Leon Çika, artisti i dritës së përjetshme!
Lamtumirë piktori i peizazheve të mrekullueshme! Fotografi i bukurive mahnitëse!
Nga Dash Frashëri
Leon Çika, artisti i dritës së përjetshme!
Lamtumirë piktori i peizazheve të mrekullueshme në rrugëtimin drejt parajsës!
Lamtumirë fotografi i bukurive mahnitëse në udhëtimin e fundit të përjetshëm!
Leon Çika u nda nga jeta dje, më 9 janar 2024, në moshën 70-vjeçare pas një sulmi në zemër. Ai vuante edhe nga diabeti. Kohët e fundit ai kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në Athinë për zemrën.
Ikja e një artisti krijon gjithmonë trishtim. Si një studio ku janë veprat dhe artisti nuk shkel më! Edhe pse aty janë ngjyrat e derdhura mbi tavalocë!
Dhe ndarja nga jeta e Çikës në kulmin e krijimtarisë së tij krijon një pikëllim të madh, jo vetëm te familjarët, shokët, miqtë, dashamirësit e artit, por te gjithkush që e njohu; pa një krijim të tij si piktor; një foto të realizuar me aq mjeshtëri si fotograf.
Por, Çika do të na duket gjithmonë sikur është ulur para kavaletit për të shkruar me penel një simfoni ngjyrash që nuk do të mbarojë kurrë!
Dhe do të bashkëbisedojë me ne përjetësisht, për të na treguar jetën e tij në Parajsë!
***
Në fakt, kjo foto e publikuar nga Leon Çika vetëm një ditë para se të ndërronte jetë duket si një paralajmërim thriller për fatin e tij fatal.
“Me quajn Xhoni ,jam ketu mes qindra shokesh qe ju sollem lirine dhe askush nuk ma di emrin ,ti qe u bashkove me nazistet dhe me vrave mua te bene patriot dhe te njohin te gjithe !!!!!! (varreza e ushtareve amerikane te rene ne Toskane gjate luftes se dyte boterore ) FOTO L, CIKA”
“Dhimbje dhe trishtim! Largohet nga kjo botë një ndër artistët më të mëdhenj shqiptarë! Qofsh i Parajsës Leon Çika”, shkroi në faqen e tij në Facebook, piktori i njohur, Avni Delvina, i cili dha edhe i pari lajmin e trishtuar.
Reagimet e artistëve shprehnin pikëllimin e tyre.
“Leon Çika ishte tip pak romantik, i gjallë dhe shumë shpërthyes në bisedë. Kishte se çfarë të fliste, nga se jeta e tij ishte e mbushur me dy dashuri të mëdha piktura dhe fotografia. Ato jo vetëm e bënin të shprehej e shkarkohej emocionalisht, por i mbushnin jetën me gëzim. Jetëdashës e gjithmonë në lëvizje kërkonte të përjetonte jetën në art”, shkroi studiuesi i artit, Agim Janina, në një status enkas pas ndarjes nga jeta të Çikës.
“Lamtumire miku im Leon!..Le dhe shum ekspozita te tjera pa kryer…”, shkroi qeramistja e njohur, Mira Kuçuku.
“Fotografi dhe piktori Leon Cika, një koleksionist i momenteve magjike! Autori i disa prej fotografive më të bukura të revistës Art & Trashëgimi, Leon Cika ishte një artist pasionant që koleksiononte copëza jete e monumentesh dhe u jepte atyre një dimension magjik! “Rikthimi i Muzave” e pagëzuam së bashku kur donim t’i gjenim numrit të Tiranës një simbol artistik universal, dhe ky simbol ishte pikërisht “Tempulli i Muzave” – një monument i kultit mitologjik të Apollonit në parkun mbretëror të Pallatit të Brigadave! Rrugë të mbarë mjeshtër për në parajsë! 🙏, shkroi producentja Ilda Mara.
***
Mediat më të mëdha në vend, televizionet, shtypi i shkruar dhe ai online, shkruan për ndarjen nga jeta e tij.
***
Leon Çika lindi më 12 korrik 1954.
Leon Çika, i pikturuar nga Aleksandër Filipi
Ai u diplomua në vitin 1976 në Akademinë e Arteve në Tiranë si piktor i arteve grafike. Ekspozitën e tij të parë personale e hapi në vitin 1977, kur ai punonte si skenograf në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të Gramshit.
Në periudhën 1979-1981, ai është pjesë e grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurës për Muzeun e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në kështjellën e qytetit të Krujës.
Leoni me vajzën e tij të parë, Leora
Në vitin 1982, vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”, ndërsa në 1988, vlerësohet me Urdhrin e klasit të parë “Naim Frashëri”.
1980-1985 – Shef i departamentit të Fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Në periudhën 1985-1989, Leon Çika është shef i fotografisë Artistike dhe shefi i departamentit të Përgjithshëm Fotografi tek muzeu “Enver Hoxha” në Tiranë. Profesor i fotografisë në Institutin zvicerano-shqiptar (2007-2008). Profesor i fotografisë, në Fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, Shqipëri (1998-2000 ). Ai ishte fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”, si dhe ka fituar Çmimin Kombëtar (1995) për pankartën më të mirë të realizuar gjatë përvjetorit të çlirimit kombëtar nga nazistët.
Çika është cilësuar si fotografi i natyrës duke realizuar punën e tij në formë ciklesh ku edhe në pikturat e tij pasqyrohen bukuritë natyrore të peizazheve shqiptare me magjinë dhe forcën emocionale shpirtërore të Çikës duke lënë një trashëgimi të pasur në artin dhe kulturën shqiptare.
Një nga botimet e rralla të realizuara prej tij ishte përmbledhja me 300 peizazhe urbane dedikuar Beratit.
Çika ka qenë edhe fotoreporter i Reuters në Tiranë, nga viti 1993.
Çika ka qenë aktiv sa i përket jetës artistike.
Ai mori pjesë në shumë ekspozita kolektive.
Ekspozita e fundit kolektive ku Leon Çika ka marrë pjesë është ajo e grupit “Muri”, e hapur në Galerinë e Artit në Vlorë (2-12 nëntor 2024)
***
Edhe pse nuk do të jesh më, do të mbetesh artisti i madh…
… babai i gocave…
dhe gjyshi i lumtur!
***
JETA PERSONALE
1972-1976 Akademia e Arteve të Bukura Shqipëri, në Tiranë.
1976 – Në Universitetin e Tiranës realizon Mbrojtjen e Diplomës së Artit Grafik me titullin “Piktor i Arteve Grafike”.
2007-2008 – Profesor i fotografisë në Institutin zvicerano-shqiptar (Projektit 5.6)
1998-2000 – Profesor i fotografisë, në Fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
1993 – Reporter / Producent / Kameraman për “Reuters” në Shqipëri
1985-1989 – Shef i fotografisë Artistike dhe shefi i departamentit të Përgjithshëm Fotografi tek muzeu “Enver Hoxha” në Tiranë.
1980-1985 – Shef i departamentit të Fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare
1979-1981 – Pjesë e grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurës për Muzeun e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në kështjellën e qytetit të Krujës.
AKTIVITETI KRIJUES
janar 2010 – Ekspozitë pikture në qytetin e Pogradecit (ekspozitë kolektive)
2005-2006 – Realizon dy ekspozita fotografike në Galeria Kombëtare e Arteve, duke pasur si fokus “Turizmin në Shqipëri”
1998-1999 – Çel dy ekspozita pikture me një bashkë-autor, Adnan Kastratin, në Tiranë
1981-1994 – Merr pjesë në ekspozitën kombëtare dhe ndërkombëtare “Professional Photographer” dhe publikon fotografi artistike në revista të ndryshme Arti
1986-1988 – Ekspozita e fotografisë të organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për pjesëmarrësit ndërkombëtarë.
1977 – Ekspozita personale e pikturave në qytetin e Gramshit.
VLERËSIME
2005 – 2006 vlerësohet me dy çmime për Artin Fotografik në dy ekspozita të organizuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”
Çmimi Kombëtar 1995 për pankartën më të mirë të realizuar gjatë përvjetorit të çlirimit kombëtar nga nazistët
1982, vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”
1988, vlerësohet me Urdhrin e klasit të parë “Naim Frashëri”
PUBLIKIMET
“Ikonat e Beratit” (me bashkautor) Album i ilustruar për ikonat shqiptare
“Piktorët shqiptarë në akademitë italiane” (me bashkautor) Album i ilustruar me vepra të piktorëve shqiptarë.
“Berati” I, Album i ilustruar me fotografi.
“Gjergj Kastriot Skenderbegt” Album i ilustruar fotografik për Muzeun Kombëtar Shqiptar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
DISA NGA PIKTURAT E ÇIKËS
DISA NGA FOTOT