
Shpresa Milaqi Bajko, “Zonja” që i shndërroi ëndrrat në ngjyra
Një grua, një artiste, një frymëzim. Shpresa Milaqi Bajko, një emër shkëlqen në qiellin e artit durrsak.

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Në qytetin bregdetar të Durrësit, aty ku Adriatiku flet me dallgët e tij të pafundme dhe rrugicat mbajnë aromën e kripës dhe historisë, jeton një grua që ka ditur t’i japë ngjyra jetës së saj dhe të të tjerëve: Shpresa Milaqi Bajko. Është një nga zërat më të fortë të pikturës bashkëkohore durrsake, artiste e pandalur, e cila ka shndërruar pasionin në mision. 55-vjeçare, bashkëshorte e përkushtuar e Petrit Bajkos dhe nënë e një djali, Gentit, Shpresa është modeli i gruas, që di të ndërthurë rolet: nënë, bashkëshorte, profesioniste, artiste.
Por Shpresa nuk ka qenë gjithmonë “piktorja që admirojnë artdashësit e qytetit”. Historia e saj është historia e një gruaje punëtore, e lindur nga rrënjët e thjeshta të jetës, që nisi si rrobaqepëse, me një makinë qepëse pranë dritares, ndërsa ëndrrat për pikturën gumëzhinin brenda shpirtit të saj. Një rrugë e gjatë, me sfida e sakrifica, por e ndritur nga drita e talentit dhe nga forca e karakterit.
Por për ta kuptuar Shpresën si artiste, duhet ta njohësh edhe si njeri. Grua e zonja, e dashur, e rrethuar nga shoqëri e pastër, që e respekton dhe e adhuron. Shpirt i ndjeshëm, që nuk harron rrënjët dhe kujdesin për prindërit e saj edhe kur rruga e jetës e ka çuar larg tyre. Shpresa është përherë aty ku duhet: në atelienë e saj, përballë kanavacës që pret ngjyrat, apo në gjirin e familjes ku gjen qetësinë e saj më të madhe.
Në Durrës, emri i Shpresa Milaqi Bajkos përmendet me respekt, jo vetëm nga artistët, por edhe nga qytetarët e thjeshtë, që e admirojnë për punën, përkushtimin dhe humanizmin. Mbetet shembulli i gjallë që arti nuk lind vetëm nga talenti, por edhe nga puna, këmbëngulja dhe dashuria për jetën. Dhe kjo e bën Shpresën jo vetëm piktore të talentuar, por edhe një kryezonjë të respektuar të Durrësit.
Forca e trashëgimisë dhe ndjeshmëria njerëzore
Çdo artist i madh bart me vete histori të brendshme dhe tek Shpresa kjo histori lidhet ngushtë me familjen e saj të origjinës. Vajzë e ndjeshme, që rritej mes dashurisë për prindërit dhe respektit për punën. Kur rrëfen për fëmijërinë, i shkëlqejnë sytë. “Prindërit më mësuan të jem e fortë, por edhe e butë si ngjyra që vendos mbi telajo”, ngacmon shpesh Shpresa këtë refren të jetës. Lidhje e ngrohtë me rrënjët është ende gjallë: Shpresa nuk harron të përkujtojë e të kujdeset për kujtimin e tyre, gjë që e bën edhe më njerëzore edhe më të ndjeshme.
Nëse e pyet për sukseset, Shpresa buzëqesh me thjeshtësi. Për të, arti nuk është luks, por nevojë; nuk është karrierë, por frymëmarrje. Dhe ndoshta ky është sekreti i saj: ajo nuk pikturon për famë, por për dashurinë ndaj ngjyrës, formës dhe jetës. “Çdo pikturë është një copëz nga unë” shprehet. Dhe vërtet, kur sheh punët e saj, ndjen praninë, shpirtin që flet me gjuhë universale.
Shpresa Milaqi Bajko është ndër piktoret më aktive të Durrësit. Në dekadën e fundit, ajo ka hapur disa ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në shumë të tjera kolektive, duke sjellë gjithmonë diçka të re, një ide, një frymë, një ndjenjë që prek zemrën e artdashësve. Çdo hapje ekspozite, është kthyer në ngjarje të vërtetë qytetare, ku përzihen emocionet, kritikat pozitive dhe surprizat e artit bashkëkohor shqiptar.
Jehona në mediat lokale dhe kombëtare, e kanë cilësuar shpesh si “zë origjinal, me një sinqeritet ngjyrash dhe një guxim shprehës”. Në rrjetet sociale, fotot e veprave të saj marrin dhjetëra komente pozitive nga artdashës nga i gjithë vendi. Dhe kjo nuk është e rastësishme: Shpresa nuk imiton, nuk ndjek modën, por krijon me shpirt dhe me gjuhën e saj vizuale autentike.
Nga rrobaqepësia tek arti – Rrugëtimi i pasionit
Në një kohë kur jeta kërkonte siguritë e veta, Shpresa punonte si rrobaqepëse, duke u bërë mjeshtre e hollësive, e linjave elegante, e pëlhurave që merrnin formë nën duart e saj. Por, ndërsa punonte me makinë qepëse, mendja i shkonte tek telajoja bosh që e priste në një qoshe të shtëpisë. Atje derdhte shpirtin, ndoshta fillimisht si lojë, si kuriozitet, por më pas si nevojë ekzistenciale.
“Nuk mund ta braktisja ngjyrën, ajo më thërriste”. Dhe vërtet, Shpresa ia doli që nga puna e thjeshtë me copa, të krijonte vepra që sot flasin me gjuhën e artit. Ky është një mësim për këdo: pasioni nuk shuhet kurrë, kur i ushqen shpirtit dritë.
Profesionalisht, Shpresa është mjeshtre e vajit mbi kanavacë dhe e akuarelit, dy teknika që kërkojnë aftësi të ndryshme dhe ndjeshmëri të veçantë. Në punimet vëren dashuri për detajet, por edhe lirshmëri në trajtimin e sfondit, një kombinim që i jep pikturave jetë dhe lëvizje. Kompozimi është i balancuar, me linja që udhëheqin syrin drejt qendrës së emocioneve, aty ku furça e saj lë vulën e gjallë të shpirtit krijues.
Di të përdorë ngjyrat jo vetëm si element dekorativ, por si gjuhë shprehëse, ku çdo ton ka funksion psikologjik. Bluja e detit është gjithmonë një e kaltër e thellë, që flet për qetësinë, por edhe për misterin; e verdha, për dritën dhe ngrohtësinë; e kuqja, për jetën dhe pasionin. Ky dialog ngjyrash e bën artin e saj të prekshëm, të gjallë, komunikues.
Shpresa ka filluar udhëtimin, si shumë gra shqiptare: me punë të thjeshta, me duar që krijonin bukuri nëpërmjet fijeve dhe stofrave. Rrobaqepësia ishte zanati që i dha disiplinë, këmbëngulje dhe aftësinë për të parë detajin, elementë që tani ndriçojnë në çdo vepër të saj artistike. Nga puna e thurur me durim në makinë qepëse, tek peneli që prek kanavacën me ngjyra, kalimi i saj drejt artit nuk ishte një hap i thjeshtë, por thirrje e brendshme, nevojë për të shprehur botën e saj shpirtërore përmes formës dhe ngjyrës.
Ngjyra, drita dhe lëvizja
Shpresa Milaqi Bajko ka një stil që mund ta quash emocional realist, ku realiteti nuk është thjesht riprodhim, por interpretim i brendshëm. Ngjyrat e saj janë të forta, të pastra, por jo agresive, janë si frymëmarrje e natyrës. Dominon bluja e thellë, jeshilja që të kujton freskinë e pyjeve dhe e tokës, si dhe e kuqja që shpërthen në motivet florale.
Pikturat e saj janë të mbushura me dritë. Nuk është dritë e fortë, por një dritë e butë, që të kujton orët e mëngjesit pranë detit. Kompozimi është i ekuilibruar, shpesh me një harmoni që nuk e sheh shpesh tek artistët e rinj. Dhe mbi të gjitha: ka shpirt. Çdo vepër është një rrëfim i heshtur, një histori që të fton ta lexosh. Piktura në akuarel (ose akvarel) është teknikë pikturimi, që përdor ngjyra të tretura në ujë mbi letër të posaçme. Ajo karakterizohet nga transparenca, lehtësia dhe delikatesa e ngjyrave, të cilat krijohen duke shfrytëzuar dritën, që reflektohet nga letra përmes shtresave të hollë të bojës
Në pikturat e Shpresës, natyra është prani e pandashme. Ajo e sheh dhe e përjeton peizazhin si organizëm të gjallë, ku drita luan mbi ujin, ku pemët marrin frymë, ku horizonti nuk është thjesht një vijë, por kufi mes ëndrrës dhe realitetit.
Ngjyrat e saj janë të pastra, të ngrohta, plot jetë; ato shprehin optimizëm që buron nga thellësia e shpirtit. Në një prej cikleve më të njohura, “Ngjyrat e Detit”, deti Adriatik nuk është vetëm ujë dhe rërë, është pasqyrë e shpirtit të artistes, rrëfim për qetësinë dhe trazimin, për përjetësinë dhe kalueshmërinë.
Por Shpresa nuk është vetëm një peizazhiste. Eksperimenton me kompozime që ngërthejnë elementë figurativë dhe abstraktë, duke e çuar shikuesin drejt një përjetimi të thellë. E trajton raportin mes njeriut dhe vetes së saj, duke përdorur forma të lira dhe kontraste të forta ngjyrash. Këtu del në pah tjetër dimension i saj: filozofik, meditativ, përpjekje për të kuptuar ekzistencën përmes artit.
Stili i Shpresës është përzierje e elegancës së ekspresionizmit dhe realizmit të butë, me theks të veçantë në ndriçimin dhe ngjyrat që i japin jetë çdo pikture. Ajo punon kryesisht me vaj dhe akuarel, duke krijuar veprat me transparencë të lartë, nuanca të ngrohta dhe të gjalla, që ftojnë shikuesin të ndiejë thellësinë e emocioneve dhe të peizazheve që portretizon.
Nga veçantitë e veprave të Shpresës, është përdorimi i dritës natyrale mesdhetare, që i jep veprave të saj ndjesi ngrohtësie dhe intimiteti. Peizazhet bregdetare, natyra e gjallë dhe skena urbane që pikturon, shpesh përmbajnë detaje të imta dhe plot simbolikë, që i bëjnë ato të jenë më shumë sesa pamje. Janë histori të jetuara dhe ndjenja të thella.
Në teknikën e vajit, shfrytëzon shtresat e holla të ngjyrave për të ndërtuar volum dhe ndjesi të thellësisë, ndërsa akuarelet janë të njohura për spontanitetin dhe lëvizshmërinë që transmetojnë. Ky kombinim teknikësh, i jep veprave të saj jetë dhe shpirt unik. Stilistikisht, Bajko sjell realitetin dhe emocionalitetin në një dialog mes bojës dhe penelit, një nënvizim i qëndrueshëm se arti i vërtetë është i përhershëm, ndriçon dhe mbijeton edhe kohe të vështira.
Ekspozitat
Afërdita ka zhvilluar më shumë se 15 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në dhjetra ekspozita kolektive, jo vetëm në Durrës apo Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës. Ky aktivitet i pandërprerë tregon jo vetëm përkushtimin e saj, por edhe njohjen, vlerësimin që ka fituar në komunitetin artistik.
“Çdo ekspozitë është një kapitull i ri, një ftesë për publikun që të hyjë në botën time, të ndjejë ngjyrat dhe emocionet”. Veprat e saj janë të njohura për përdorimin e mjeshtërisë së teknikave të ndryshme, të cilat i trajton me delikatesë dhe kontroll të jashtëzakonshëm.
Në kohën kur arti bashkëkohor shpesh kërkon forma të ndërlikuara dhe abstrakte, Shpresa kthehet tek thelbi i bukurisë së thjeshtë dhe të pastër: drita, natyra, familja, qyteti. Kjo e bën ekspozitën e saj jo vetëm një udhëtim estetik, por edhe një reflektim mbi jetën, kujtesën dhe përjetimet njerëzore.
Vlera e veprës së Shpresa, qëndron në kombinimin unik të mjeshtërimit teknik dhe ndjeshmërisë emocionale që sjell në çdo pikturë. Stili është bashkëjetesë harmonike mes natyrës dhe imagjinatës, ku çdo ngjyrë dhe formë duket se ka shpirt dhe histori. Jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, Shpresa është e njohur në bienalet ndërkombëtare të akuarelit, pjesëmarrje që e ka çuar në vende si Indonezi, Bangladesh, Itali, Çeki dhe Viet¬nam. Akuareli është teknika e preferuar e saj dhe ajo është bërë pjesë e komuniteteve artistike ndërkombëtare, që vlerësojnë ndjeshmërinë dhe transparencën estetike të kësaj forme.
“Nuk e kuptoj dot jetën pa pikturën. Është e përditshme dhe është momenti më i bukur, që më jep qetësi shpirtërore. Frymëzimi në pikturë më vjen nga gjithçka në përditshmëri, çdo hap që hedh është motiv për ta hedhur në telajo” shprehet piktorja e njohur.
“Vërtet piktura të fal atë që nuk ta jep askush tjetër, qetësinë. Piktura është relaks. Periudhën që pikturon, stakohesh nga çdo gjë tjetër. Për mua është gjëja më e bukur.”
Gruaja, nëna, shoqja – Një jetë me vlera
Përveçse artiste, Shpresa është model gruaje durrsake: punëtore, e përkushtuar ndaj familjes, bashkëshorte që ka ndarë me Petrit Bajkon jo vetëm hallet e jetës, por edhe gëzimet dhe mbi të gjitha nënë e Gentit, që është krenaria e saj. Miqtë e përshkruajnë si shoqe të sinqertë, të dashur, plot humor dhe energji pozitive. Në çdo aktivitet kulturor ku merr pjesë, Shpresa nuk sjell vetëm piktura, por edhe ngrohtësi njerëzore.
Përveç pikturës, Shpresa është një grua që e çmon familjen dhe rrënjët e saj, duke treguar kujdes të veçantë për prindërit dhe lidhje të forta familjare.
“Familja është burimi im i forcës dhe frymëzimit,” thotë ajo. Në profesionin e saj si rrobaqepëse, ajo ka mësuar se çdo detaj ka rëndësi, një filozofi që e ka transferuar edhe në art.
Zë i fuqishëm i artit durrsak
Shpresa Milaqi Bajko nuk është më vetëm një piktore, që punon në atelienë e saj. Ajo është një zë i rëndësishëm i artit të qytetit, një shembull frymëzues se si mund t’i japësh jetë ëndrrave edhe kur rruga duket e vështirë. Me ekspozitat e shumta, me punët e saj që udhëtojnë nga Durrësi në skenat e tjera të Shqipërisë dhe jo vetëm, ajo ka vërtetuar se arti është i gjallë kur punon me shpirt.
Nëse një ditë do të shkruhej një libër për gratë e forta të Durrësit, Shpresa do të zinte një kapitull të veçantë. Sepse ajo na mëson se ngjyrat nuk janë vetëm në telajo, por edhe në jetën tonë, mjafton të dimë t’i kërkojmë.
Shpresa Milaqi Bajko është shembull i shkëlqyer i përkushtimit, talentit dhe zemrës së madhe që mund të ketë një artiste. Pikturat e saj janë më shumë se thjesht ngjyra mbi kanavacë. Ato janë dritare të shpirtit dhe tregime që lidhin natyrën, ndjenjat dhe kujtesën në një kompozim të harmonishëm dhe të gjallë.
Veprat e Shpresës janë një ftesë për të ndjerë, për të reflektuar dhe për të çmuar bukurinë e jetës dhe artit. Ajo vazhdon të punojë me pasion të jashtëzakonshëm, duke frymëzuar artdashësit dhe brezat e rinj, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë artistike të Durrësit dhe më gjerë.
Shpresa Milaqi Bajko na fton të shohim më shumë se thjesht piktura; ajo na fton të hyjmë në një botë ku çdo vijë është një rrëfim, çdo ngjyrë një ndjesi dhe çdo peizazh një histori e gjallë që mezi pret të tregohet.
Siç thotë vetë ajo me një ndjenjë të thellë krenarie dhe përkushtimi:
“Çdo pikturë është një pjesë e shpirtit tim, një histori që dua ta ndaj me botën.”
Një grua, një artiste, një frymëzim. Shpresa Milaqi Bajko, një emër që do të vazhdojë të shkëlqejë në qiellin e artit durrsak.
Durrës: 19 korrik 2025