
Kodra, universi përtej kohës
“Një portret fisnik, i qeshur, me atë thjeshtësinë që shpesh e kanë artistët e mëdhenj”

Nga Anila Mema
Kuratore e Ekspozitës “Deti dhe Muzika”

Ka takime që zgjasin vetëm pak minuta, por rruga e tyre mund të zgjasë një jetë. Personalisht, Ibrahim Kodrën e kam njohur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ishte hera e fundit që ai do të vinte në Tiranë, për një ekspozitë me rastin e 85-vjetorit të tij. Ishte mesi i vitit 2003. Mjaftueshëm verë. Një grup artistësh dhe gazetarësh e prisnin te rrapi i Galerisë. Kështu quhej asokohe ai vendtakim, një pikë e njohur për bisedat mes artistëve, gazetarëve dhe njerëzve të kulturës. Sot, aty qëndron instalacioni “Reja”.

Pas zbritjes nga avioni, ndalesa e parë e Kodrës ishte Galeria Kombëtare e Arteve. Unë isha në vitet e para të gazetarisë dhe dëshira për ta takuar, për ta parë nga afër dhe për të dëgjuar prej tij historinë e një jete kushtuar artit, ishte e madhe. Përpara nesh u shfaq një portret fisnik, i qeshur, me atë thjeshtësinë që shpesh e kanë artistët e mëdhenj dhe që, çuditërisht, ne të tjerëve na mungon.

“Che belle donne!” – u shpreh Kodra me naivitetin e një fëmije, kur në oborrin e Galerisë pa kaq shumë gra që e prisnin. Në ato vite, gazetaria kulturore dominohej në masë të madhe nga gazetaret femra. Kodra kishte veshur një xhaketë bezhë, gati në të qumësht, një ngjyrë që në gjuhën e piktorëve mund të quhej e verdhë napoletano; një palë gjysmë-opinga, sot fare mirë të imagjinueshme në garderobën e një fashionisteje; kapelën e tij tipike “alla Kodra”, ngjyrë bezhë me kuti, një kravatë bojëqielli me temina dhe një spilë të madhe mbi të. Si detajiste nga natyra, më tërhoqën vëmendjen edhe unazat në të dyja duart. Veçanërisht njëra, me një gur të madh jeshil. Ishte bizhu, ndonëse vite më vonë, pas vdekjes së artistit, shumëkush do të mendonte se bëhej fjalë për një gur të çmuar.

Ai shoqërohej në atë mbërritje nga Fatos Faslliu, sot administrues i testamentit dhe president i Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Milano. Unë nuk mund ta dija se ai takim do të ishte vetëm fillimi për ne. Ekspozita e 85-vjetorit pati jehonë të madhe. U prezantuan vepra të paekspozuara më parë, seriografi dhe punë që hapën edhe debate mediatike mbi origjinalitetin e tyre. U shkrua, u diskutua, u kundërshtua dhe u mbështet. Ardhja e Kodrës u shoqërua edhe me takime zyrtare, mes tyre me ministren e atëhershme të Kulturës, Arta Dade, dhe kryeministrin Fatos Nano. Por, përtej gjithë zhurmës së atyre ditëve, ajo ekspozitë pati, sipas meje, një tjetër rëndësi. Ishte një prej pikave të nisjes së një periudhe shumë të rëndësishme për Galerinë Kombëtare të Arteve.

***
Pas takimit të vitit 2003, marrëdhënia ime me Fondacionin “Ibrahim Kodra” nuk u mbyll me përfundimin e ekspozitës. Përkundrazi, ajo vazhdoi ndër vite. Herë si gazetare, duke ndjekur, shkruar dhe promovuar aktivitetet që lidhen me artistin; herë si bashkëpunëtore në projekte të ndryshme të Fondacionit. Vitet kaluan dhe emri i Ibrahim Kodrës vazhdoi të ishte pjesë e rrugëtimit tim profesional. Veprat e tij u ekspozuan nga Tirana në Kosovë, Shkup, Itali, Gjermani e më tej. Ekspozitat vijuan edhe pas vdekjes së artistit, me vepra autentike dhe, në shumë raste, të paekspozuara më parë. Kjo është edhe një prej detyrave më të rëndësishme të institucioneve dhe fondacioneve që kujdesen për trashëgiminë e një artisti: ta mbajnë veprën të gjallë, ta nxjerrin nga arkivi, ta vendosin përballë publikut dhe ta bëjnë të flasë sërish. Dhe Ibrahim Kodra vazhdon të udhëtojë.


***
Zgjedhja e detit dhe muzikës si bosht i ekspozitës nuk ishte e rastësishme. Veprat e përfshira në ekspozitë vijnë nga koleksioni i shtëpisë-muze të Kodrës në Milano, por edhe nga koleksione private. Janë 41 vepra, të përzgjedhura me një qëllim të qartë: të sjellim përpara publikut një Kodra më të gjerë, përtej një ose dy imazheve të njohura të tij. Kemi dashur të tregojmë një artist që nuk ndërtoi vetëm një stil, por një univers të tërë artistik. Një univers ku veprat nuk heshtin. Ato lëvizin, marrin frymë dhe kërkojnë të komunikojnë. Kodra shihet shpesh si artist i kubizmit, postkubizmit, abstraksionit apo artit informal. Të gjitha këto përcaktime janë të dobishme për historinë e artit, por mbeten të pamjaftueshme përballë një krijimtarie që ka kërkuar vazhdimisht një gjuhë përtej kufijve të rrymave.

Mbi 6000 vepra të tij gjenden sot në galeri dhe koleksione të ndryshme në botë në Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Vatikan, Angli, Greqi, Kosovë, Shtetet e Bashkuara, Brazil, Argjentinë, Japoni, Australi, Iran, Gjeorgji dhe vende të tjera. Kjo shtrirje dëshmon se gjuha e Kodrës nuk i përket vetëm një vendi apo një kohe. Ajo është pjesë e një universi artistik që ka ditur të komunikojë përtej kufijve. Në pikturën e tij, format duket sikur vijnë nga një qytetërim i panjohur. Figura njerëzore, peshq, varka, instrumente muzikore, ndërtesa dhe toteme bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë. Aty e shkuara dhe e ardhmja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën.


***
Për një artist të lindur në Ishëm dhe të formuar në Itali, deti nuk ka qenë thjesht një motiv artistik. Ai është horizont, por edhe largësi. Është udhëtim, por edhe kujtesë. Deti është hapësira që lidh brigjet e një jete të jetuar mes Shqipërisë dhe Italisë. Kodra e mbarti me vete Mesdheun si një shenjë. Një prej pikëtakimeve më interesante të Kodrës me poezinë është ai me Eugenio Montale, poetin italian dhe fituesin e Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 1975. Në poezinë e Montales, deti lidhet me idenë e hapësirës, qëndrueshmërisë dhe pastrimit nga e tepërta. Në pikturat e Kodrës, ai merr një tjetër trajtë: bëhet hapësirë, kujtesë, liri dhe pafundësi. Por nëse deti është kujtesa, muzika është lëvizja. Marrëdhënia e Kodrës me muzikën nuk ishte vetëm një zgjedhje tematike. Muzika ishte pjesë e jetës së tij. Veglat muzikore, nga benxhoja te kitara, nga mandolina te harmonika, nga fizarmonika e flauti shfaqen në mënyrë të përsëritur në krijimtarinë e tij. Edhe kënga ishte një prej pasioneve të tij të mëdha, e dokumentuar në regjistrime të ndryshme.


***
“Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika” nuk u konceptua si një ekspozitë vetëm me piktura. Kjo ishte e rëndësishme për mua që në fillim. Përveç 41 veprave, ekspozita solli për publikun edhe objekte personale të artistit, botime dhe materiale dokumentare, duke krijuar një portret më të plotë të njeriut dhe artistit. Një dokumentar mbi figurën dhe krijimtarinë e Kodrës ishte pjesë e këtij udhëtimi, sepse një artist nuk mund të kuptohet vetëm përmes veprave të tij. Pas tyre është gjithmonë një jetë, një histori, një kohë, një mënyrë të menduari. Dhe muzika, natyrisht, nuk mund të mungonte. Për këtë arsye, projekti u plotësua edhe me një koncert të konceptuar dhe kompozuar posaçërisht për Ibrahim Kodrën nga Robert Bisha, një tjetër mënyrë për ta përkthyer universin e artistit në një gjuhë tjetër. Piktura, dokumentari, objektet personale, botimet dhe muzika u vendosën kështu në një marrëdhënie të përbashkët. Jo për të shpjeguar Kodrën, por për ta bërë atë të përjetohet.
***
Sot, kur ekspozita është përfunduar dhe ka marrë një pritje shumë të mirë nga publiku, më rikthehet shpesh në mendje ajo ditë e verës së vitit 2003. Ajo vajzë e re, në vitet e para të gazetarisë, që priste te rrapi i Galerisë një artist të madh, nuk mund ta dinte se një ditë do të ishte ajo që do të ndërtonte një ekspozitë kushtuar tij. Nuk e dinte se do të bashkëpunonte për vite me Fondacionin “Ibrahim Kodra”. Nuk e dinte se gazetaria do ta çonte në marrëdhënie të tjera me artin, me artistët dhe me institucionet kulturore. Dhe sigurisht, nuk mund ta dinte se 23 vite më vonë do të qëndronte përballë veprave të tij, jo si gazetare që i dokumenton, por si kuratore që i ka përzgjedhur dhe i ka vendosur në një rrëfim të ri. Ndoshta disa histori nuk fillojnë atëherë kur ne vendosim t’i shkruajmë. Fillojnë shumë më herët. Në një takim të shkurtër. Në një ditë vere. Në një pyetje gazetari. Në një artist që të lë përshtypje. Në një emër që mbetet në kujtesë. Dhe pastaj, pa e kuptuar, vitet i lidhin të gjitha. Me kalimin e kohës kam kuptuar se në jetë nuk vlen vetëm talenti. Duhet punë, këmbëngulje, njerëzit e duhur dhe, herë pas here, edhe pak fat. Mua fati më ka ndjekur shpesh.
Kushdo që ka kaluar, edhe shkurtimisht, në segmentin tim, ka lënë diçka pas. Një shenjë, një gjurmë, një mësim. Dhe të gjitha këto, me kalimin e kohës, janë bërë pjesë e mozaikut të të qenit njeri.
Nga Kodra më ka mbetur edhe një fjali që e kujtoj nga një intervistë e tij: “Sa më të mëdhenj njerëzit, aq më kokëulur janë.”
Sot, 23 vjet pas atij takimi, e kuptoj shumë më qartë. Sepse madhështia e një artisti nuk është vetëm te ajo që krijon, por është edhe te ajo që lë pas. Te veprat që vazhdojnë të flasin, te njerëzit që vazhdojnë ta kujtojnë, te brezat që vazhdojnë ta zbulojnë. Dhe te mundësia që një ekspozitë e re t’i japë publikut një tjetër arsye për ta pare artibn e tij.


Për mua, “Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika” është pikërisht kjo. Është një ekspozitë, por është edhe një rikthim te ai takim me artistin, që më la një përshtypje kur sapo kisha nisur gazetarinë. Te një histori bashkëpunimi që vazhdoi për vite. Dhe, më në fund, një projekt që më dha mundësinë ta takoj sërish Kodrën, në një tjetër kohë dhe në një tjetër dimension. Dhe sot takimi ynë i dytë , ndodhi përballë veprave të tij. Dhe ndoshta kjo është mënyra më e bukur që mund të ketë një takim me një artist: kur ai nuk është më aty, por vepra e tij vazhdon të të flasë.


























