“Viti Zero” i Gazmend Lekës

“Piktura e Lekës ngjan si një dekriptim i gjësendeve ku jeta dhe vdekja lëkunden në fill të perit në një shilarës kozmik e mitik”


Nga Josif Papagjoni

 

…Nëse ekspozita “Abel” e para një viti përshkohet nga filli i dhunës dhe gjenocidit të serbëve ndaj kosovarëve më 1999, ku krimi, shteti dhe xhelati patën bri tyre viktimën dhe të pafajshmit, ekspozita “Viti 0” është një sivëlla i saj, tashmë jo i frymëzuar drejtpërdrejt nga miti biblik në dobi të metaforës piktorike të piktorit, por i mbivendosur aty disi më ndryshe, si shenjë sa gjuhësore po aq ikonike: shifra 666. Ajo përfaqëson, sipas shën Gjonit, Bishën, Satanain, fuqinë diabolike. Vula e të ligës, e shkatërrimit. Këtë shifër me ngjyrë të kuqe e sheh kudo në tablotë e Lekës si “matricë”, vulë e shenjë asociative. Aty përherë ka gjurmë e dëshmi të dhunës, armë në duart e njerëzve, policë që rrahin demostrues apo mbrohen prej tyre, zjarre e tanke rrugëve, fytyra e antiligjit dhe vullnetit të kaosit, kur pronat dhe tokat e të tjerëve pushtohen (diku sheh fjalët stereotipe “Tokë e xanun, lahet me gjak” ose “Pronë private, mos e prek!”). Drejtësia është kthyer kryengulthi, zhgërryer në llom; ligji i rrugës sundon. E përjetuam që të gjithë rënien e shtetit më 1977, i pamë pasojat… Ja një dyqan buke me trinën prej hekuri në dritare. Jashtë fytyra të tendosura njerëzish që, me sa duket, ulërijnë për të marrë një bukë (kjo apoteozë migjeniane që përsëritet!), ndërsa brenda shitësja me bukën e mbetur në duar, mbase e fundit, dhe fytyrën që shpreh sa keqardhje aq dhe mirësi, luhatje: “Kujt t’ia jap?!…” Ishte drama e madhe sociale e urisë, e buzë katastrofës. Një Shqipëri në zjarr, e vitit të mbrapshtë 1997, kur njerëzit e ndërkryer nga politika dhe humbja e parave iu vërsulën depove të armatimit, rrëmbyen armët dhe… dhe sharruan ajrin me breshërima automatikësh, pa ditur se si ta shprehin mllefin e tyre kundër armikut. Po cilit armik? Qenë politikanët e papërgjegjshëm, që për kolltuqet e tyre gati e çuan popullin në luftë civile. Skenat e G. Lekës janë si një apokalips, ku njeriu e humbet toruan dhe çartet mes ankthit të armës, plumbave, zjarreve: një përzierje e seriozes dhe e tragjikes me grotesken dhe absurden… Dikush që ecën me biçikletë para një tanku mbushur me rebelë të armatosur, dy gjësende krejt të kundërta, edhe në karakter edhe në funksione. Fëmija duket sikur luan me tankun bulevardit të Tiranës. I duket si lodër. A s’lind këtu absurdi? Po tragjedia a s’është vallë aty? Gjithashtu dhe komedia, do të thoja unë. Ide e gjetur që ta çon mendjen në paradokset e një kohe, të cilën e përjetuam tragjikisht, por sot, ah sot, ne qeshim me marrëzitë tona…

Avionë të ndryshkur nëpër depo. Buste e shtatore udhëheqësish të magazinuara si hedhurina të historisë, me lavditë e tyre të vdekura. Koha vetë është e vdekur, me anatemën dhe mallkimin ngarkuar mbi shpinë, e cila hëngri vite të bukura rinie, vrau shpresa dhe nga utopitë polli veçse zhgënjime…

Ja dhe një tablo tronditëse, ku rishtazi dhuna, 666-ta, është aty. Një grup policësh me skafandra duket se mbrohen nga protestuesit e zemëruar, dhe mu para tyre, figura e një nëne me të zeza. Fytyrën e ka të ndriçuar fort. Kjo fytyrë e bardhë, e bardhë, ndërsa fustani i zi, i zi, dhe krejt trupi i rënë mbi gjunjë, që kontraston me grumbullin e errët të policëve. Ata mbrohen nga vërshimi i gurëve të protestuesve. Një skenë e fortë dhune, por ku të duket sikur të dyja palët janë të pafajshme. Ose fajtor pa faj. Dhe duart e nënës lart që kërkojnë paqe. Ndaluni! Sepse faji nuk është mes tyre, policë a demostrues. Ai struket diku nëpër dhomat e shtetit, nëpër letra e dosje ku dalin urdhrat, ndryrësitë, hajnitë, papërgjegjshmëritë.

 

“Viti 0” është e gjitha një alternim midis skenave me njerëz e sende, pra me shenjat figurative të pikturës, dhe domethënieve e simboleve që dalin prej tyre si ekstrakte të rrokshme, pa nevojën e dekriptimeve dhe vramendjeve të lodhshme. Janë 13 tablo të mëdha. Numri 13 nuk është zgjedhur kot. Është numri ters, i mallkuar, ku rizgjohen anatemat dhe mëkatet. Por paçka se në këto 13 tablo ka refleksione për dhunën, histerinë kolektive të ’97-ës, rrëzimin e shtetit, shpërthimin e depove të municioneve, kaosin e dekadave të fundit, idetë bashkëshoqërohen historikisht dhe në ato fytyra e në ato skena që shohim aty, ne mund t’i projektojmë lehtësisht me mendje duke i vënë në kohë të tjera historike. Pse jo edhe në kohë të pritshme, duke e pjelloruar mendimin piktorik të G. Lekës me filozofinë dhe ontologjinë sociale. Kësisoj piktura ngrihet më lart se vetë imazhi.

Më ka tronditur dhe ngashënjyer njëkohësisht një mendim i Gazmend Lekës për pikturën e tij, ndaj në mbyllje të këtyre shënimeve do doja ta sillja si epilog:

“Kur Zoti u dha diturinë njerëzve, shtatë germa të alfabetit ranë poshtë tavolinës. Pra, mesazhi perfekt është i cunguar. Pikërisht ditën kur t’i gjejmë këto shtatë germa, atëherë mund të themi se e kemi marrë mesazhin. Por këto shtatë germa mund të jenë shtatë ngjyrat, mund të jenë shtatë notat e muzikës. Pra, kjo mungesë më çon mua te piktura. Ndoshta në një botë perfekte, piktura dhe muzika nuk duhet të ekzistojnë. Por bota nuk është e tillë dhe kjo mungesë e perfeksionit duket se i jep rrugë artit”.

Piktura e Gazmend Lekës, sa më takon mua, pa hyrë thellë në kodet e saj piktorike, dialogon me ndoca bulbe ontologjike të vetë qenies dhe botës duke udhëtuar transcedencës së saj dhe shpjegimeve të atyre gjësendeve që mbeten për ne të panjohura, enigma kureshtare dhe të frikshme, formula kabaleske. Arti i tij ka guximin dhe “marrëzinë” të sjellë herë pas here shpjegime mbi të shenjtën dhe kodet zanafillore të ngjizjes kozmike e humane, të krimit dhe ndëshkimit, të njerëzores dhe përbindshores. Piktura e Lekës më ngjan si një dekriptim i gjësendeve ku jeta dhe vdekja lëkunden në fill të perit në një shilarës kozmik e mitik mbuluar me zjarre dhe terrnaja, me të kuqe dhe të zezë, ku njeriu udhëton sa brenda vetes aq dhe jashtë saj, përherë kureshtar, sa sfidues aq dhe i trembur nga frika e vdekjes, harrimit, tretjes së tij në këto dy ngjyra: e kuqe (jeta, zjarri), e zezë (asgjëja, vdekja).

“Shumë kohë më parë kam thënë që kam frikë nga errësira, kam frikë nga tërmeti dhe avioni, – shprehet Gazmend Leka. – Unë nuk kam thënë që kam frikë nga vdekja. Por unë i kam pikturuar frikërat e mia”.

“Frymëzime”, piktori Librand Dhrami ekspozitë në Athinë

Ekspozita u vizitua edhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.

15 vjet
“DKullolli Art – Studio”!

Në 2009 ishte një projekt ambicioz. Sot, në vitin 2024 është një dyqan prestigjioz i materialeve të artit në Shqipëri.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.