Arben Kristani, jetë që flet me ngjyrat!

Nga Përmeti i kujtimeve, te Durrësi i frymëzimit. Rrugëtimi i një piktori që kërkon të përjetshmen në të bukurën


Nga BUJAR QESJA

Ekspozita e tanishme e piktorit plot sharm, kulturë e vizion Arben Kristani është e 15-ta. Jo pak njerëz e tregojnë botën me fjalë, të tjerë me muzikë, ndërsa disa kanë zgjedhur gjuhë më të heshtur, por jo më pak të fuqishme. Është gjuha e ngjyrave. Nuk kanë nevojë të ngrenë zërin për t’u dëgjuar. U mjafton një telajo, pak bojë, një penel dhe ajo botë e madhe që mbartin brenda vetes.

I tillë shfaqet piktori Arben Kristani, emër që prej vitesh ka fituar vendin e vet në jetën artistike shqiptare dhe në veçanti në mjedisin kulturor të Durrësit. Nuk kam pasur ende rastin ta njoh nga afër, të bisedoj me të në studion e tij, të dëgjoj historitë që fshihen pas tablove. Por ndonjëherë edhe vepra është mënyrë njohjeje. Ajo të çon drejt autorit, të zbulon ndjeshmërinë, karakterin krijues dhe mënyrën se si ai e sheh jetën.

Përmeti vendlindja që nuk largohet nga shpirti

Arben Kristani ka lindur në Përmet, qytetin e bukur të traditave, të këngës, të kulturës dhe të një natyre, që duket sikur është krijuar posaçërisht për t’u pikturuar. Është vendlindje, që nuk mbetet një pikë në dokumentet e identitetit. Bëhet kujtesë, mall, ngjyrë dhe përjetim.

Nuk është rastësi, që peizazhi përmetar zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Kristanit. Vjosa, urat e gurta, malet, gjelbërimi, fshatrat dhe hapësirat e jugut, janë pjesë e një dashurie të vjetër. Në një intervistë Kristani ka treguar, se në rini i kishte mbetur dëshira për t’i hedhur në telajo malet e vendlindjes.

Dhe ja ku e gjejmë artistin, duke u kthyer te burimi i parë i frymëzimit. Njeriu mund të largohet nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet lehtë nga njeriu. Prej vitesh Arbeni jeton në Durrës. Qyteti bregdetar, i ka dhënë tjetër hapësirë jetës dhe veprimtarisë së tij.

Durrësi me historinë mijëravjeçare, me detin, me rrugicat dhe me traditën kulturore, është bërë tjetër pikë takimi mes artistit dhe natyrës.

Pena, peneli dhe botë e tërë krijimtarie

Arben Kristani, nuk është piktor që kufizohet brenda një teme të vetme. Krijimtaria e tij përfshin peizazhin, portretin, natyrën e qetë, kompozimet dhe kërkimet estetike. Punon në teknikën e vajit, akuarelit dhe grafikës, duke provuar forma të ndryshme shprehjeje. Kjo shumëllojshmëri dëshmon natyrë krijuese, që nuk kënaqet me atë që ka arritur. Artisti kërkon, provon, eksperimenton dhe përpiqet të zbulojë mundësi të reja në marrëdhënien me ngjyrën dhe formën.

Në peizazhet ndjehet marrëdhënie e veçantë me natyrën shqiptare. Nuk kemi riprodhim të bukur të asaj që sheh syri. Kemi përpjekjen për të kapur atmosferën, ndjesinë dhe emocionin që të lë një vend.

Në vitin 2020, në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës, Kristani paraqiti 80 tablo dhe 10 bocete në allçi. Një ekspozitë e gjerë, ku krahas akuarelit, vajit dhe akrilikut, shfaqeshin edhe kërkime në materiale e teknika të tjera. Ishte ekspozita e dhjetë personale.

Më shumë se numër ekspozitash, kjo është dëshmi pune këmbëngulëse dhe përkushtimi, që nuk njeh ndërprerje.

Artisti dhe miqtë e tij

Një piktor nuk jeton vetëm në marrëdhënie me telajon. Jeton edhe në marrëdhënie me njerëzit, me kolegët, me miqtë, me ata që ndajnë të njëjtën dashuri për artin.
Në këtë drejtim, Durrësi i ka ofruar Arbenit mjedis të gjallë artistik. Ekspozitat, takimet, debatet konstruktive dhe shkëmbimi i përvojave, janë pjesë e jetës krijuese.

Kristani ka vlerësuar rëndësinë e komunikimit me kolegët, duke theksuar se puna në kolonitë artistike, krijon mundësi për shkëmbim përvojash dhe largim nga izolimi profesional.

Çmon miqësinë me Fatmir Toçin, që organizon koloni të piktorëve. Të afërmin e respektuar Irakli Koçollarin, që e ka mentorin e tij. Janë dy profesionistët e pikturës kombëtare Vath Pervathi dhe Buron Kaceli. E më tej Dashamir Gurabardhin, Marjana Goxhabelliu, Idriz Balani, Qazim Kërtusha, Romir Lukaçi, Emjona Stasi, Muhamed Mahilaj, Çaush Vathi, Aleksandër Lleshi etj.

Shkëmben përvojën dhe çmon miqësinë e sinqertë dhe me kolegun tonë, piktorin dhe gazetarin e njohur Dash Frashëri.

Të gjithë këta, janë pjesë e mjedisit ku arti nuk është vetëm krijim individual, por edhe dialog, miqësi dhe respekt profesional.

Vlerësim të veçantë për të ka shprehur edhe emri i njohur i penës Shpend Topollaj, i cili e njeh nga afër dhe ka shkruar për të me ngrohtësi e admirim. Në portretin e tij, Shpendi ndalet te një cilësi që më duket shumë domethënëse.

– Arbeni është njeri që nuk rri duarkryq. Edhe në takime shoqërore, gjen kohën të shkëputet, të vëzhgojë dhe të kthehet te puna krijuese.

Kjo është dëshmi e bukur për një njeri, që e ka artin jo vetëm profesion, por edhe mënyrë jetese. Këtu qëndron edhe një nga sekretet e tij, miqësia me njerëzit dhe dashuria për punën nuk janë dy gjëra të ndara.

Nga Shqipëria në botë

Arti i Arben Kristanit, nuk është mbyllur brenda kufijve të vendit. Ka marrë pjesë në veprimtari dhe koloni ndërkombëtare piktorësh, duke paraqitur krijimtarinë në Itali, Sllovaki, Hong Kong, Vietnam, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga paraqitjet me rëndësi ishte ekspozita “Ilirikum”, e hapur në Zarë të Kroacisë, në shkurt të vitit 2022. Një ekspozitë, që e vendosi krijimtarinë e tij përballë publikut dhe artistëve të një mjedisi tjetër kulturor.

Mbi pesëmbëdhjetë ekspozita personale dhe pjesëmarrje të shumta kolektive, janë bilanc që flet vetë. Por për një artist, suksesi nuk matet vetëm me numrin e ekspozitave apo me vendet, ku ka udhëtuar vepra e tij. Matet edhe me aftësinë për të ruajtur individualitetin, për të mos humbur identitetin krijues dhe për të pasur gjithmonë diçka të re për të thënë.

Kronosi tjetër dimension i artistit

Më 24 nëntor 2026, Arben Kristani u rikthye para publikut durrsak me ekspozitën e tij personale “Kronosi është ringjallur”, në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”.

Kësaj radhe, përmes një figure të mitologjisë, artisti largohet nga peizazhi i drejtpërdrejtë dhe hyn në hapësirë më filozofike e simbolike.

Kronosi, figura e lidhur me kohën dhe pushtetin, bëhet mënyrë për të reflektuar mbi kontradiktat e shoqërisë bashkëkohore, mbi marrëdhënien e njeriut me drejtimin dhe mbi ciklin e shkatërrimit e të rilindjes.

Kjo zgjedhje është domethënëse. Ajo dëshmon se Arbeni, nuk kërkon vetëm të na tregojë bukurinë e natyrës, por edhe të na nxisë të mendojmë për botën ku jetojmë.

Në hapjen e kësaj ekspozite, shkrimtari Shpendi Topollaj vuri në dukje cilësitë artistike dhe njerëzore të Arben Kristanit. Në komentin kushtuar hapjes së ekspozitës, Topollaj e trajtoi prezantimin e Arben Kristanit para publikut, si dëshmi të pjekurisë dhe individualitetit artistik.

Këtu shfaqet një Arben tjetër, jo vetëm piktori i maleve, lumenjve dhe peizazheve të bukura, por edhe artisti që kërkon të depërtojë në kuptimet e thella të historisë dhe të kohës.

Një artist që nuk e lë penelin të pushojë

Nga gjërat më të bukura që mund të thuhet për një artist, është se ai nuk e ka humbur dëshirën për të krijuar. Mosha, përvoja dhe ekspozitat e realizuara, janë tregues që godasin strehën e vetëkënaqësisë. Janë arsye për të kërkuar më shumë.

Arben Kristani në këtë rrugëtim, duket se e ka ruajtur pikërisht këtë energji. Ai udhëton, vëzhgon, pikturon dhe kthehet përsëri te telajoja. Ka lidhje të fortë me natyrën, por nuk i shmanget as temave që kërkojnë reflektim e mendim.Për të, piktura është mënyrë për të mbajtur gjallë, atë që koha mund ta largojë nga sytë tanë. Dhe kjo është meritë e veçantë.

Kur ngjyrat bëhen kujtesë

 

Nuk e di se çfarë muzike dëgjon Arben Kristani, cilat libra e shoqërojnë në orët e qeta, çfarë bisedash preferon me miqtë, apo cilat janë emocionet që e lidhin më fort me familjen. Janë pjesë të jetës që meritojnë të njihen dhe hezitoj të flas me hamendësime.

Por një gjë mund ta shpreh me siguri. Njeriu që ka krijuar kaq shumë peizazhe, që ka udhëtuar në kërkim të natyrës dhe që ka ndërtuar marrëdhënie kaq të qëndrueshme me artin, ka brenda vetes burim të madh ndjeshmërie.

Besoj se artistët, janë pasuri e veçantë e një qyteti. Ata nuk i shtojnë vetëm bukuri mjedisit ku jetojnë. I japin atij kujtesë tjetër, gjuhë tjetër dhe mënyrë tjetër për ta parë botën.

Durrësi ka arsye të ndjehet mirë, që në gjirin e tij jeton dhe krijon një artist si Arben Kristani. Përmeti ka arsye të krenohet me birin e vet, që vazhdon ta mbajë në ngjyra vendlindjen. Ndërsa arti shqiptar, fiton sa herë një piktor arrin të ruajë zërin e vet dhe ta ndajë atë me të tjerët.

Arben Kristani vazhdon të pikturojë. Dhe kjo është pjesa më e bukur e historisë së tij. Për disa njerëz, koha kalon duke lënë pas kujtime. Për artistët e vërtetë, koha mund të ringjallet edhe një herë, pikërisht mbi telajo.

Me mirënjohje, për atë çka ofruar me mjeshtrinë artistike, njeriu dhe krijuesi Arben Kristani!

Lexo më shumë nga

MË SHUMË LAJME

Arben Kristani, jetë që flet me ngjyrat!

Nga BUJAR QESJA Ekspozita e tanishme e piktorit plot sharm, kulturë e vizion Arben Kristani është e 15-ta. Jo pak…

Çmimet e Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit

Nga Eris Tare Kurator – Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Vizatimit, Edicioni i Dytë 2026 Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe…

“Kronosi është ringjallur”

Nga SHPENDI TOPOLLAJ ARBEN KRISTANI ME EKSPOZITËN “KRONOSI ËSHTË RINGJALLUR” Në vazhdën e disa paraqitjeve të suksesshme në qytete të…

“Paqe”

“Paqe” është ekspozita artistike e radhës nga artistja e mirënjohur Marjana Goxhabelliu, e cila është çelur pranë ambienteve të hollit…

Përtej kufijve të kujtesës!

Nga Mikel Temo "BEYOND THE LIMITS OF MEMORY" - "Përtej kufijve të kujtesës" Veprat e artit udhëtojnë. Ato paketohen, mbështillen,…

Grafika, si gjuhë e kujtesës dhe dialogut!

Nga PhD (c) Eris Tare Kurator i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit, Tiranë – Edicioni i Dytë, 2026 Në…

Në muzeun e Monarkisë të Artan Lames

Nga Fatmir Toçi Sot pata kënaqësinë të vizitoj ekspozitën - muzè kushtuar periudhës së Monarkisë në Shqipëri, një hapësirë e…

Metafora të pikturuara. Karikatura me humor dhe filozofi

Nga Agim Janina Në Bienalen e Katërt të Karikaturës, të zhvilluar në qytetin e Korçës, karikaturisti Arben Meksi fitoi çmimin…

Arben Kristani, jetë që flet me ngjyrat!

Nga Përmeti i kujtimeve, te Durrësi i frymëzimit. Rrugëtimi i një piktori që kërkon të përjetshmen në të bukurën

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.