“ANIMACION”

Në Galerinë FAB, u çel ekspozita “ANIMACION”, një udhëtim mes historisë, transformimit dhe frymës krijuese të animacionit.


Në Galerinë FAB, u çel ekspozita “ANIMACION”, një udhëtim mes historisë, transformimit dhe frymës krijuese të animacionit.

Atelier GRAFIKA solli në këtë ekspozitë vepra, procese dhe reflektime që e trajtojnë animacionin jo vetëm si imazh në lëvizje, por si gjuhë artistike, si kujtesë vizuale dhe si hapësirë eksperimentimi.

Një falënderim i veçantë shkon për të ftuarit, kuratorët, studentët dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij momenti artistik.

Ekspozita qëndron e hapur në Galerinë FAB nga data 22 deri më 26 Qershor 2026.

___________

Nga Ardian Isufi – Petraq Papa

ANIMACION

Mbi historinë, transformimin dhe të ardhmen e animacionit.

“Animacioni nuk është arti i vizatimeve që lëvizin, por arti i lëvizjeve që vizatohen.”*

Animacioni është një nga gjuhët artistike më komplekse dhe më magjepsëse të kulturës moderne, sepse i vendosur në kufirin ndërmjet artit pamor, kinemasë, muzikës, letërsisë dhe teknologjisë e transformon imazhin nga një objekt statik në një ngjarje që zhvillohet në kohë dhe në këtë proces, vizatimi, forma dhe figura fitojnë ritëm, frymë dhe jetë.

Historia e animacionit nis shumë përpara kinemasë, që nga eksperimentet optike të shekullit XIX, me fenakistoskopin** dhe zoetropin***, deri tek filmat pionierë të animatorëve si Émile Cohl dhe Winsor McCay. Gjatë shekullit XX lëvizja e vizatuar u shndërrua gradualisht në një formë të re arti dhe animacioni njohu zhvillime të jashtëzakonshme përmes studiove të Walt Disney, kërkimeve eksperimentale të Norman McLaren, poetikës pamore të Hayao Miyazaki dhe më pas revolucionit digjital të prodhuara nga Pixar Animation Studios. Sot animacioni është një nga format më të rëndësishme të komunikimit duke përfshirë filmin, videolojërat, artin digjital, realitetin virtual dhe industrinë kreative globale.

Ndërsa në Shqipëri, historia e animacionit ka qenë më modeste, por jo më pak domethënëse e cila lidhet me zhvillimin e filmit të animuar pranë Kinostudio Shqipëria e Re, ku animatorë si Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso, apo ekipe me grafistë dhe piktorë krijuan veprat e para të animacionit shqiptar. Fillimet ishin në kushtet e një infrastrukture të kufizuar teknologjike dhe u zhvillua kryesisht përmes vizatimit tradicional, duke krijuar një trashëgimi të rëndësishme artistike dhe metodike. Kontributet e artistëve si animatorë, karikaturistëve dhe ilustratorëve shqiptarë edhe në të tashmen tonë dëshmojnë se kultura e imazhit në lëvizje ka qenë gjithmonë e pranishme, edhe pse shpesh në periferi të institucioneve akademike dhe të tregut kulturor.

Ekspozita paraqet një moment reflektimi mbi këtë histori dhe njëkohësisht një vështrim drejt së ardhmes dhe në këtë kontekst hapsirat ndërtohen në tre seksione që ndërthurin memorien, krijimin dhe eksperimentin.

Seksioni 1. “Histori në Transformim” rikthen vëmendjen te rrënjët e animacionit dhe te marrëdhënia ndërmjet vizatimit, narrativës dhe kohës. Historia nuk paraqitet si një arkivë e mbyllur, por si një proces i vazhdueshëm ri-shpikjeje.

Seksioni 2. “KAJO”, projekt diplome studentore që dëshmon potencialin krijues të brezit të ri dhe aftësinë e tij për të përdorur gjuhën e animacionit si mjet artistik ndërmjet kritikës dhe narrativës.

Seksioni 3. “Laborator: nga Skica tek Fryma” sjell në qendër procesin krijues, skicën, gabimin, eksperimentin dhe kërkimin. Kjo hapësirë zhvilluese studentore e sheh animacionin jo si produkt final, por si një terren të hapur ku idetë vazhdojnë të transformohen.

Prania e artistëve dhe profesorëve të ftuar Gazmend Leka dhe Bujar Kapexhiu krijon një lidhje të natyrshme ndërmjet traditës së vizatimit, ilustrimit, karikaturës, artefakteve dhe zhvillimeve bashkëkohore të animacionit, duke dëshmuar se kufijtë ndërmjet disiplinave artistike janë gjithnjë e më të ndërthurur.

Gjithësesi, ekspozita synon të jetë më shumë sesa një prezantim veprash, por për të përfaqësuar një hap drejt konsolidimit të animacionit si fushë akademike dhe profesionale brenda Universitetit të Arteve. Krijimi i një programi universitar të dedikuar për animacionin bëhet i domosdoshëm në një kohë kur industritë kreative kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë të animacionit, ilustrimit digjital, dizajnimit të personazheve, efekteve vizuale dhe narrativave interaktive. Ky program do të ndërtonte ura bashkëpunimi të avancuara ndërmjet artit dhe teknologjisë, traditës së vizatimit dhe grafikës me mjetet digjitale, duke krijuar mundësi të reja për artistët e rinj shqiptarë dhe për të pozicionuar akoma më shumë shkollën tonë në dialog bashkëkohor me zhvillimet ndërkombëtare të edukimit artistik.

“Kur Linja bëhet Kohë” si metaforë e kësaj ekspozite është një dëshmi se animacioni nuk është thjesht një teknikë apo një medium, por është një mënyrë e të menduarit përmes imazhit, një lirikë e kohës së vizatuar. Paul Klee na kujton se: “Linja është një pikë që ka dalë për shëtitje.” dhe në animacion kjo shëtitje shndërrohet në lëvizje, në kujtesë dhe në jetë.

……………………………………

*Norman McLaren

**Fenakistoskopi ishte një nga pajisjet e para optike të animacionit (shek 19-të) që krijoi iluzionin e parë të përhapur të animacionit fluid dhe pararendës i kinemasë duke shfrytëzuar fenomenin e persistencës së shikimit dhe efektin stroboskopik për të krijuar iluzionin e lëvizjes. Konsiderohet një nga hapat e parë drejt zhvillimit të filmit dhe animacionit modern.

*** Zoetropi ndihmoi në zhvillimin e teknikave që çuan më vonë te kinemaja dhe animacioni në ditët tona. Demonstron se si një seri imazhesh statike mund të perceptohen nga syri dhe truri si lëvizje e vazhdueshme. Versionet moderne të këtij koncepti, të quajtura shpesh “disqe vinili zoetrope” paraqesin dizajne të ndërlikuara të animuara të shtypura direkt në vetë diskun që luhet me shpejtësi specifike nën një dritë stroboskopike ose regjistrohet me shpejtësinë e kuadrove të një kamere dhe animohet në një sekuencë lëvizëse.

Dallimet:

Fenakistoskopi përdor një disk dhe zakonisht kërkon një pasqyrë për ta parë animacionin.

Zoetropi përdor një cilindër dhe mund të shihet nga disa persona njëkohësisht pa pasur nevojë për pasqyrë.

“ANIMACION”

Në Galerinë FAB, u çel ekspozita “ANIMACION”, një udhëtim mes historisë, transformimit dhe frymës krijuese të animacionit.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.