do të pasurohej dhe me autorë të tjerë të rëndësishëm, të rinj e më pak të rinj si Gazmend Leka, Anasatas Konstandini, Vangjo Vasili, Pëllumb Bylyku, Eniela Veveçka, Shpëtim Kërçova, Brikena Bërdo, Mikel Temo, Ardit Boriçi, Erion Bardhi, Artan Buca, Armando Boce, Dea Tili, Orlis Vathi, Erina Dibra, Denisa Brahimi, Meri File, Fatmir Juka, Nesti Taço, Aurel Nukaj, etj.
Sot diskutimet mes mediumeve duket se janë shuar, ndërsa radhët e grupit janë shtuar me emra të rinj.
FAB thotë se, në këtë edicion të 28-të, Grupimi “Nëntor‘‘, rezulton si me jetëgjati dhe ashtu siç pati qëllim që në krijim, promovuesi i vlerave dhe jetës bashkëkohore nëpërmjet mediumit të pikturës.
Burimi ATSH











