
Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës “Niko Nikolla” themelon Çmimin “Zef Bumçi”
Një vlerësim i ri për një nga figurat themeluese dhe baballarët e karikaturës shqiptare

Nga Flora Nikolla
Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës “Niko Nikolla” themelon Çmimin “Zef Bumçi”
Një vlerësim i ri për një nga figurat themeluese dhe baballarët e karikaturës shqiptare.
Një vendim me rëndësi për kujtesën e karikaturës shqiptare u mor të premten në mbrëmje, gjatë mbledhjes së Jurisë Lokale të Bienales së Katërt Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”, e organizuar në studion e piktorit të mirënjohur Helidon Haliti.
Mes artit, bisedave dhe një atmosfere miqësore, anëtarët e Jurisë Lokale dhe personalitete të artit e kulturës të pranishëm në këtë takim vlerësuan një propozim që lidhet drejtpërdrejt me kujtesën e karikaturës shqiptare: themelimin e Çmimit “Zef Bumçi”.
Propozimi u bë nga Flora Nikolla, ideatore dhe drejtuese e Bienales, dhe u mbështet unanimisht nga të pranishmit, në vlerësim të kontributit të Zef Bumçit në historinë dhe zhvillimin e karikaturës shqiptare.
Zef Bumçi konsiderohet një nga figurat themeluese dhe baballarët e karikaturës shqiptare. Emri i tij lidhet me një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të karikaturës dhe, veçanërisht, me revistën satirike “Hosteni”, një nga institucionet më të rëndësishme të humorit dhe satirës shqiptare.
Pikërisht në nderim të këtij kontributi, Bienalja vendosi që emri i Zef Bumçit të marrë një vend të përhershëm brenda saj përmes një çmimi që do t’u jepet artistëve pjesëmarrës.
Çmimi “Zef Bumçi” do të jetë me vlerë 300 euro dhe mbështetet nga familja.
Për Bienalen “Niko Nikolla”, ky çmim nuk është thjesht një çmim i ri në listën e vlerësimeve. Është një mënyrë për të rikthyer në vëmendje një emër që i përket historisë së karikaturës shqiptare dhe për ta vendosur atë në dialog me krijimtarinë e artistëve të sotëm nga Shqipëria dhe bota.
Në një Bienale që këtë vit mbledh artistë nga rreth 60 vende, kujtesa shqiptare e karikaturës takohet kështu me skenën ndërkombëtare. Emri i Zef Bumçit nuk mbetet vetëm në historinë e “Hostenit” apo në arkivat e kohës, por bëhet pjesë e një aktiviteti bashkëkohor ku karikatura vazhdon të flasë për njeriun, shoqërinë dhe kohën.
Themelimi i këtij çmimi lidhet edhe me vetë frymën e Bienales “Niko Nikolla”: të ndërtojë një urë mes asaj që është krijuar dje dhe asaj që po krijohet sot.
Në këtë kuptim, Zef Bumçi dhe Niko Nikolla takohen në një pikë të përbashkët të historisë së humorit shqiptar. Të dy emra të lidhur me “Hostenin”, me kulturën e humorit dhe me një brez krijuesish që e përdorën satirën dhe karikaturën si një mënyrë për të parë e komentuar shoqërinë.
Mbledhja e së premtes në mbrëmje kishte në qendër përzgjedhjen e veprave të Bienales së Katërt Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”. 740 punime u shqyrtuan nga Juria Lokale dhe 500 prej tyre u përzgjodhën për t’iu dorëzuar Jurisë Qendrore Ndërkombëtare.
Por ajo mbrëmje në studion e Helidon Halitit solli edhe një tjetër vendim: një emër i rëndësishëm i historisë së karikaturës shqiptare do të jetë tashmë pjesë e së ardhmes së saj.
Çmimi “Zef Bumçi”, me mbështetjen e familjes se ketij emrit te madh te karikatures shqitare, bëhet pjesë e Bienales së Katërt Ndërkombëtare të Karikaturës “Niko Nikolla”.















