Qazim Arifi, “Oscari” i skulpturës!

Qazim Arifi konsiderohet si “poeti i skulpturës”, nga kritiku me famë ndërkombëtare Vittorio Sgarbi.


Nga Dash Frashëri

Portrete të gdhendura më mermer apo të derdhura në bronz. Figura të shquara të kombit, personalitete të politikës, artistë të famshëm, të realizuar me një teknikë të lartë skulpturale.

Kjo është bota artistike e Qazim Arifit, skulptorit të mirënjohur përmetar.

I përzgjedhur nga kritiku i famshëm italian, Angelo Crespi, si një ndër 80 skulptorët më të mirë në botë, ku mund të investojnë koleksionistët dhe galeritë më prestigjoze.

Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti XVI, apo Papa Françesku. Ismail Kadare, Dritëro Agolli apo Baba Mondi. Kadri Roshi, Mirush Kabashi apo Naxhi Bakalli. Barack Obama, Ronald Reagan apo Oprah Winfrey. Që të gjithë të realizuar me një dashuri estetike dhe ekspresivitet.

Barack Obama, bronz


Dritëro Agolli, bronz

Qazim Arifi konsiderohet si “poeti i skulpturës”, nga kritiku me famë ndërkombëtare Vittorio Sgarbi.

“Unë për këtë kam punuar, për të marrë këto vlerësime. Dua të bëj atë punë që më pëlqen. Nuk ka rëndësi koha që më merr, pasi në çdo punë lë firmën time”, tha Arifi për “Tirana Diplomat”.

“Kudo që kam shkuar nuk ka munguar vizita në muzeume. Më bënte përshtypje arti i madh që ato prezantonin. Gjithmonë i kam studiuar mënyrën e punimet të tyre. Kam thënë a do të vijë dita që dhe unë të bëj art të madh”, tha skulptori Arifi.

Mjeshtri 81-vjeçar arrin të japë më vërtetësi botën e tyre shpirtërore. Të kapi detajin e veçantë të personalitetit të tyre. Ai është një skulptor realist, mjeshtër i portretit dhe i shpirtit shqiptar. Duke punuar me mijëra orë për ta realizuar në perfeksion “të përzgjedhurit” e radhës.

***

Kisha kohë që – edhe si përmetar – dëshiroja të shkruaja për Qazim Arifin, një nga “baballarët e skulpturës moderne” shqiptare, qysh kur ai skulpturoi Papa Françeskun, tashmë të vendosur në sheshin para Piramidës, në nderim të vizitës së Atit të Shenjtë në Tiranë, më 21 shtator 2014, e para tij jashtë Vatikanit.

Të shikoja koleksionin e famshëm të punëve të tij.

Të bashkëbisedoja, për të kuptuar sadopak magjinë artistike të tij.

Të jetoja mes personazheve të famshëm të tij.

***

Qazim Halil Arifi lindi në Përmet, më 10 dhjetor 1942.

Shkollën fillore e ka kryer në Tiranë, dhe më pas, gjatë viteve 1955-1960 ai ka ndjekur studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e skulpturës, nën drejtimin e pedagoges Kristina Koljaka.

Por, përse zgjodhi skulpturën dhe jo pikturën?

“Në një farë mënyre ma përcaktuan fatin, pasi kur hyra në lice më futën në grupin e skulpturës”, tha Arifi.


Viti 1956. Kursi i vizatimit në pallatin e kulturës Ali Kelmendi, i drejtuar nga Ndoc Kodheli. Në rreth, Qazim Arifi.


(Tetor 1959. Në oborrin e pasëm të Liceut Artistik, disa prej maturantëve. Në rreth, Qazim Arifi)


(1960. Kursi IV me pedagogun e vizatimit, Prof. Guri Madhi. Vizatimi kryhej bashkërisht nga nxënësit e të tre degëve: pikturë, skulpturë e qeramikë. Në plan të parë, nga e majta: Myrteza Fushekati, Pirro Dollaku, Bajram Mata, Bahri Jubani, Skënder Kamberi e Ferdinand Paci. Në planin e pasëm, në këmbë: Stavri Çati, Alajdin Tabaku, Nevruz Roçi, Valentina Balli, Guljem Mosi, Prof.Guri Madhi, Qazim Arifi (në rreth), Liljana Çefa, Gori Kostaqi, Kujtim Buza, Llazar Taçi dhe Spiro Loli).

Prej vitit 1960 – 1965, Qazimi ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e skulpturës, nën drejtimin e profesor Shaban Haderit.

Pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, ai ka marrë pjesë në disa ekspozita kombëtare, por në periudhën 1970-1990 për arsye të detyrave të tjera që iu caktuan, u shkëput nga aktivitetet artistike.

Pas viteve 1991 dhe në vazhdim, ai i është përkushtuar skulpturës.

Momentalisht, Arifi  jeton në Tiranë (Shqipëri) dhe në Chicago (Illinois, SHBA, ku ka dhe dy djemtë e tij).

***

“Kam ekspozuar punët e mia në Itali, SHBA, Spanjë, Gjermani, Belgjikë, etj. Pjesëmarrja ime e parë në një ekspozitë ndërkombëtare  ka qenë në Palermo, në Itali. U informova  për grupet që merreshin me organizimin e ekspozitave dhe i kontaktova. Doja të paraqitesha dhe të ballafaqohesha me artistët e tjerë. Nisi bashkëpunimi me ta dhe vlerësimi i tyre për punët e mia ishin maskimale”, tha Arifi për “Tirana Diplomat”.


Qazim Arifi, fitues i çmimit Vitori Sgarbi (2021)

Nderohet me certifikata ndërkombëtare.

***

E ftojnë vazhdimisht në ekspozita ndërkombëtare të rëndësishme.


Portreti ne bronz i Mirush Kabashit në Biennalen e Barcelones, 5.04.2019

Veprat e tij janë publikuar rregullisht në dhjetëra katalogë dhe albume të rëndësishme kushtuar artit.

“Unë kam hyrë në historinë e artit botëror, nuk ka shumë skulptorë në këto nivele”, tha Arifi, duke më treguar një numër të madh botimesh të rëndësishme në botën e artit.

***

 

 

Disa nga punimet e Arifit


Portreti i Artistit Mirush Kabashi, i paraqitur ne Biennalen Nderkombetare te Artit ne Mantova , date 8-16 Qershor 2019


Edi Rama, bronz


Busti i sipërmarrësit, Muhamet Malo


Presidenti Amerikan, Ronald Reagan


Luçiano Pavaroti, bronz


Oprah Winfrey, bronz

Me miq të artit


Me kritikun e artit, Philippe Daverio


Nje foto me nje grup artistesh nga Franca, Luksenburgu dhe Belgjika perpara Teatrit Politeama Greco Lecce 2 Dhjetor 2022

Lexo më shumë nga

Freitag: Ju tregoj frymëzimin shqiptar në një përvojë perëndimore

Intervistë me piktorin me famë nderkombëtare Gazmend Freitag dhënë për gazetën kombëtare “Nacional”

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.