
Çmimet e Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit
Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Vizatimit, Edicioni i Dytë 2026. Vlerësimi i krijimtarisë, përvoja artistike dhe dialogu ndërkombëtar në Tiranë

Nga Eris Tare
Kurator – Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Vizatimit, Edicioni i Dytë 2026

Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës dhe Vizatimit, në edicionin e saj të dytë, u shndërrua në një hapësirë takimi për artistë, përvoja dhe qasje të ndryshme krijuese, duke sjellë në vëmendje larminë e gjuhëve shprehëse që karakterizojnë artin grafik bashkëkohor. Përtej paraqitjes së veprave, ky edicion krijoi mundësinë për të vëzhguar mënyrën se si teknika, mendimi artistik dhe kërkimi individual ndërthuren në një komunikim që kapërcen kufijtë gjeografikë dhe kulturorë.

Në cilësinë e kuratorit të këtij edicioni, vlerësimin e veprave dhe procesin e ndarjes së çmimeve e konsideroj një prej momenteve më të rëndësishme të gjithë veprimtarisë. Çmimi në art nuk është thjesht një përcaktim hierarkie mes artistëve. Ai është, mbi të gjitha, një akt vlerësimi ndaj një procesi krijues, ndaj individualitetit dhe kërkimit që qëndron pas çdo vepre. Në grafikë, ku marrëdhënia mes teknikës, materialit dhe idesë është veçanërisht e ndërlikuar, ky vlerësim merr një rëndësi të veçantë.
Procesi i vlerësimit u zhvillua gjatë datave 17 dhe 18 nëntor 2026, nëpërmjet diskutimeve të jurisë ndërkombëtare, të përbërë nga Lazo Vujić nga Sllovenia, Kamuran Goranci nga Kosova dhe Artan Peqini nga Shqipëria. Përvoja dhe këndvështrimet e ndryshme të anëtarëve të jurisë sollën një proces shqyrtimi të mbështetur në diskutimin profesional dhe vlerësimin e veprave pjesëmarrëse.

Pas këtij procesi, juria përcaktoi fituesit e çmimeve kryesore. Çmimi i Parë iu akordua Agim Salihut nga Kosova, Çmimi i Dytë Sandro Brachitës nga Italia, ndërsa Çmimi i Tretë Kamelа Belshakut nga Shqipëria. Çmimi për Artisten e Re iu dha Aferdita Myrtajt, gjithashtu nga Shqipëria.
Një vend të veçantë në këtë edicion zuri edhe vlerësimi i artistëve që kanë ndërtuar një kontribut të rëndësishëm në historinë dhe zhvillimin e grafikës. Çmimi Mjeshtër i Grafikës iu akordua Sadik Kacelit, Fatmir Krypës, Andon Kuqalit, Ibrahim Kodrës dhe Ksenofon Dilos. Këta emra përfaqësojnë përvoja dhe kontribute të rëndësishme në artin shqiptar, duke e vendosur këtë vlerësim edhe në një marrëdhënie me kujtesën dhe trashëgiminë artistike.

Në kategorinë e Çmimit të Kreativitetit – Grafika me Kreative, u vlerësuan Lorenzo Gori nga Gjermania, Blegina Bezo nga Shqipëria dhe Genc Resniqi nga Kosova. Ndërkohë, Çmimi i Karrierës iu akordua Jean Jacques Lecoq nga Franca, si një vlerësim për rrugëtimin e tij artistik.
Vëmendje iu kushtua gjithashtu brezit të ri dhe perspektivave që ai sjell në zhvillimin e mëtejshëm të grafikës. Në kategorinë Çmimi Artiste të së Ardhmes u përzgjodhën Suela Domi, Suela Qemalli dhe Uhejda Zheli. Ky vlerësim mbart një rëndësi të veçantë, pasi mbështet vazhdimësinë e kërkimit artistik dhe nxitjen e zërave të rinj në skenën e artit.
Për mua, rëndësia e këtij edicioni nuk qëndron vetëm te emrat e vlerësuar apo te numri i artistëve pjesëmarrës. Ajo lidhet edhe me mundësinë për të krijuar një hapësirë ku grafika të shihet jo vetëm si një teknikë tradicionale e riprodhimit të imazhit, por si një fushë e pavarur kërkimi, ku ndërthuren mendimi, eksperimenti, materiali dhe shprehja individuale. Vizatimi dhe grafika mbeten dy disiplina që kërkojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me procesin krijues, por edhe një reflektim të vazhdueshëm mbi mënyrën se si imazhi ndërtohet dhe komunikon.
Një bienale merr kuptim të plotë kur arrin të krijojë vazhdimësi. Ajo nuk duhet të mbetet vetëm një ngjarje e kufizuar në kohë, por të shërbejë si një pikë referimi për artistët, studiuesit dhe publikun, duke nxitur takime, shkëmbime dhe bashkëpunime të reja. Pikërisht këtë synim shoh si një nga përgjegjësitë kryesore të këtij organizimi.
Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës dhe Vizatimit është një tjetër hap në këtë drejtim. Mirënjohja ime shkon për jurinë ndërkombëtare, të gjithë artistët pjesëmarrës dhe profesor Abaz Hado, për kontributin dhe përkushtimin në realizimin e kësaj veprimtarie.
Në fund, besoj se vlera e një aktiviteti artistik nuk matet vetëm me atë që ekspozohet gjatë ditëve të tij, por edhe me atë që mbetet pas përfundimit: veprat, përvojat, marrëdhëniet e krijuara dhe dëshira për ta çuar më tej kërkimin artistik. Kjo është edhe arsyeja pse bienale të tilla janë të rëndësishme për jetën kulturore të Tiranës dhe për dialogun e saj me skenën ndërkombëtare të artit.




















