“Rrobalarësja”, piktura e një mjeshtri që vdiq në varfëri

Sot, kjo vepër e Jean-Baptiste Greuze është shembull i mënyrës se si arti i zhanrit, shpesh i konsideruar i ulët apo modest, ka fuqinë të mbajë brenda vetes dinjitetin e historisë së përditshme. Përmes një rrobalarëseje të panjohur


Nga Albert Vataj

“Rrobalarësja”, piktura e një mjeshtri që vdiq në varfëri dhe e mbuloi harrimi për dy qindvjeçarë

Rritja e vlerës së kësaj pikture nis pikërisht nga fakti se ajo mban mbi shpinë jo vetëm historinë e një figure të përulur, por edhe fatin estetik e njerëzor të një artisti të zhytur në harresë. “Rrobalarësja” nuk është vetëm një skenë intime e jetës së përditshme, por një metaforë e gjallë e mënyrës si arti mund të shndërrohet në dëshmi të heshtura të dinjitetit njerëzor, përtej rrënojave të kohës dhe rrjedhave të fatit.

Figura e gruas që lan rroba është ndërtuar mbi një kontrast të bukur: nga njëra anë thjeshtësia e veprimit të saj, nga ana tjetër ndriçimi delikat që e bën atë të duket e paprekshme, gati sakrale. Greuze, mjeshtër i detajeve psikologjike, e koncepton këtë figurë jo si një shërbyese të rrëgjuar nga puna, por si një prezencë të hapur dhe të sinqertë, një individ që ruan dinjitetin e vet edhe në mes të një detyre të rëndomtë. Prania e saj vizuale është e ngrohtë dhe e prekshme: sytë e kthjellët, vështrimi i çiltër, qëndrimi i lirshëm, të gjitha organizohen për t’i dhënë skenës një përmasë të papritur humaniteti. Ajo nuk pozon, ajo ekziston.

Ky realitet i drejtpërdrejtë, pothuaj i papërpunuar, është një nga risitë e Jean-Baptiste Greuze. Ai merr motive të hollandezeve dhe flamanëve të shekullit XVII, por iu shton atyre një sensibilitet emocional tipik për rokoko-n e vonë dhe për klimën morale të shekullit XVIII në Francë. Kjo e vendos “Rrobalarësen” në pikëtakimin mes pikturës së zhanrit dhe pikturës morale, ku intimiteti i jetës së përditshme ngrihet në nivel simbolik.

Në këtë vepër drita luan rolin e narratorit. Ajo i jep trupit të rrobalarëses një transparencë që e bën figurën të duket si e kapur në një çast të ndërmjetëm, mes reales dhe një zone pothuaj mitike. Nëse shikimi i spektatorit përshkon kohën për të shkuar tek gruaja, edhe gruaja përshkon kohën për t’u kthyer tek spektatori. Kjo krijon një marrëdhënie që e mposht distancën prej tre shekujsh dhe e bën veprën të duket e afërt, e tanishme, e njohur.

Ndjenja e nostalgjisë nuk vjen vetëm nga profesioni i saj, tashmë i zhdukur nga jeta moderne, por nga mënyra se si Greuze e ka koduar këtë figurë me një vlerë universale të përulësisë dhe qetësisë njerëzore. Teksti narrativ i ngjyrave, i penelatave të bardha dhe i ndriçimit të butë krijon një atmosferë ku shikuesi gjen qetësi, afeksion, një lloj mallëngjimi që ka të bëjë jo me të kaluarën, por me mundësinë e intimitetit të thjeshtë që koha moderne e ka mbytur.

Nëse Greuze ishte një prej autorëve më të vlerësuar të epokës së tij, rënia e tij pas Revolucionit Francez është po aq dramatike sa përmbysjet që pësuan heronjtë e pikturave të tij morale. Ai humbi jo vetëm statusin, por edhe vetë dinjitetin profesional. Vdiq i varfër, i braktisur, i harruar. Pikërisht për këtë historia e “Rrobalarëses” është edhe një histori metaforike mbi mënyrën si arti dhe arti-faktet mund të mbijetojnë mbi rrënimin e jetës së autorit. Veprat e tij u mbyllën në koleksione private, përfshirë këtë pikturë që për më shumë se dy shekuj u fsheh nga publiku. Kur Muzeu Getty e bleu në vitin 1983, piktura doli nga mbyllja sikur të dilte nga një periudhë letargjie, një rikthim i vonuar, por i domosdoshëm.

Ky rizbulim solli një rivlerësim të qëndrueshëm të Greuze si artist. Pikturat e tij u rishikuan nën prizmin e historisë së Ancien Régime, duke nxjerrë në pah jo thjesht estetikën rokoko, por një vijë të thellë empatike dhe morale që lidh historinë njerëzore me përditshmërinë. “Rrobalarësja” u bë një nga dëshmitë më të qarta të kësaj. Aty ku shekujt shuan zërin e piktorit, drita e pikturës së tij foli me një gjuhë të pakontestueshme njerëzore.

Sot, kjo vepër është shembull i mënyrës se si arti i zhanrit, shpesh i konsideruar i ulët apo modest, ka fuqinë të mbajë brenda vetes dinjitetin e historisë së përditshme. Përmes një rrobalarëseje të panjohur, Greuze ruajti një të vërtetë të madhe: se intimiteti njerëzor, qoftë edhe i përulur, mbetet i pakonkurueshëm nga ideologjitë, nga pushtetet, nga harresa dhe nga koha.

(Marrë nga postimi në Facebook i autorit)

Lexo më shumë nga

MË SHUMË LAJME

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Nga Ylli Drishti Historian dhe kurator arti Botimi “Eposi në artet pamore shqiptare”, i studiueses Suzana Varvarica Kuka, përbën një…

“Eposi në artet pamore” nga Suzana Varvarica Kuka

Nga Prof. Gazmend Leka Me sa njohuri kam, studime të plota mbi ilustrimin dhe ilustratorët e “Eposit Shqiptar” janë thuajse…

Etnosi dhe ndërtimi i imazhit kombëtar në artin shqiptar të shekullit XX

Nga Prof. Asc. Dr. Ermir Hoxha Nëse shekulli XIX shqiptar ishte shekulli i zgjimit dhe i formulimit politik të identitetit…

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Komisioni i Përhershëm i Arteve dhe Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuan promovimin…

Fond Kombëtar për blerjen e veprave të artit!

Një pjesë e parave që institucionet publike kursejnë nga tenderët mund të përdoret për blerjen e pikturave, veprave të artit,…

“Aleksandër Moisiu”, një krijim i guximshëm!

Nga Ivo Moja Kemi dëgjuar shpesh debate dhe kritika rreth veprës skulpturore kushtuar ikonës sonë të skenës botërore, Aleksandër Moisiut,…

Dita Ndërkombëtare e Artistëve

Çdo vit, më 25 tetor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Artistëve, një ditë kushtuar krijimtarisë, imagjinatës dhe talentit të artistëve në…

“Korça e kohës sime”

Galeria e Artit “Guri Madhi” në Korçë mirëpriti ekspozitën personale të piktorit Agron Shahinas. Një takim piktotik kushtuar qytetit, kujtimeve…

“Eposi në artet pamore shqiptare”

Një studim nga Suzana Varvarica Kuka, mbi ndërthurjen e trashëgimisë gojore me artet pamore shqiptare

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.