
“NostraTempus” – Sepse thelbi fle thellë… në artin e Gazmend Lekës!
Ekspozita “NostraTempus” e piktorit të mirënjohur Gazmend Leka është e hapur në Gallery of Contemporary Art of Tirana

Nga Brunilda Çela
“Thelbi fle thellë”, thoshte i madhi Petro Zheji.

Ashtu si në artin e profesorit.
Ku piktura nuk është thjesht art pamor, por një strukturë kuptimore, një sistem shenjash, lidhjesh e ligjësish që kërkojnë të deshifrohen.

Ku gjuha, filozofia, historia, qenia, logjika, metafizika ulen këmbëkryq, në një përpjekje të përbashkët për të zbuluar rendin e padukshëm.

Çdo shenjë, çdo raport dhe çdo marrëdhënie mes elementeve mund të jetë çelësi i një leximi tjetër, i një shtrese tjetër kuptimi, i një rruge të re drejt njohjes.

Dhe aty, përtej asaj që syri sheh dhe mendja arrin të deshifrojë, arti i tij bëhet një bisedë e gjallë me përjetësinë, si zjarr primordial që i kujton materies se dikur ka qenë dritë, një dëshmi se njeriu mund ti afrohet të pafundmes përmes formës.

Sepse thelbi fle thellë… në artin e Gazmend Lekës!



















