
Bashkëpunim mes Universitetit të Arteve dhe Akademisë së Arteve të Bukura të Leçes
Delegacioni italian takim me Rektorin e Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli si dhe Përgjegjësin e Sektorit të Projekteve, Prof. Pjetër Guralumi.

Një delegacion nga Akademia e Arteve të Bukura të Leçes në Itali (Accademia di Belle Arti di Lecce) i kryesuar nga Presidenti i saj, On. Nicola Ciraci’ dhe Drejtoresha e sapozgjedhur, Prof. Patrizia Staffiero, sëbashku me Drejtoreshën Administrative Anna Serena Cipressa dhe personel akademik të kësaj akademie, zhvilluan një takim me Rektorin e Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli si dhe Përgjegjësin e Sektorit të Projekteve, Prof. Pjetër Guralumi.

“Në vijim të zbatimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes dy institucioneve si dhe përvojave shumë pozitive të studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura gjatë vitit të kaluar akademik, u nënvizua nga të dyja palët nevoja e thellimit të këtij bashkëpunimi në kuadër të ndërkombëtarizimit të studimeve, si dhe të projektimit të aktiviteteve ndërkombëtare, ku studentët e programeve të studimit të Fakultetit të Arteve të Bukura si dhe të programeve të studimit Film dhe Skenografi e Kostumografi të Fakultetit të Artit Skenik, shkruan Universiteti i Arteve në postimin e tij në rrjetet sociale.

Titullarët e të dy institucioneve shkëmbyen disa dhurata simbolike që lidhen me botime e publikime mbi historinë e ndërtesës së vetë ABA Lecce, apo të gjeneratave të alumni 1930 – 1979, sikurse edhe publikimet e realizuara në kuadër të 60 vjetorit të Universitetit të Arteve dhe Konferencës së përvitshme Shkencore që organizohet pranë institucionit tonë.

Më tej, delegacioni italian vizitoi Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve, duke vlerësuar pozitivisht mundësitë për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në një hapësirë të restauruar dhe efikase.



















