
“NO MERCY”
Ekspozita e piktores Kristanja Çene është hapur te Galeria e Artit Tiranë, deri më 10 tetor

Nga Inda Sela
Kuratore e Ekspozitës

“NO MERCY”
I pyetur mbi praninë e zemërimit në veprat e tij, Basquiat shprehet: “It’s about 80% anger.” Kjo deklaratë është relevante edhe në këtë ekspozitë, jo si përcaktim tematik, por si një mënyrë për të kuptuar se si një gjendje emocionale mund të strukturojë vetë procesin e pikturimit dhe se si përvojat urbane bëhen forcë shtytëse për të prodhuar imazhe.

Kristanja hyn në këtë arenë jo si pjesë përbërëse, por si përjashtuese e rregullit dhe as duke kërkuar vend në hierarki, por duke u mbivendosur.

Nuk kërkon të asimilohet me të, kërkon caqet dhe pretekstin e saj për t’u shprehur. Përpiqet t’i atashohet skenës së artit duke u sjellë shkujdesur përmes trysnisë dhe kaosit të përditshëm.

Nga ku nis edhe lëvizjen e uritur drejt egos për t’u rivalizuar si artiste e lirë. Për të marrë vend aty ku rregulli thotë që nuk duhet të jetë. Ajo i drejtohet komplekseve të fshehura të saj dhe mënyrës se si vetëmenaxhon lirinë e shprehjes, duke e gjetur atë veçanërisht aty ku humbet kontrolli.
Artistët jetojnë përherë brenda një adoleshence të vetën edhe në këtë proces shfaqet vrulli i një adoleshence që nuk kuptohet si moshë, por si një gjendje e vazhdueshme e ndjeshmërisë dhe reagimit.

Emocioni nuk ka kohë të formulohet në fjali të rregullta, por del i papërpunuar, si revoltë që nuk pret miratim. I tillë është edhe konflikti i rrugës, ku artistja nuk kërkon ta dokumentojë, por ta përmbysë atë.

Ngjarjet mund të hiperbolizohen deri në kufirin e absurdit. Personazhet nuk janë gjithmonë të identifikueshëm, mund të jenë agresorë, viktima, dëshmitarë, miq, turma apo vetë artistja e fragmentuar nëpërmjet tyre. Shfaqen si role, tipologji, figura të deformuara, groteske, klouneske, që përplasen, zhduken dhe “vriten”, të ndërthurura me shenja e simbole si pjesë e një tensioni të vazhdueshëm.
Këtu rebelimi nuk mbetet më gjendje, por bëhet një qasje dhe piktura bëhet një hapësirë për ta çuar atë deri në ekstrem.

Titulli në këtë ekspozitë merr një kuptim edhe më të veçantë përmes tatuazhit të vëllait të saj. No Mercy shkëputet nga kuptimi i tij denotativ dhe bëhet një strategji, bëhet shkaku, bëhet mënyra e saj e të pikturuarit.

Ky titull nuk duhet lexuar vetëm si mungesë mëshire ndaj dikujt tjetër, por si një deklaratë pa frenim, që e tejkalon vërtetësinë përmes inteligjencës emocionale ku nuk pikturohet konflikti i jashtëm, por ai i brendshëm.
Kjo marrëdhënie me elementin konfliktual merr formën e një simbioze, ku artistja projekton një mënyrë tjetër të të qenit. Në dhomën e fundit ajo shfaqet duke përsëritur gjestin e tij dhe dëshiron t’u përgjigjet të tjerëve me të njëjtën papërmbajtje që ai shfaq.

Ajo që nisi si revoltë brenda kaosit përfundon në adoptimin e personazhit që ajo admiron dhe nuk lufton më për t’u bërë pjesë e botës që e vë në konflikt, por zgjedh të bëhet reflektimi i lirisë së tij.



















