Lamtumirë Ali Oseku!

Lamtumirë piktori i lirisë! Piktori i guximshëm. Modern. Piktori i dritës! Piktori i përjetësisë!


Nga Dash Frashëri

Lamtumirë Ali Oseku!

Lamtumirë piktori i lirisë artistike! Piktori i dritës! Piktori i përjetësisë!

Ali Oseku u nda dje, më 2 prill 2024, në moshën 80-vjeçare, për t’u bashkuar me të tjerë yje të Panteonit të Arteve Moderne Pamore, si Vangjush Mio, Kel Kodheli, Andrea Kushi, Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Guri Madhi, Mustafa Arapi, e të tjerë emra të shquar.

***

Ali Oseku u lind në 23 shkurt të vitit 1944, në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova. Ai është fëmija i dytë prej shtatë fëmijëve të familjes Oseku, prej pesë vëllezër dhe dy motrave.


Viti 1956. Kursi i vizatimit në pallatin e kulturës Ali Kelmendi, i drejtuar nga Ndoc Kodheli. Në rreth, Ali Oseku.

Bashkëkohës i disa prej emrave më të shquar të artit shqiptar, Ali Oseku në vitet 1959 – 1963 ndoqi liceun artistik “Jordan Misja”.


Prill 1965. Një eskursion i Institutit të Lartë të Arteve Figurative në Butrint. (Në rreth, Ali Oseku)

Në vitin 1969, Ali Oseku u diplomua për pikturë në “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë.

Nga viti 1970 deri në vitin 1973 bëhet skenograf i “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”.

Në vitet 1970–1973 realizoi skenografinë dhe kostumet për operën “Traviata”, baletin “Historia e një kënge”, dramat “Viti ‘61″, “Orfeu zbret në Ferr”, “Yll pa emër”.

Oseku, një nxënës i piktorit të madh Guri Madhi, është një “aliazh artistik 14-karatësh”, ku shkrihen bashkë në një harmoni hyjnore Picasso, Chagall, Jackson Pollock dhe Salvador Dali, idhujt e tij të dikurshëm.

Oseku në vitet 1969 –1973, gjithashtu kishte krijuar rreth 300 tablo të gjinive të ndryshme. Në krijimtarinë e këtyre viteve si në skenografi, por edhe në tablotë e kavaletit Oseku ishte një piktor mjaft dekorativ e i ndikuar nga artistët e mëdhenj botërorë të shekullit XX, një faktor që i bënte tablotë e tij të veçanta dhe të ndryshme nga krijimtaria realiste e kolegëve shqiptarë të kohës

Në vitin 1973 u dënua për “shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste” në krijimta-rinë e tij si skenograf dhe u dërgua në punë riedukuese në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan.

Oseku ishte një nga artistët e dënuar me burg në vitin 1975, së bashku edhe me Maks Velon dhe Edison Gjergon. U dënua sepse vepra e tij u cilësua moderne. Bëri burg deri në vitin 1979. Më pas punoi si punëtor.

Para arrestimit, Oseku dogji të gjitha tablotë e realizuara deri në atë kohë, përveç dy veprave që mundën të shpëtojnë dhe sot ndodhen në studion e piktorit: “Portret burri” dhe “Portreti i nënës”.

Në vitin 1991 u rikthye në veprimtarinë artistike si piktor në Galerinë Kombëtare të Arteve, njëkohësisht pedagog i jashtëm i pikturës në Akademinë e Arteve, ku ka kaluar (1998) si përgjegjës i ateliesë së grafikës.


Shoqata e Piktorëve dhe Skulptorëve Shqiptarë në fillimvitet 1990. Në rreth, Ali Oseku.

Nga viti 1998 deri në vitin 2014, u bë Profesor i Asociuar dhe Përgjegjës i Departamentit të Grafikës në “Akademia e Arteve të Bukura”, Tiranë.

Ali Oseku ka marrë pjesë në ekspozita të përbashkëta dhe ka hapur disa ekspozita vetjake në Tiranë.

Pas viteve ‘90 të shekullit XX, piktori Ali Oseku ka ekspozuar në Bruksel (1991), Vjenë, Gjermani (1992), Zagreb, Padova, Warshavë (1994), Boston, New York (1995),Paris (1998), Fiera e artit – Padova ( 2003 – 2004) etj.

Oseku ka qënë dhe është present në manifestimet artistike kombëtare dhe Ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

Në Konkursin Kombëtar të Arteve Vizive “ONUFRI ‘94”, piktori Oseku u vlerësuat me çmim të dytë dhe me çmim të parë në Konkursin “Eduard LIR”, Berat (1999).

Gjatë periudhës 1998–2007 ndër të tjera Ali Oseku ka realizuar ciklin : “Gjurmët”, “Kërpudhat”, “Shiu”, “Rrugëve”, “Hapësirë” etj.

Në vitin 2014 e në vazhdim, piktor në krijimtarinë e lirë.

Me ndryshimet e sistemit politik në Shqipëri pas viteve ’90, mjeshtri Ali Oseku u bë një ndër emrat më të lakuar në artin pamor shqiptar.

Ali Oseku është një artist, i cili nëpërmjet veprës, na ofron në mënyrë të sinqertë, një pjesë të universit të tij artistik, ku vepra nuk bërtet, por me thellësinë e pjekjes së intensitetit koloristik, ajo kthehet në një moment organik të përjetimit vizual dhe shpirtëror, duke na bërë që intuitivisht ta pranojmë si një pjesë të tërësisë së përjetimit tonë.

Veprat e Ali Osekut e ruajnë freskinë e ndërtimit kompozicional dhe koloristik, por në të njëjtën kohë edhe u rezistojnë dekadave, duke e bërë atë që të jetë një investim financiar dhe shpirtëror i vlefshëm dhe një produkt i domosdoshëm për vetë vlerat artistike, por dhe në të njëjtën kohë dhe statusin që përfaqëson, duke rritur vlerën e hapësirave ku ato ekspozohen.

Ndjeshmëria koloristike e veprave të Ali Osekut e bën atë një ndër individualitetet artistikë më të fortë në vendin tonë. I influencuar nga ekspresionizmi abstrakt amerikan, ai arrin të pjekë një mendim të qartë artistik, që pasqyrohet në një nga krijimtaritë më të pasura në vendin tonë në 30 vitet e fundit.

Karakteristikë e veprave figurative të Osekut është mbizotërimi në të gjitha tablotë e tij e një qetësie solemne e drite të qetë shpirtërore, brenda një tonaliteti koloristik. Ai preferon të krijojë variacione koloristike në tablotë që frymëzohen apo e marrin motivin nga elementë jetësorë e që krijojnë frymëzim tek artisti. Këto cikle piktorikë janë më figurativë dhe komunikojnë më lehtë me publikun.

Ekspozita e tij e fundit u hap në 2023 me titull: “All light we cannot see” – E gjithë drita që nuk mund të shohim.

BIOGRAFIA

25. 02. 1944: Lindi në Tiranë. Familja e tij emigroi në vitet ‘30 nga Kosova (Gjakova). Babai ishte rrobaqepës ndërsa nëna shtëpiake.
1959 – 1963: Mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
1964 – 1969: Mbaroi studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë
1970 – 1973: Emërohet skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit, Tiranë
1973 – 1975: Transferohet për “riedukim” në Elbasan.
1975 – 1979: Burgoset për arsye politike, tendenca moderniste në art dhe dërgohet në burgun e Spaçit.
1979 – 1991: Lirahet nga burgu dhe ishte punëtor krahu në Tiranë, pa të drejtë ekspozimi
1991 – 1998: Kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë
1998 – 2014: Pedagog “Profesor i asociuar” dhe shef i Katedrës së Grafikës në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë.
2014 e në vazhdim piktor në krijimtari të lirë.
02.04.2024: Ndërron jetë në Tiranë, në moshën 80-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Ali Oseku nuk është më! Por, me paletën e ngjyrave të tij duket se tashmë do të pikturojë në parajsë!

REAGIME NË RRJETET SOCIALE

Te nderuar miq, me trishtim te madh sapo morem lajmin e ndarjes nga jeta e Kolegut tone te dashur … Artistit dhe Mikut…

Posted by Galeria FAB on Tuesday, April 2, 2024

***

Nje njeri dhe artist fisnik u largua sot nga jeta,dhimbje dhe humbje e madhe per artin pamor.Lamtumire prof Ali Oseku!

Posted by Helidon Doni Haliti on Tuesday, April 2, 2024

***

U SHUA NJË SIMBOL I ARTIT🙏ALI OSEKU

Burrë fisnik🙏Shpirt i lirë artisti që nuk e përkuli diktatura komuniste✌️✌️

Të qoftë i lehtë dheu miku im shpirtēror🙏

Me dhimbje… shumë dhimbje🙏

Posted by Ardian Isufi on Tuesday, April 2, 2024

***

Komisioni i Artit pranë Akademisë së Shkencave shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të piktorit të…

Posted by Institutet e Albanologjisë-faqe zyrtare on Tuesday, April 2, 2024

***

 

Ndahet nga jeta Prof. Ali Oseku. RTSH i shpreh ngushëllimet Familjes, miqve dhe dashamirësve të veprës së tij…

Ali Oseku (1944) Lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova. Liceun artistik e mbaron në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB. Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.

#rtsh #alioseku

Posted by RTSH Radio Televizioni Shqiptar on Tuesday, April 2, 2024

Lexo më shumë nga

Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit promovon destinacionet turistike të Kolonjës

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë pikturuar vendet më të bukura

Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit promovon destinacionet turistike të Kolonjës

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë pikturuar vendet më të bukura

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit