Josif Papagjoni: Ja pse më pëlqen metafora poetike në pikturë!

“Mes dy botëve”, emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij.


“Mes dy botëve”, emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati në të parin.

I ftuari i parë është Prof. Dr. Josif Papagjoni studiues dhe kritik i teatrit, kinematografisë dhe letërsisë, pedagog, autor librash, i cili e vlerësoi si një emision të shkëlqyer që ai e ndiqte me shumë kënaqësi.

Emisioni u realizua në Galerinë e Artit në Sarandë.

“Në qytetin tim”, thotë Papagjoni, me një shkëlqim sysh ëndërrimtari.

“Eshtë shumë e bukur Saranda”, i përgjigjet Haliti, me buzëqeshjen e tij tipike.

“Saranda është e bukur, e bekuar”, thotë me shumë dashuri dhe nostalgji Papagjoni.

“Saranda ka nevojë për një gjelbërim masiv”, thotë Papagjoni, duke kujtuar edhe një bimë tipike, “bukonvilja”, të cilin e kishte sjellë nga Perandoria Osmane e dikurshme vetë Ismail Qemali, ndërkohë që në portin e dikurshëm të Sarandës si doganier kishte punuar edhe poeti kombëtar, rilindasi Naim Frashëri.

Papagjoni, i cili pëlqente të bëhej mjek, është sarandioti i parë që ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, duke pasur shokë klase midis të tjerëve, aktorët Bujar Lako, Agim Qirjaqi, Ahmet Pasha, Fatos Sela, të cilët janë ndarë nga jeta.

Esteti tregoi edhe disa episode me dijetarin Moikom Zeqo, i cili më parë quhej Molotov dhe kishte marrë pjesë në garat e notit, por edhe me arkitektin Maks Velo, i cili e nxiste të shkruante për problematikat që po krijonin ndërtimet pa kritet në Sarandë.

Papagjoni solli shembuj ilustrimi në lidhje me të bukurën dhe të shëmtuarën, duke marrë edhe si referencë skulpturën e mitologjisë së lashtë greke, Laokontin apo surrealizmin e Salvador Dalisë.

Si pedagog, Papagjonin e larguan në Fushë-Arrëz pas Plenumit të 4-t famëkeq, ku u larguan 22 pedagogë nga Instituti i Lartë i Arteve. Papagjoni përmendi dhe rastin e Ismail Kadaresë që e çuan në Berat.

Ai trajtoi edhe problematikat e sotme që hasin studentët dhe të ardhmen e pasigurt të tyre.

Sipas Halitit, ka një mungesë kritike në artet pamore, duke iu referuar si krahasim edhe shembullit të Greqise, ku ai ka jetuar për rreth 15 vjet.

“Kritika e artit mungon në Shqipëri. E di se çfarë do të thotë kritikë në Greqi, kur ajo donte të të nxiste duke të zhytur dhe donte të nxiste duke të ngritur. Kjo mungon në Shqipëri. Këtu ka një konjukturë”, tha Haliti.

“Këtë mund ta quaj sëmundje, bashkë me të mirat që ka kritika. Kur një artist që sjell diçka dhe ndihet se është diçka tjetër dhe ti nga inati, xhelozitë, mëritë ose klanet dhe të tjerat, e zhyt dhe e kredh atë në fund, ky është një akt kriminal.

Kjo ka të bëjë me vetëdijen estetike të kritikës. Në qoftë se një kritik respekton vetëdijen e tij estetike, ai nuk ka pse ta zhytë në fund të dheut një piktor të mirë, një shkrimtar të mirë, një poezi të bukur, një dramë ose një shfaqje të bukur, se po flas në një rrafsh gjithpërfshirës estetik”, tha Papagjoni

“E kam pasur pasion kritikën. Nuk bëhet kritikë kur në thonjëza “ta pështysh gjellën e tjetrit”, në kuptimin negativist, por duhet ta kritikosh, të thuash diçka kundra dhe nuk është një pozitë e favorshme dhe e bukur.

Kritika dikur ka qenë shumë vetullngrysur, shumë pedante, shume autoritare nga ex-catedra dhe ka pasur një autoritet të jashtëzakonshëm. Pas vitit 1990, sigurisht, është bërë më njerëzore, më civile, është më e zhdërvjellët në stil, është më e shpenguar, më e çlirët”, tha kritiku Papagjoni.

“Ka pasur raste që kam dhënë mësim si pedagog në shtatë universitete të ndryshme, por kontakti me studentët e arteve është krejt ndryshe. Është e domosdoshme të ketë një institucion mirëbesimi pedagog-student”, thotë Papagjoni, i cili për rreth 20 vjet ka dhënë leksione edhe në universitetet kosovare.

Papagjoni është autor i 36 librave për teatrin, dramaturgjinë, letërsinë, ndërsa shkrimin e parë e ka bërë në 1969, 55 vjet më parë në gazetën “Zëri i Popullit”, kur ai ishte 19 vjeç.

“Në dy librat e fundit kam futur shkrime edhe për artet pamore. Më pëqen piktura shumë. Bëj shumë shkrepje të pikturave.

Te libri im, i 37-ti për nga radha, kam futur edhe një gjysmë kapitulli për artet pamore, për piktorë të njohur si Gazmend Leka, Bashkim Ahmeti, Nestor Jonuzin, Skënder Kamberin, Edi Hila, etj.

Më shumë piktura më ngacmon në metaforën e saj. Ndoshta ka të bëjë edhe formimi im si letrar dhe më pëlqen metafora poetike në pikturë. Më pëlqen miti shumë në pikturë. Kur ka kompozim të bukur, të mahnit. Piktura të lë pa gojë. Nuk ke nevojë të flasësh”.

Freitag: Ju tregoj frymëzimin shqiptar në një përvojë perëndimore

Intervistë me piktorin me famë nderkombëtare Gazmend Freitag dhënë për gazetën kombëtare “Nacional”

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.