Filip Vito, “ikona” e fotografisë në Gjirokastër

Për kontributin e tij, Filip Vito është nderuar në vitin 2002, nga Bashkia e Gjirokastrës me çmimin “Andon Zako Çajupi”


Nga Qerim Vrioni


Studiuesi Qerim Vrioni

***

Nuk e teprojmë nëse e quajmë kështu fotografin e njohur dhe të pasionuar të qytetit të gurtë, Filip Viton (1917-2004). Në Gjirokastër fotografia ishte lëvruar edhe mjaft kohë përpara Vitos. Shënojmë këtu emra fotografësh të cilët kanë punuar në këtë qytet nga fillimi i shekullit XX, si Thanas Gravani, Petro Dh. Apeletria, Sami Dalipi, Dine Qadhimi etj. (Piro Naçe—Krijues dhe pasurues të traditës fotografike–Revista “Skena dhe Ekrani”, Nr.1, 1988). Pra, nuk mund të thuhet se ai e solli fotografinë në qytet, por ai i dha asaj vlera të veçanta gjatë kohështrirjes disa dhjetëvjeçare të lëvrimit të saj.


Fotografi Filip Vito

Hapat e para në fushën e fotografisë Filipi Vito i ka hedhur qysh para fillimit të viteve’40. Kjo ka ndodhur në Tiranë, në kohën kur ai punonte si ndihmës pranë mjeshtrave të njohur të aparatit, Jani dhe Vasil Ristani, njëkohësisht edhe kushurinj të tij. Në Studion emërmadhe “Ristani”, Filipi i ri, i vëmendshëm nga natyra, edhe me ndihmën e pakursyer të dy mjeshtrave, nisi shpejt të mësonte të fshehtat e mjeshtërisë së fotografimit. Këtu, ai përveç punëve të laboratorit, filloi të përdorte herë pas here edhe aparatin fotografik për komunitetin, por edhe për ndonjë shkrepje që i jepte kënaqësi vetjake. Kështu, përveç shkrepjes së aparatit, ai nisi edhe të lante filma, madje edhe të stamponte në letër çfarë kishte fotografuar, këto e ngazëllenin mjaft dhe e afronin me këtë mjeshtëri që kishte lidhje me artin. Le të kthehemi pak më herët në histori, po kështu e kanë filluar rrugëtimin në lëmin e fotografisë edhe mjeshtra të tjerë të njohur të fotografisë shqiptare. Ndër ta përmendim : Kel Marubi, Shan Pici, Kolë Maca, Kristo Sotiri, Thimi Raci etj.

Filip Vito mund të konsiderohet edhe si fotoreporter lufte, ngase ka fotografuar nga afër në Luftën e Tiranës (nëntor 1944). Në ditët tona kanë mbërritur shkrepje të tij fotografike që paraqesin skena vetëm pak kohë pas përplasjeve luftarake, pra të pasojave të tyre. Mendohet se një pjesë e madhe e fotove të albumit fotografik me shumë vlera historike “Lufta Nacional-Çlirimtare e Popullit Shqiptar” (Botim i gazetës “Luftëtari”, korrik 1945) i takojnë syrit dhe aparatit të Filip Vitos. Natyrisht, edhe kurajës dhe pasionit të tij të veçantë për fotografinë.

Rreth vitit 1946, Filipi bashkë me të vëllanë e tij, Jorgo, kthehen nga Tirana në Gjirokastër. Aty, menjëherë ata hapën studion fotografike “VITO”. Puna kryesore në këtë atelje, ashtu si thuajse në të gjitha studiot e vendit, ishte fotografimi i bashkësisë, kryesisht të qytetit, por edhe të krahinës, për nostalgji a për dokumenta vetjake. Natyrisht, kuptohet se ai vinte aty me përvojën e vyer që kishte fituar gjatë punës me mjeshtrat e njohur të fotografisë Ristani.

Një vit më pas, më 1947, Filip Vito u angazhua nga administrata shtetërore për fotografimin e shtetasve për letra njoftimi. Për këtë në një intervistë të vitit 2000, mjeshtri thotë se: “Në vitin 1947 kam lëvizur për të bërë foto të pasaportave të njerëzve në rrethet Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe Përmet. U bënë me mijra fotografi, filmat e të cilave i ruaj ende në shtëpi” (Fatos Puto-Filip Vito-mjeshtri që fotografoi historinë–”Gazeta Shqiptare”, 12 nëndor 2000). Këtë punë ai e kreu atëherë me korrektesë shembullore dhe profesionalizëm të lartë. Madje, dy studiues bashkëkohor francezë të fotografisë shqiptare, Anouck Durand dhe Gilles de Rapper, disa vite më parë e kanë analizuar gjatë dhe pozitivisht angazhimin e tij të para rreth 70 viteve në fotografimin shtetasve shqiptarë (Annuario 1/2011, Vjetari shqiptar për studime historike dhe antropologjike). Me vlerë të veçantë mbetet sidomos, ruajtja e filmave të këtyre fotove, gjë që u shfrytëzua profesionalisht edhe nga dy studiuesit e mësipërmë francezë.

Filip Vito, si gjirokastrit i thekur, realizoi edhe mjaftë peizazhe fotografike urbane të qytetit të tij, gjithmonë të pa porositura, pra për kënaqësi. Në to pahtësohet sensi i tij artistik, çka duket në kapjen e imazheve ku ndërthurren edhe forma të ndryshme gjeometrike, si segmente, sipërfaqe, kënde, harqe, që përfaqësojnë rrugë, mure, kthesa rrugicash, çati shtëpish etj. E, në foto bardhë e zi, e me kundërshti të gjetura tonale, ato të mbeten gjatë në kujtesë. Madje, pa e tepruar për shkallën e krahasimit, me “përdorimin e gjeometrisë”, ato na kujtojnë disa peizazhe urbane të fotografit të njohur francez, Henri Cartier-Bresson.

Gjatë punës së tij me popullatën, Filip Vito ka përngrirë në film celuloidi e më pas në letrën fotografike, edhe ngjarje shoqërore e politike ose vizita personalitetesh në Gjirokastër, duke realizuar kështu foto dokumentare. Këto, më pas, si rëndomë, muarrën edhe vlera historike aq të vyera për vërtetuar dhe saktësuar të shkuarën disi të mjegulltë të vendit tonë.

Në vitin 1977, ai doli në pension, por kjo nuk do të thoshte për të shkëputje e plotë nga fotografia, ai vazhdoi të fotografoj, përmirësojë cilësinë e fotove, të përzgjedh e ndaj në lami të ndryshme krijimtarinë e tij, të saktësojë data dhe vende të imazheve fotografike etj. Ishte kjo një punë që i jepte jo vetëm kënaqësi, por që shtonte edhe vlerat e fondit të tij të gjerë fotografik. Mjeshtrinë e fotografimit ai ia përcolli edhe të birit të tij, Viktorit, i cili e lëvron atë me sukses.

Filip Vito ka hapur në Gjirokastër disa ekspozita vetjake fotografie me tematika të ndryshme, të cilat janë vizituar me kërshëri dhe vëmendje nga artdashësit e qytetit. Po ashtu, duhet përmendur se ai ishte Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Gjirokastër, çka flet për nivelin e mirë artistik të punimeve të tij në lëmin e fotografisë. Si antar i Lidhjes, ai ka marrë pjesë me foto në disa ekspozita të arteve pamore të krijuesve gjirokastritë.

Për kontributin e tij, Filip Vito është nderuar në vitin 2002, nga Bashkia e Gjirokastrës me çmimin “Andon Zako Çajupi”. Po ashtu me kontributin e tij për disa dhjetëvjeçarë në fushën e “dhomës së errët”, ai meriton një vend të nderuar në historinë e fotografisë shqiptare.

Freitag: Ju tregoj frymëzimin shqiptar në një përvojë perëndimore

Intervistë me piktorin me famë nderkombëtare Gazmend Freitag dhënë për gazetën kombëtare “Nacional”

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.