Bashkim Ahmeti, ringjallja e penelit!

Në GOCAT, një nga hapësirat më të mëdha private të artit në Tiranë, Bashkim Ahmeti rikthehet me një ekspozitë të madhe


Nga Helidon Haliti

BASHKIM AHMETI, RINGJALLJA E PENELIT!

Bashkim Ahmeti është, pa dyshim, një nga emrat e rëndësishëm të pikturës shqiptare, një autor që i ka dhënë zë të fortë asaj tradite piktorike që u formua mbi disiplinën e vizatimit, kulturën e kompozimit, mjeshtërinë e ngjyrës dhe respektin pothuajse skolastik ndaj tablosë.

Sot, në GOCAT, një nga hapësirat më të mëdha private të artit në Tiranë, një investim me shumë mirësi dhe përgjegjësi kulturore nga Fondacioni Mane, me një staf të kujdesshëm e të përkushtuar, Bashkim Ahmeti rikthehet me një ekspozitë të madhe.

Në dukje është e thjeshtë të hapësh dhe të menaxhosh një galeri arti. Por të investosh sot në art në Shqipëri është pak a shumë si t’u shesësh akull eskimezëve. Ekonomikisht, kjo nismë mund të duket pothuajse vetëflijuese; kulturalisht, është domosdoshmëri.

Sidomos kur mendon se një galeri private arrin të ketë një aktivitet që shpesh e bën të duket edhe më të gjallë se vetë Galeria Kombëtare, e cila prej vitesh fle një gjumë të rëndë, sikur ministrat e kulturës të kohëve të ndryshme, apo vetë Kryeministri, t’i kenë dhënë tonelata me VALIUM!

Piktura shqiptare ndërkohë është lënë në një lloj vdekjeje klinike.

Dhe pikërisht për këtë, ekspozita e Bashkim Ahmetit nuk është thjesht një ekspozitë. Ajo ngjan me një zgjim.

Atë mbrëmje kishte shumë njerëz. Jo njerëz të veshur si VIP-at e festivaleve të filmit, ku kodi i veshjes duket se është përjetësisht “absolutely black”, por njerëz që mbanin mbi vete diçka shumë më të vështirë për t’u veshur: dinjitetin, historinë dhe dashurinë për artin.

Artistë, arkitektë, skenografë, pedagogë, njerëz me një vepër të gjatë pas vetes në zhanre të ndryshme të arteve pamore. Njerëzve u shkëlqenin sytë. Ndoshta sepse, për disa orë, po përjetonin ringjalljen e penelit.

Edhe unë u ndjeva mirë, megjithëse i veshur pak “punk”, me një bluzë të grisur, ndoshta po aq të grisur sa vetë historia e pikturës shqiptare e 35 viteve të fundit. Por përballë meje kisha njerëz që nuk kishin ardhur të shihnin njëri-tjetrin. Kishin ardhur të shihnin Bashkimin.

Dhe kjo është shumë.

Gjirokastra dhe Amerika në të njëjtën tablo

GOCAT kishte veshur të bukurat e saj. Muret mbanin një Bashkim Ahmeti dinjitoz, me një kolorit të pakursyer, ku Gjirokastra dhe Amerika nuk përplasen, por bashkëjetojnë.

Këtu qëndron një nga cilësitë më interesante të pikturës së tij. Bashkimi nuk e përdor biografinë si dekor. Ai e përpunon atë si strukturë piktorike.

Gjirokastra nuk mbetet vetëm qytet, arkitekturë apo kujtesë; Amerika nuk mbetet vetëm eksperiencë, emigrim apo modernitet. Të dyja hyjnë në të njëjtën hapësirë kromatike dhe ndërtojnë një tension mes prejardhjes dhe përvojës, mes kujtesës dhe së tashmes.

Bashkim Ahmeti hyn dhe del nga telajo i nxënë prej saj.

Ai e njeh mirë dimensionin, e kontrollon mjeshtërisht sipërfaqen dhe nuk trembet nga formati i madh. Përkundrazi, duket sikur aty ndihet më i lirë. Skenën nuk e mbush me objekte të ftohta, por me subjekte, me prani, me situata që kërkojnë të jetojnë brenda tablosë.

Natyrisht, ndonjë skeptik mund të thotë se aty ndërhyn skenografi. Dhe pse jo?

Skenografia është pjesë e ADN-së së tij profesionale. Por tek Bashkimi ajo nuk e mbyt pikturën; i jep asaj një sens të fortë të hapësirës, ritmit dhe vendosjes së figurës.

Ai e di se ku duhet të hyjë figura dhe, po aq e rëndësishme, ku duhet të pushojë piktura.

.

Një brez pa një kryevepër të vetme

Bashkim Ahmeti është autor i veprave të mëdha, por i përket një brezi për të cilin karriera artistike nuk mund të reduktohet lehtë në një tablo të vetme.

Në historinë e artit shqiptar kemi autorë që kujtesa kolektive i lidh pothuajse menjëherë me një vepër emblemë. Ka vepra si “Buka e duarve tona”, “Mic Sokoli”, “Vojo Kushi” apo “Epika e yjeve të mëngjesit”, ku një imazh i vetëm arrin të marrë mbi vete peshën e një periudhe, madje nganjëherë të bëhet më i njohur se vetë historia që e prodhoi.

Brezi ku vendoset Bashkim Ahmeti ndërton autoritetin ndryshe, përmes vazhdimësisë së veprës, cikleve, dhjetëra ekspozitave dhe dhjetëra tablove që ruajnë një nivel të lartë mjeshtëror.

Prandaj është e vështirë të veçosh vetëm një Bashkim.

Dhe ndoshta nuk duhet.

Forca e tij është pikërisht mesatarja e lartë e veprës. Çdo tablo kërkon të qëndrojë më vete, por njëkohësisht bëhet pjesë e një universi më të gjerë. Në këtë univers bashkëjetojnë të kundërtat e domosdoshme: figura dhe abstragimi, kujtesa dhe aktualiteti, Lindja dhe Perëndimi, Gjirokastra dhe Amerika, disiplina akademike dhe shpërthimi koloristik.

Amerika nuk e tjetërsoi

Bashkimi nuk u tut nga arti amerikan.

Por, më e rëndësishmja, nuk u përpoq as ta imitonte atë.

Ai i është shmangur me dinjitet modave të përkohshme, sharlatanizmave që herë pas here prodhon tregu amerikan apo europian dhe tundimit për ta ndryshuar identitetin vetëm që të duket “contemporary”.

Ka mbetur kokëfortë.

Kokëfortësia e mjeshtrit është ndryshe nga kokëfortësia e amatorit. E para lind pasi ke provuar shumë rrugë dhe ke vendosur se cila është e jotja.

Këtë insistim e gjejmë edhe te shumë artistë shqiptarë të brezit të tij, të cilët, pavarësisht transformimeve dramatike pas viteve ’90, nuk e braktisën pikturën si territor.

Dhe kjo sot meriton të rilexohet.

Sepse mediumi nuk është as modern, as i vjetër. E vjetër mund të jetë vetëm ideja.

Kuratori përballë një salle që nuk mjafton

Alkan Nallbani kishte një detyrë aspak të lehtë.

Dhe kjo dukej.

Nallbani vjen nga një familje me traditë të rëndësishme në artin shqiptar, ndërsa vetë operon prej vitesh kryesisht në SHBA, ekspozon në Europë dhe nuk e humbet mundësinë për t’u rikthyer në Shqipëri, herë si artist e herë si kurator.

Në këtë ekspozitë ai duhej të negocionte me një problem shumë konkret: bollëkun.

Sepse një ekspozitë e Bashkim Ahmetit nuk përkon natyrshëm me minimalizmin dhe selektivitetin që karakterizon shpesh shijen kuratoriale të Nallbanit.

Less is more.

Por çfarë bën kur artisti të sjell një jetë të tërë dhe çdo tablo kërkon mur?

Këtu fillon kurimi i vërtetë.

Alkani ka një elegancë të admirueshme, një edukatë të rrallë qytetare dhe një kujdes pothuajse kirurgjikal në marrëdhënien me veprën. Pikërisht për këtë, do të thosha se kjo sallë nuk i mjaftoi. Me sasinë dhe përmasat e veprave që Bashkimi mund dhe dëshiron të ekspozojë, do të duheshin ndoshta edhe katër salla të tjera.

Një nga risitë më të bukura ishin vizatimet e paekspozuara më parë. Aty syri mund të largohej për një çast nga fuqia e ngjyrës dhe të shihte skeletin e piktorit: vijën.

Dhe vija nuk gënjen.

Shtëpitë e gurit kërkojnë qilima

Galeria atë mbrëmje ishte plot, si rrallëherë.

Arti bashkëkohor shpesh i ftoh mushkëritë tashmë të sëmura të kryeqytetasve, ndërsa këtu ndodhte e kundërta. Publiku qëndronte, fliste, afrohej, rikthehej te veprat.

Nuk e them këtë për të paragjykuar asnjë medium dhe asnjë mjet shprehjeje të artistëve të rinj apo të mesëm. Arti ka të drejtë të përdorë gjithçka.

Por hapësirat kanë kujtesën e tyre.

Dhe ndonjëherë muret kërkojnë harmonikisht PENELIN.

Shtëpitë e gurit kërkojnë qilima. Moketat e IKEA-s nuk rrinë gjithmonë mirë në kullat e gurit.

Mikrofoni që nuk punonte

Piktorët e periudhës së diktaturës qenë shpesh të heshtur. Zërin ua kontrollonin, ua filtronin, ndonjëherë ua bllokonin.

Dhe, si për ironi, atë mbrëmje Bashkim Ahmetit nuk i punonte mikrofoni.

Herë i vinte zëri, herë i ikte.

Një ironi e vogël teknike, por një metaforë e madhe historike.

Hera e fundit që i kishte ndodhur diçka e ngjashme ishte rreth dyzet vjet më parë, kur punonin në Piramidë për ngritjen e muzeut të Enver Hoxhës.

Tani Bashkimi ishte kthyer aty.

Në dukje, “në vendin e krimit”, do të thoshin skeptikët.

Por kësaj here pa armë ideologjike.

Kishte ardhur me tablotë.

Dhe ato festonin mbi muret e ftohta të Piramidës, ndërsa hijet e së kaluarës, të paktën për atë mbrëmje, dukej sikur ishin tërhequr.

Një karrige që mungonte

Në fjalën e hapjes prisja Kujtim Buzën.

Por ai ishte larguar nga kjo botë vetëm dhjetë ditë më parë.

Dhe fjalën e lamtumirës e mbajti Bashkimi. Me letër në dorë, korrekt, konsekuent, pothuajse ceremonial. Shenjë e një shkolle strikte, e një brezi që e ka marrë artin seriozisht dhe që nuk e ka konsideruar kurrë pikturën si aksesor të jetës, por si vetë jetën.

Një nga një, aktorët e asaj shkolle po largohen.

Por vepra do të vazhdojë të shtegtojë edhe pa ta.

Do të hyjë në galeri, në koleksione, në shtëpi, në libra dhe në kujtesë. Do të mbetet aty edhe kur duart që e krijuan nuk do të jenë më.

Dhe ndoshta një ditë, kur Galeria Kombëtare të zgjohet më në fund nga VALIUMI, të hapë dyert dhe ta rikthejë pikturën shqiptare në dialog me publikun, edhe shpirtrat e artistëve të mëdhenj shqiptarë do të gjejnë pak më shumë qetësi.

Alkan Nallbani ndërkohë mezi pret, besoj, të gjendet sërish përpara kavaletit të vet dhe të dalë edhe ai i nxënë nga tabloja e radhës, nga piktura e tij e mrekullueshme.

Bashkimi vazhdon të pikturojë.

Të tjerët vazhdojnë të kërkojnë.

Sepse brezat udhëtojnë në korsi të ndryshme.

Destinacioni ka rëndësi, jo korsia!

MË SHUMË LAJME

Realizmi, Realizmi social, Realizmi socialist. Të afërt, por aspak të ngjashëm!

Nga Suzana Varvarica Kuka Disa herë e shoh të arsyeshme të shkoj tek lexuesi me tekstet e mia, sepse debatet…

Bashkim Ahmeti, ringjallja e penelit!

Nga Helidon Haliti BASHKIM AHMETI, RINGJALLJA E PENELIT! Bashkim Ahmeti është, pa dyshim, një nga emrat e rëndësishëm të pikturës…

“Wanderlust” – Piktura si gjeografi e kujteses

Nga Alkan Nallbani Piktor, kurator i ekspozitës Ekspozita personale "Wanderlust" bashkon temat qendrore të pikturës së Bashkim Ahmeti Izanos: mitin…

Hyr në studion e një piktori. Hyr në shpirtin e tij!

Nga Helidon Haliti HYR NË STUDION E NJË PIKTORI. HYR NË SHPIRTIN E TIJ. Ju ftoj në studion time, jo…

Realizmi, Realizmi social, Realizmi socialist. Të afërt, por aspak të ngjashëm!

Historia shqiptare i ka përcaktuar periudhat e zhvillimit të artit pamor shqiptar

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.