Rrugicë në Berat, vepra e fundit e Vangjush Mios

Peisazhi mbeti i pambaruar. Vangjush Mio vdiq siç i takonte: me penela në duar.


Nga Kastriot Dervishi

Në tetor të vitit 2007 i ftuar nga Bashkia Korçë mora pjesë në konkursin ndërkombëtar Vangjush Mio. Gjatë këtyre ditëve pikturuam në Korçë dhe përreth saj (në gjurmët e Mios) me disa piktorë të tjerë nga Shqipëria dhe Ballkani dhe në fund u hap ekspozita në përkujtim të 50 vjetorit të vdekjes së Artistit të Popullit Vangjush Mio. Në një nga ditët e aktivitetit ishte planifikuar edhe një vizitë në shtëpinë muze të Vangjush Mios. Para se të vizitoja shtëpinë muze të Vagjush Mios kisha informacion se vepra e fundit e Mios e pafirmosur ishte një peisazh nga Berati, informacion të hershëm nga Moikom Zeqo dhe Hasan Ulqini në gazetën “Drita” më 9 Mars 1979 shkruanin artikullin me titull “Peisazhi i fundit”:

“Peisazhi i fundit i Mios është një pamje nga qyteti i lashtë i Beratit. Peisazhi mbeti i pambaruar. Vangjush Mio vdiq sic i takonte: me penela në duar. Në ngjyrat e këtij punimi të fundit, është epilogu i biografisë së tij artistike. Peisazhi, ndonëse i pambaruar, s’ka nevojë për nënshkrim.I lumtur është ai piktor që e arrin këtë. Autorësia e pikturave është rezultat i tërë jetës së piktorit. Kjo autorësi është stili, perceptimi vizual, bota mioane e pikturës, “pasaporta” e tij artistike”.

Artisti i Popullit Vangjush Mio lindi në Korçë më 3 mars 1891 dhe vdiq po në Korçë më 30 dhjetor 1957. Studioi për arte të bukura në Bukuresht dhe Romë dhe pas studimeve u rikthye në Korçë ku punoi si mësues arti. Gjatë gjithë jetës iu përkushtua pikturës dhe sidomos gjinisë së peisazhit. Korça, Pogradeci, Tirana, Himara, Elbasani dhe padyshim Berati do të përjetësohen në veprën e tij e cila i jep vlerë Galerisë Kombëtare në Tiranë dhe shtëpisë së tij që është kthyer në muze prej vitesh nga familja e tij.
Shtëpia e Mios ishte një shtëpi e vjetër karakteristike një nga banesat më të bukura në Korçë nga të paktat që ka mbetur në Korçë me vlera të mëdha etnografike.
Në shtëpinë muze të Vangjush Mios në një nga dhomat kryesore të saj (studioja e tij) ishte vendosur në kavalet në faqen kryesore peisazhi i papëfunduar i Beratit me mbishkrimin ” Puna e fundit, Berat 1957″ dhe pranë tij paleta me penelat e tij dhe një nga autoportretet nga më të bukurit e Mios. Kjo është vepra e fundit e Mios e realizuar në fund të verës 1957 në Berat dhe më pas ai u sëmurë dhe u nda nga jeta në 30 dhjetor.
Peisazhi i Beratit është realizuar në një nga rugicat më të bukura nga ana lindore në Mangalem ku paraqet rrugicën, portën kryesore dhe shtëpinë e familjes Stefa. Për të pasur më tepër informacion rreth realizimit të kësaj vepre mora kontakt me Tinën një nga vajzat e familjes Stefa për ta pyetur nëse kish dëgjuar nga më të rriturit e familjes për të, nëse kur ishin fëmijë e kishin parë piktorin duke punuar pranë portës së tyre apo dikush nga femijët e pikturuar pranë derës ishte ndonjë nga ata. Ajo u ndje shumë e emocionuar dhe menjëhere më tha:
“Po na ka treguar mamaja (mësusja e Popullit Eleni Stefa) pasi ka qenë nxënëse e tij. Vangjush Mion e ka pasur mamaja profesor në Shkollën Normale Femërore të Korçës. Ne kemi diplomën e mamasë ku janë firmat e profesorëve, midis tyre edhe e tija. Kur ka ardhur në Berat për të pikturuar, Ai e takoi mamanë tonë, nuk u rezervua edhe pse babanë tonë e kishin pushkatuar”.

Lexo më shumë nga

Ardian Fezollari, “Lasgush Pogradeci” i fotografisë!

Fotografi i mirënjohur tregon pengjet dhe pasionet e tij në emisionin "Mes dy botëve" të piktorit Helidon Haliti

Helidon Haliti: Muralet e Tiranës janë projekti im më i mirë!

"Mjeshtri i Madh", piktori Helidon Haliti, intervistë për gazetën letrare "ExLibris"

Sadik Kaceli, peneli i artë!

"Artist i Merituar" , "Artist i Popullit", "Nderi i Kombit". Një piktor që modernizoi shkollën shqiptare të arteve.

Piktura e Guri Madhit në EURO 2024, krahas Pablo Pikasos dhe Salvador Dali

Në Muzeun e Futbollit Gjerman në Dortmund do të ekspozohen 175 vepra arti të 100 autorëve botërorë