
“Familja – Një Lokomotivë e Kujtesës”
Një lexim kritik mbi krijimtarinë e Lindita dhe Artan Markut. Ekspozita e hapur në Galerinë MAG

Nga Helidon Haliti
Piktor, pedagog dhe kurator
37 vite bashkëjetesë, dy skulptorë, dy personalitete të dallueshme artistike dhe, për herë të parë, një ekspozitë e përbashkët, që shënon edhe ekspozitën e parë personale të Linditës.
Ajo që i bën të veçantë është pikërisht mungesa e ngjashmërisë artistike. Edhe pse punojnë me të njëjtën materie, secili ka ruajtur gjuhën, territorin dhe identitetin e vet krijues.
Lindita ndërton një arkiv të ndjeshëm familjar përmes vizatimeve të tri brezave: nënës, vetes dhe së bijës, Amelës. Qeramikat me motive nga Zadrima dhe Mirdita e shndërrojnë traditën në kujtesë kulturore, ndërsa portreti në bronz i Amelës përjetëson lidhjen nënë-bijë.
Në metaforën e trenit udhëtojnë brezat. Artani mungon në dukje, por është makinisti i padukshëm i lokomotivës së kujtesës.
Në relievet nudo të Artanit, trupi bëhet territor kërkimi, ku forma, transparenca dhe kujtesa përplasen me njëra-tjetrën. Një figurë mashkullore të krijon përshtypjen e të atit, si simbol i origjinës.
Familja i bashkon, por arti i dallon!
Sepse të udhëtosh së bashku për 37 vite nuk do të thotë të shohësh me të njëjtët sy!





























