“Honoris Causa”

“HONORIS CAUSA” – Ekspozitë studentore në kuadër të 60-vjetorit të Universitetit të Arteve


Nga Prof.Asoc. Dr. Ardian Isufi

Çdo institucion ndërton një arkiv.

Çdo arkiv ndërton një kujtesë.

Dhe çdo kujtesë, kur mbetet e gjallë, hap procese drejt së ardhmes.

“Honoris Causa”, në përkufizimin e tij klasik, është një titull që jepet jashtë rregullit, si një përjashtim që konfirmon autoritetin e institucionit për të njohur vlera të shtuara. Është një akt sovran përmes të cilit institucioni jo vetëm nderon, por edhe përcakton kufijtë e vetes.
Kjo ekspozitë lind pikërisht në këtë situatë të ndërmjetme të së tashmes.

“Honoris Causa” zhvendoset nga një titull i administruar në një gjendje që qarkullon. Nuk është më një status që fitohet në fund të një rruge, por një praktikë që ndodh në forma zhvilluese si një mënyrë të qenuri brenda aktit të krijimit.

Ekspozita propozon një ndryshim thelbësor duke e vendosur këtë titull në praktikën studentore, pra nga një kulturë e njohjes së karrierës dhe konsolidimit të saj, drejt një kulture që njeh drejtpërdrejt potencialin krijues. Një njohje që nuk pret stabilizimin, por ndërhyn në momentin kur forma është ende në zhvillim.

Në këtë kuadër, veprat e prezantuara përfshijnë një gamë të gjerë mediumesh që nga piktura, vizatimi dhe skulptura, tek grafika, tekstili dhe moda, multimedia apo fotografia. Këto mjete komunikimi pamor nuk paraqiten si kategori të ndara, por si fusha të ndërthurura ku eksperimentimi dhe kërkimi artistik zhvillohen paralelisht.

Në kontekstin e 60-vjetorit të Universitetit të Arteve ekspozita nuk operon si një akt celebrimi linear. Ajo nuk synon të ndërtojë një narrativë të qëndrueshme suksesi, por të hapë vetë idenë e trashëgimisë si një fushë negocimi për perspektiva të reja alternative.

“Honoris Causa” propozon një qasje tjetër, duke e zhvendosur nderimin nga e përfunduara tek e papërfunduara, nga autoriteti tek potenciali, si dhe nga arkivi tek procesi. Në frymën e Paulo Freire*, i cili e shihte edukimin si një proces çlirimi dhe dialogu, ashtu sic kjo ekspozitë propozon një marrëdhënie më horizontale mes institucionit dhe studentit, ku njohja nuk është e imponuar, por ndërtohet së bashku.

Në këtë mënyrë, ekspozita bëhet jo vetëm një nderim për mbi 60 vite histori, por edhe një hapësirë ku historia vihet në lëvizje përmes hulumtimit studentor që e trashëgojnë dhe njëkohësisht e riformulojnë atë.
………………………………………
*Paulo Freire ishte një edukator dhe filozof brazilian, teoritë e të cilit revolucionarizuan arsimin modern. Ai e mbështeti mësimdhënien si një akt çlirimi, duke argumentuar se të nxënit duhet të zgjojë vetëdijen kritike në vend që të riprodhojë hierarkitë shoqërore.

“MUZA – Fashion Fair”

Andriola Kambo nuk kërkon të kopjojë botën. Ajo kërkon t’i tregojë botës se Shqipëria ka ende aromë shpirti, aromë gjysheje,…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.