Luan Rama rrëfehet tek Helidon Haliti: Ja çfarë iu duhet artistëve shqiptarë!

Diplomat, poet, shkrimtar, skenarist, përkthyes, historian, biograf, piktor. Autor i mbi 60 librave.


Nga Dash Frashëri

Diplomat, poet, shkrimtar, skenarist, përkthyes, historian, biograf, piktor. Autor i mbi 60 librave.

Luan Rama ishte i ftuari i radhës në emisionin tashmë të famshëm “Mes dy Botëve” të piktorit të mirënjohur Helidon Haliti, në Radio Televizionin Shqiptar.

“Vani” – skenaristi i dikurshëm i filmave dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Francë –  tashmë konsiderohet si një ambasador i shkëlqyer kulturor, mes asaaj franceze dhe shqiptare.

“LR – Les Livres Rama” është shndërruar në një markë letrare në Francë, atje ku Luan Rama jeton prej disa dekadash, pikërisht në Paris, kryeqytetin e letërsisë botërore.

Emrin dhe firmën e tij e ka vendosur në një numër të konsiderueshëm botimesh…

… por edhe në studion epike të Helidon Haliti.

“Fëmija i Bulevardit Stalin” është një njohës i shkëlqyer i arteve dhe mik i disa prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë, përfshirë Omer Kaleshin, Ibrahim Kodrën, Izet Currin, Helidon Halitin, Artur Muharremin, Gazmend Lekën , Anri Salën,  Edi Hilën apo Mikel Temon.

“Me ty emisioni im nuk është ‘Mes dy botëve’, por “Mes tri botëve”: ajo e para viteve 90, është ajo pas 90-ës dhe me ty është periudha e Francës”, i thotë me të qeshur “Mjeshtri i Madh”, Haliti.

“Sigurisht, sigurisht. Nuk mund të ndahet Franca nga unë, pasi u bënë 33/34 vjet që jam atje”, i përgjigjet Rama, i cili shijon pikturat në studion e Halitit, duke veçuar “demin e kuq”, për të cilin tregoi edhe një legjendë, të treguar nga piktori Valdet Hamiti.

***

“Artisti sulmohet më shumë nga gjithë të tjerët. Po të shohësh historinë e artit figurativ në Shqipëri, piktorët kanë qenë nëpër burgje, janë ndjekur dhe përndjekur”, tregon me një keqardhje të madhe Rama.

Në kohën kur Rama ishte ambasador në Paris, ka pritur dhe ndihmuar shumë piktorë shqiptarë, madje ai kujtoi rastin kur në Francë shkoi një delegacion i madh artistësh, i kryesuar nga skulptori Thoma Thomai, ku bënte pjesë edhe Ali Oseku apo Mikel Temo.

“Të gjithë artistët që kanë ardhur te mua kur isha ambasador i kam çuar te varri i Van Gogut, i cili është rreth 50 km larg Parisit, apo te kopshti e  Klod Mone”, tregon Rama.

Rama ka një interesim të fortë për pikturën, madje duke njohur edhe artistë të mëdhenj të huaj apo ka parë kryeveprat e tyre nëpër muzeume apo galeri arti, ka shkruar edhe një libër të titulluar “Përballë tablosë”, të cilin e kishte marrë me vete në emision dhe ia dhuroi Halitit, i cili, sipas Ramës, do të jetë pjesë e vëllimit të dytë që ai do të shkruajë.

Luani ka shkruar dhe një libër tjetër për piktorët francezë që kanë pasur si tematikë shqiptarët, të titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të Shkullit XIX”.

“Të falenderoj shumë që m’i ke sjellë”, tha Haliti, i lumtur.

***

Haliti: Cili është ai që ju ka lënë më shumë përshtypje nga piktorët që keni parë apo qëndruar më gjatë në Paris, këto 35 vitet e fundit, pas viteve 90?

Rama: Për mua është George de La Tour. Më mahnit me dritën dhe hijen, me ato figurat gjysmë të errëta. Ka një fëmijë me një prush në duar që është një mrekulli.

Rama: Në Francë kam qëndruar më shumë me Bujar Lucën dhe Artur Muharremin. Omer Kaleshi është nga piktorët e parë që kam njohur dhe kam bërë edhe disa libra për të në shqip dhe frëngjisht.

“Ka qenë me shumë fat që të ka pasur ty pranë. E them me seriozitet. Kam parë një herë një film që thotë: artistë të talentuar gjen sa të duash, mbështetës dhe një menaxher esencial janë me gishta, dhe janë shumë pak dhe mos më kujto tani Teon (vëllain) e Van Gogut”, i thotë me respekt Haliti, Ramës.

***

“Në fakt, dobësia im për pikturën është e vjetër, pasi e kam njohur Ali Osekun përpara se ai të futej në burg.. Kur e dërguan në Elbasan, në kombinatm pas shfaqjes “Madame Butterfly, unë e takoja shpesh atje, pasi kisha dhe motrën inxhinire. Ali vinte të shtunën në darkë dhe ikte të dielën dhe kur shkonim te Kisha e Shën Prokopit bënim poezi të dy. Unë isha si i shtëpisë atje të shtëpia e Aliut dhe mbaj mend që sa hyje atje ishte një femër me një diell në dorë, që ishte vizatuar shumë bukur”, tregon Rama, i cili ka punuar asokohe si kineast për rreth 14 vjet në Kinostudion “Shqipëria e Re”

Luan Rama tregon edhe njohjen e tij me piktorin e talentuar Artur Muharremi.

“Kur erdhi në Francë, i thashë: Artur , i dashur, këtu do të ndeshesh me një realitet të vështirë, pasi erdhi me shumë pasion. Mirëpo, atij i pëlqeu shumë mjedisi i Parisit, pasi ai hapi një ekspozitë dhe kishte shumë ëndrra. Dhe ai e përballoi me shumë kurajo, dhe ia doli . Arturi është një piktor që punon shumë, nga mëngjesi deri në darkë. E ka kapur pasioni i animacionit. Ka krijuar një familje shumë të këndshme, shumë simpatike”, tregon Rama.

“Nuk kam njohur më punëtor”, shton Haliti.

“Historia e artit është e jashtëzakonshme. Kam qenë në shtëpinë e Vermerit (Johannes Vermeer, piktor holandez), kam shkruar për të. Piktura e tij është e jashtëzakonshme”, tregon Rama.

Haliti, i cili ka jetuar rreth 15 vjet në Athinë, tregoi rastin e një restoranti në lagjen më të vjetër, Plaka, e cila ndodhet rrëzë Akropolit.

Është shumë luksoz. Ka ngrënë dhe Rama, ka ngrënë Klintoni, shumë udhëheqës. Quhet “Dhafni”. Dhe aty kanë piktuar piktorë ekselentë: Artur Muharremi, skulptori Arben Bajo ka punuar aty. Agron Bregu ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Unë vetë kam punuar shumë muaj, apo Bill Mazreku me gdhendjen e mermerëve. I gjen gjurmët tona atje”, tregon piktori Haliti.

***

Haliti: Kush mendon se ka bërë ekspozitën më interesante në Paris, nga shqiptarët që vijnë atje?

Rama: Gaz Leka ka bërë një ekspozitë, por unë nuk arrita ta shoh, pasi nuk isha aty. Ai ka hapur edhe një ekspozitë tjetër, dhe kam një tablo të tij. E kam mik, kemi punuar bashkë n Kinostudio, tek animacioni.

Rama: Edi Hila ka bërë një ekspozitë në Galerinë “Mitterrand”. Kam qenë në ekspozitat e Edi Hilës, në tre ekspozita që ai ka hapur. Një pikturë e Edit është në Qendrën “Pompidou”. Edi ka një pikturë të veçantë, një pikturë simbolike, shumë të re që bën shumë efekt dhe pëlqehet shumë.

Haliti: A është akoma Parisi ëndërr për piktorët shqiptarë?

Rama: Besoj, se po, por sigurisht metropolet e pikturës janë të lëvizshme.

Haliti: Si e shikon tregun shqiptar të pikturës?

Rama: Tregut shqiptar të pikturës i mungojnë menaxherët, i mungojnë ata që duhet ta tregojnë, ta përfaqësojnë. Nuk ke. Vetë piktori nuk mund ta marrë përsipër, nuk mund ta bëjë këtë gjë. Nuk e bën dot se, ai ka hallin të pikturojë, të bëjë art. Nuk mund të rrijë ai të vrapojë, të kapë galeristë. Çështja e prezantimit të artistëve shqiptarë mbetet themelore që arti shqiptar të dalë në tregun ndërkombëtar.

Së fundi edhe një mendim për Kryeministrin Edi Rama.

Haliti: Si e shikoni Edi Ramën, si artist?

Rama: Edi është një artist i veçantë, por pak i kufizuar, mendoj unë. Unë kam një tablo të madhe të tij. Ai ndoshta e ka harruar. Ma ka dhënë përpara se të kthehej në Shqipëri. Ai pati një periudhë interesante, kur ai u ngacmua nga rilindja italiane. Madje ka bërë edhe një shkrim për të, i cili u botua në Shqipëri te gazeta “Koha Jonë”, me titullin “Edi Rama pushton Parisin”.

Buza, i pari piktor modern shqiptar

"Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar"

“Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX”

82 artistë prezantohen në ekspozitën e hapur në Galerinë FAB me drejtues projekti Olsi Laskën dhe kuratore Suzana Varvarica Kukën

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.