Nirvana mes dy botëve, poezive të Faslliut dhe pikturave të Helidonit

Nirvana Haliti është bashkëshortja e poetit të ndjerë, Faslli Haliti dhe nëna e piktorit të famshëm Helidon Haliti.


Nga Dash Frashëri

“Nirvana, një filozofi e përjetësisë”

“Portreti i nënës, portreti i gjyshes, portreti i mamasë, portreti i bashkëshortes së poetit. Kemi 55 vjet që udhëtojmë së bashku”. Kështu e nisi rrëfimin mediatik, Helidon Haliti, një piktor poliedrik me një numër të pafundëm vlerësimesh ndërkombëtare.

Nirvana Haliti, bashkëshortja e poetit të ndjerë, Faslli Haliti dhe njëkohësisht, nëna e piktorit të famshëm Helidon Haliti, ishte përballë të birit në një rrëfim të sinqertë, sa emocional aq edhe prekës, duke i dhuruar një dimension të jashtëzakonshëm audiencës elitare të emisionit “Mes dy botëve” në televizionin shtetëror, RTSH, të moderuar me sukses nga i biri.

Nirvana mes dy botëve: poezive brilante të Faslliut dhe pikturave të mrekullueshme të Helidonit. Mes dy dashurive më të mëdha, ndaj bashkëshortit që tashmë i mungon prej tre vitesh dhe djalit të saj, piktorit moderator të emisionit më unik të televizioneve shqiptare, “nxënësit dhe shpirtit të saj”. 

E lindur në Korçë, në “Parisin e vogël” shqiptar, nga një familje me origjinë nga Leskoviku. Më 5 dhjetor 1945 . Sot, ajo është 78 vjeçe.

Jeta e çoi në Pogradecin, që ka liqenin më të bukur në Ballkan. Më pas në Librazhdin periferik, sërish pas transferimeve të babait të saj agronom. Mbaroi Pedagogjiken e Elbasanit.

“Nirvana”.

Një emër që vjen nga qiejt.

“Ma ka vendosur babai. Ka studiuar jashtë shtetit dhe gjithçka e ka të lidhur me emrin Nirvana”, thotë ajo, duke përmendur se edhe akulloret e preferuara të babait të saj quheshin “Nirvana”.

“Do të thotë përjetësi, mama”, thotë Helidoni. ” Mësova të pikturoj duke të vizatuar ty”.

Vëllai i Nirvanës,  Alfred Xhomo, punonte në Institutin e Kërkimeve në Lushnjë dhe atje ishte njohur me Faslliun.

Të dy shkuan në Elbasan, e morën Nirvanën dhe udhëtuan drejt Librazhdit. Ndërkohë që i ati i saj, punonte si shef bujqësie dhe ekonomist agrar në Lushnjë.

Nirvana 17-vjeçare ra në dashuri me poetin e ri, Faslli Haliti. Pikërisht në oborrin e Pedagogjikes së Elbasanit.

5 dhjetori është një ditë e shumëkuptimtë për të: dita e lindjes së saj dhe e Faslliut, Dita e dashurisë së përjtetshme.

Të dy e përjetuan me gëzim të paparë botimin e poezisë së parë të Faslliut në gazetën “Zëri i Rinisë”.

“Faslliu ishte një njeri që nuk donte të mburej, por vetëm t’i lumturonte njerëzit. Ishte idealist, dhe i tillë mbeti tërë jetën”, tregon e përlotur Nirvana.

Një celebrim i bërë nën reshjet e borës në Librazhd. Më 25 korrik 1965, dita e martesës. Kurorëzimi i dashurisë. I një dashurie të madhe. I një dashurie të konsoliduar midis vuajtjeve dhe persekutimeve të pamerituara, të imponuara nga regjimi më vrastar ndoshta në botën moderne.

***

Historia e familjes intelektuale Haliti, e dy mësuesve të nderuar, është një prej kapitujve më të errët në dosjet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Helidoni: Dhe pse e la Faslliu pikturën?
Nirvana: E mori poezia!

Të dënohesh për një poezi!

“Dielli dhe rrëkerat”. E botuar në tetor të vitit 1972, në gazetën “Zëri i Rinisë”. Atëherë, Faslliu ishte vetëm 37 vjeç.

“Faslliu mori shumë vlerësime, por ajo poemë u bë kalvari i jetës sonë. Por, ai nuk është bërë pishman që e shkruajti, pasi ai kritikonte, nuk shante”, tregon Nirvana.

Kjo ishte drama e Faslli Halitit, një prej poetëve më të talentuar të brezit të tij.

Një piktori të talentuar, që i braktisi artet për një dashuri të madhe: poezinë. Njëherësh edhe simbolika e dënimit të tij të pamerituar, për shkak të botëkuptimit modern të vargjeve. Një stili antikonfomist me shabllonizmin e ftohtë të realizmit socialist.

Dy fëmijtë e mi të vegjël vajza 7 vjeçe dhe djali 5 vjeç, më bënë sot këtë pyetje që unë s’e pata të lehtë t’i përgjigjesha:

-Babi, pyeti djali, pse nuk vijnë më në shtëpinë tonë xhaxhi Halili e xhaxhi Bardhi…?

-Kanë shumë punë – i gënjeva unë.

-Pse, kur vinin çdo ditë në shtëpinë tonë nuk kishin punë ata?

-Kishin, por jo kaq sa tani.

Djalit dhe vajzës s’ju mbush mendja. E kuptuan që unë nuk iu thashë të vërtetën.

Ata e kuptuan se diçka e madhe kishte ndodhur. Kaq. Nuk më pyetën më. Heshtën gjatë katër viteve që unë punova në fshat, 12 kilometra larg shtëpisë sonë”, ka treguar Faslli Haliti, një shkrim i botuar në VOAL.CH.

Mbijetesa e Familjes Haliti është gati biblike.

“Bënte jo vetëm kurse pikture, por edhe italishteje, vetëm për të mbijetuar”, tregon jo pa dhimbje në sytë e saj, Nirvana.

Gjithçka si pasojë e së ashtuquajtur “Luftës së Klasave”, një modeli të shëmtuar i huazuar nga regjimi stalinist. Ku nuk të vinte kush në shtëpi. Përveç ndonjë miku të sinqertë dhe guximtar.

“Akçe, vetëm Skënder Kamberi ka ardhur”, tregon Nirvana, duke përmendur me respekt, njërin prej piktorëve më të mëdhenj të arteve shqiptare.

Poeti u dënua duke e degdisur në fshatin në Fier-Shegan!

Por vargjet e tij nuk mund të dënoheshin kurrë! Ishin brenda shpirtit të tij!

Faslli Haliti me ardhjen e demokracisë mori të gjitha vlerësimet nga shteti shqiptar.

“Për ne ka qenë një shlyerje, e atyre vuajtjeve tona”, tregon Nirvana, e cila edhe ajo mund të konsiderohet një heroinë, për vetë kalvarin e saj.

“Kam vuajtur shumë, por nuk mund t’i tregoj dot të gjitha”.

Një jete mes një dashurie të madhe dhe një realiteti të hidhur.

Nirvana, e cila është dhe ajo një fituese e madhe, pasi mposhti në 2017 një sëmundje malinje. Me forcën e shpirtit të saj.

Me bekimin e Faslliut, bashkëshortit me të cilin ndau jetën e saj, qysh kur e takoi për herë të parë, kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe në vitin 1962.

“Nirvana qiellore”.

Nirvana e Përjetshme. E fiksuar në telajon e Helidonit.

Drita e syve të shpirtit të saj!

_________

Tiranë, më 12 janar 2023

 

 

Ekspozitë “In memoriam” për piktorin Nexhmedin Musaj

Në Galerinë e Artit "Eduard Lear" në Berat u hap ekspozita në nderim të piktorit të shquar beratas.

Sadik Kaceli, peneli i artë!

"Artist i Merituar" , "Artist i Popullit", "Nderi i Kombit". Një piktor që modernizoi shkollën shqiptare të arteve.

Sadik Kaceli, peneli i artë!

"Artist i Merituar" , "Artist i Popullit", "Nderi i Kombit". Një piktor që modernizoi shkollën shqiptare të arteve.

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit