Qyteti i siluetave të gdhendura në gur!

Arkitekti Andi Papastefani boton librin e tij me skica: “Gjirokastër – Duke u ngjitur dhe skicuar”, pas Tiranës dhe Beratit.


Nga Ark. Andi Papastefani

Mënyra më e mirë për ta njohur e kundruar Gjirokastrën historike është duke i besuar ecjes ndër udhët e saj të kalldrëmta. Ecja e ka shoqëruar njeriun, nga ana tjetër, qysh nga origjina, por që në vetvete është një formë meditimi, ku përfshihen të gjitha shqisat. Në këtë mënyrë harmonizohen më mirë marrëdhëniet midis njeriut, hapësirës që e rrethon, kohës dhe vetë historisë.

Në qytetin historik është e natyrshme rrugëtimi në udhët e pjerrëta (poshtë e lart) dhe, të lakuara çuditshëm (në formë gjarpri, kurriz deveje, grepi, etj.), ndërsa lëvizja në rrugë të drejta përbën një përjashtim, pikërisht kjo veçanti na sjell ndër mend fjalët e Antonio Gaudit, se: “vija e drejtë i përket njeriut, ndërsa vija e lakuar i përket, vetë Zotit”. Vetëm përmes ecjes, kuptohet e veçanta dhe lexohen dimensionet e vërteta të këtij qyteti. Kështu erdhi radha që në vazhdën e trajtimit të serisë së qyteteve historike-kulturore, me moton: duke u ngjitur dhe skicuar, më pas duke zbritur dhe kacavjerrë është hartuar ky libër nëpër lagjet e Gjirokastrës. Ky udhëtim në Gjirokastrën historike është paraqitur në këtë botim me anën e një koleksioni të plotë dhe të kuruar skicash përfaqësuese.

Skica është në përgjithësi subjektive, emocionale, jo gjithmonë e përfunduar por që tenton vetë thelbin e objektit. Ky libër është në stilin e librave të ilustruar nga autorë si: Edward Lear në shekullin XIX dhe Albert Laprade në shekullin XX, ku peshën kryesore e mbajnë imazhet, ndërsa teksti mbetet sqarues.
Pesha e qytetit është mbresëlënëse në histori. I lidhur pazgjidhshmërisht me luginën e lumit të Drinos qëndron qyteti mesjetar i Gjirokastrës, në “një nga krahinat…me të pasura të Shqipërisë me gjurmë vendbanimesh antike dhe mesjetare” (Baçe, fq.103). Kjo marrëdhënie nuk ekziston vetëm për shkak së Gjirokastra ishte më fatlumja nga vendbanimet e mëdha në luginë si Antigonea (297 p. e. s.-167 p. e. r.) dhe Adrianopolisi (mesi i shekullit II p. e. r. – shekulli IV e. r.), por, se origjina, jeta e qendrës urbane filloi modestisht si një post-rojë e fortifikuar mbi rrugën që kalonte në luginë. Si ajo vajza e bukur, që në fëmijëri ishte larg syve kureshtarë, Gjirokastra u zhvillua për t’u bërë një nga qytetet me të bukura dhe të veçanta të vendit, pse jo dhe me tej edhe me simotrat, që lulëzuan ngado në Evropën Juglindore. Kjo post-rojë, e vendosur në krahun e majtë të luginës, në shpatet veri- lindore të Malit të Gjerë u transformua në kështjellë rreth shekullit XIII dhe, ”ka shërbyer si qendër ushtarake, rezidencë, qendër tregtare dhe fetare…”(Qirjaqi, fq.50). Pra, “Zanafilla e qytetit të Gjirokastrës është kështjella e saj, dukuri pothuajse e zakontë për qytetet shqiptare’’, thotë Riza (fq.21). Terreni, ku është i vendosur qyteti i Gjirokastrës mbi pesë kodra, i ngjan një dore të gurtë dalë befas nga Mali i Gjerë me një unazë vezake mes këtyre gishtave nga lartësohet kështjella. Lagjet e qytetit të vendosura mbi këto shkrepa duket sikur mbajnë një distancë të respektueshme nga kjo sofër e gurtë me kështjellën, si kurorë mbi të.

Evoluimi i qytetit është i përfytyrueshëm me banesat e fortifikuara të ngritura në pikat dominuese të kodrave në mesjetën e hershme, që shërbyen si bërthama të lagjeve të Gjirokastrës. Këto lagje e mbulojnë relievin si të ishte një jorgan i ngurtë me lartësi të përafërt. Ashtu si një llavë e avashtë, ato rrjedhin drejt pazarit, qendrës magnetike të qytetit. Është e qartë se edhe kjo intuitë nuk mjafton. Janë të nevojshme kërkime të mëtejshme serioze arkeologjike dhe arkivore për ta saktësuar më qartë këtë kronologji. Emri i qytetit përmendet për herë të parë” në vitin 1336 nga kronisti bizantin Joan Kantakuzeni” (Riza, fq.15) në trajtën “Argjyrokastron”, ndërsa të dhëna arkeologjike të rëndësishme, sipas Qirjaqit, kemi në kështjellë (një trakt muri të shekullit V p.e.r. dhe një kapelë bizantine të shekullit X e.r), si dhe në kodrën e Episkopatës (një altar të shekullit X e. r.). Që nga viti 1419, kohë kur Gjirokastra u pushtua nga Osmanët dhe deri në vitin 1912, qyteti ngeli pjesë e Perandorisë Osmane në Evropë. Nga kjo periudhë relativisht e gjatë kemi të ruajtura nuancat orientale të qytetit. Bazuar në përshkrimet e udhëtarit Evlia Çelebi në vitin 1670 “mund të pohohet së Gjirokastra rreth çerekut të tretë të shekullit XVII kishte arritur thuajse shtrirjen e sotme, natyrisht me një dendësi me të rrallë ndërtimesh” (Riza, fq.19). Kurse imazhin e parë grafik me të gjitha lagjet e qytetit historik, e gjejmë të realizuar në një skicë të papërfunduar të Edward Lear-it, që i përket vitit 1848.

Në Gjirokastrën historike është e dukshme mungesa e rregullsisë së natyrshme së një qyteti pa një plan të mirëfilltë, liria nga presionet stilistike, por e formuar nga ndërtime me materiale lokale natyrore dhe me forma/gjeometri të veçanta. E gjitha kjo rezulton në një seri siluetash dhe ansamblesh arkitektonike me kompleksitet të rrallë, që të sjellin ndërmend thënien e Anthony Tong-ut, se: “Ansamblet e mrekullueshme të qyteteve të vjetra janë arritja me e madhe artistike e racës sonë”. Një larmi e tillë ansamblesh të vendosura nën hijen e kalasë si: ansambli i Pllakës dhe i Pazarit të Vjetër, i ngritur në kreshtën e kodrës të Hazmuratit; apo si ansambli i Cfakës zhytur në gjelbërim; një tjetër, i strukur në gjirin e Malit të Thatë si Palortoja dhe Dunavati e pasurojnë shumë Gjirokastrën. Këto ansamble të “qepura” me fije të padukshme me terrenin e thyer, ku ngrihet qyteti plot me shkëmbinj, rrëpira, hone dhe i gjelbëruar me pemë të moçme, kanë formuar një tërësi, që duket se ka qenë e tillë përjetësisht. Por këto silueta/ pamje historike, sipas March Bloch-ut i ngjajnë, “një ajsbergu ku pjesa e padukshme është historia”. Qeliza e këtyre ansambleve është banesa tradicionale gjirokastrite. “Shtëpitë në këtë qytet të veçantë kanë një atmosferë shumë të pavarur; të shpërndara andej këtej, ngritur mbi shkrepa e humnera apo copëza toke të rrafshët” (Lear, fq.211). Banesa tradicionale tregon një elokuencë të lartë arkitektonike me një minimum mjetesh shprehëse dhe me një thjeshtësi estetike në formën e saj të përgjithshme, ngritur vetëm me pak materiale tradicionale. Origjina e kësaj banese sipas Çelebiut, Hanit dhe Shuflaj-it vjen nga Mesjeta evropiane, ndërsa Riza vlerëson tek kjo banesë karakteristikat e mëvonshme të saj.

Këto karakteristika të një arkitekture monolite u ruajtën deri në fillim të shekullit XX, ku ndërtimet me ide dhe materiale bashkëkohore, thyen masivitetin e përdorimit të gurit në çatitë e mure, duke i bërë kështu siluetat e ansambleve më komplekse por gjithsesi interesante. Sipas Agron Doracit, “Gjirokastra erdhi deri në mesin e shekullit XX fare e paprekur, si në aspektin urbanistik, ashtu dhe në atë arkitektonik”.

Dy ngjarje të rëndësishme e favorizuan Gjirokastrën historike: shpallja e qytetit të Gjirokastrës “Qytet-Muze” nga qeveria e kohës në vitin 1961 dhe, pranimi i Gjirokastrës në UNESCO në vitin 2005. Sipas motivacionit të së parës, ndërtimet historike u mbijetuan kohërave. E dyta sepse zgjoi një interes dhe kuriozitet ndërkombëtar dhe solli internacionalizimin e Gjirokastrës.
Është një koincidencë e këndshme, që ky libër po botohet me rastin e 20-vjetorit të pranimit të qytetit të Gjirokastrës në UNESCO.

Referuar popullsisë, Gjirokastra bën pjesë vërtetë tek qytetet e vegjël. Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia është luhatur nga 12 000 banorë në vitin 1950; 24 000 banorë në vitin 1989; kurse u rrudh në vetëm 17 000 syresh në vitin 2024. Qyteti i ri është ndërtuar poshtë në terren më të butë, ndërsa lartësia e ndan atë nga Gjirokastra historike. Duket se ka ardhur koha për një Plan i Ri Rregullues, që t’i përgjigjet realitetit të ri, si edhe për të inkurajuar rritjen e qytetit duke e bërë atë më tërheqës dhe funksional. Gjirokastra duhet të drejtohet drejt sipërfaqeve ujore, lumit Drino dhe Parkut të Viroit. Duhet të zgjidhet marrëdhënia midis qytetit të ri dhe Korridorit Veri- Jug në mënyrë estetike dhe funksionale. Momenti i hyrjes në Gjirokastrën Historike nga ky korridor duhet të bëhet komod dhe tërheqës dhe duhet të urbanizohet, si pjesë e qytetit të ri bashkë me hapësirën midis Korridorit Veri-Jug dhe aeroportit, përfshirë këtu edhe sistemimin e lumit Drino para qytetit.
Gjirokastra është një qytet që të bën të rikthehesh, të sfidon ta eksplorosh të tërën, t’u ngjitesh rrugëve të pjerrëta pavarësisht moshës. Më tej, bëhet bujare dhe të ofron mikpritje duke të dhuruar në çdo stinë pamje të paharruara, qoftë në mot me mjegull, në dëborë apo me kthjelltësinë poetike pas shiut, por pa e kompromentuar asnjëherë integritetin e vet kultural, identitetin, si edhe duke mbetur gjithmonë një qytet autentik. Ky libër është një kontribut, që personalisht e blatoj për qytetin e siluetave të gdhendura në gur, i cili mbetet një krenari për historinë tonë por edhe arkitekturën.

Referencat:
Bace, Apollon,
Bloch, March
Doraci, Agron,”Gjirokastra Sot dhe Nesër”, Shtypshkronja e Universitetit Kristal, Tiranë, 2011
Lear, Edward, “Edward Lear në Shqipëri- Ditar udhëtimesh 1843-1849”, Plejad Tiranë, 2008
Riza, Emin,”Qyteti-Muze i Gjirokastrës”, “Toena”, Tiranë, 2004
Tong, Anthony,
Qirjaqi, Vladimir, “Nga Kështjella të Qendra historike. Lindja e Qytetit të Gjirokastrës”,Alla Scoperta di Citta’ di Pietra. Il Piano di Recupero del Centro Storico di Gjirokastra, FAST EDIT- Acquaviva Picena-Italia,2006

Lexo më shumë nga

Lirizimi mahnitës i peizazheve të Helidon Halitit

"Mjeshtri i Madh" ka një këndvështrim modern në mënyrën si ai e sheh natyrën: Harmoni ngjyrash, kontraste dinamike, impresionizëm i…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.