DIKOTOMI

Ekspozita Personale nga Ilir Butka e kuruar nga Petraq Papa hapet sot në Galerinë FAB, ora 19:00.


Nga Ilir Butka

Pas një periudhe të gjatë kohore, në të cilën kam marrë pjesë në mjaft ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit, iu dorëzova tundimit për të hapur për herë të parë një ekspozitë personale, e cila organizohet në Galerinë FAB në kryeqytet, pjesë e Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve.

I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkeputje shumëvjecare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten. I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për ‘’tradhëtinë’’ e pësuar. Artet në përgjithësi dhe piktura në veçanti janë të bazuara mbi simbiozen e kreativitetit dhe mjeshtërisë. Ndërsa kreativiteti është i vazhdueshëm dhe ‘’rrjedh’’ edhe kur artisti nuk punon, mjeshtëria përthahet dhe varfërohet nga mungesa e ushtrimit të profesionit. Pas rikthimit u përballa pikërisht me këtë vështirësi të cilën e tejkalova falë një pune të gjatë për të rifituar aftësinë që e kisha humbur ndërkohë.

Ka qenë një proces intensiv me ulje dhe ngritje që më mundësoi të eksperimentoj kërkime formale që nuk i kisha tentuar kurrë më parë. E gjithë njohja teknike e akumuluar ndër vite studimi më parë dhe vite pune më vonë u rikthye dhe u plazmua si asnjëherë në pikturën time. Kompozimi, forma (shape), teknikën piktorike, raporti koloristik, kontrastet, dizonancat, frakturat, penelatat, velaturat, ritmi dhe ekspresiviteti janë disa nga elementet që unë kam si objekt studimi dhe eksperimentimi në punën time të përfshirë në këtë periudhë kohore. E gjitha kjo erdhi e papritur dhe e pamenduar.

Nuk ka narracion në pikturën time. Mund të konsiderohen edhe klasike pikturat që bëj edhe pse mungon figurativja në to. Kur them klasike i referohem teknikës që unë përdor në disa piktura ose në disa pjesë të tyre. Respektimi i kritereve teknike të pikturës klasike, vendosur përballë arbitraritetit të një teknike totalisht agresive që nuk i respekton këto regulla, krijon kontraste të forta dikotomie në formën e shprehjes artistike.

Nëse krijimtaria ime ndahet në dy pjesë, mund të konstatoj një diference të madhe mes tyre. Kisha qenë figurativ në periudhen time të parë dhe papritur u gjenda abstrakt në periudhen e dytë. Arti abstrakt bën pjesë tek arti që gjen vështirësi në komunikimin me publikun dhe natyrshëm nuk pëlqehet nga ata që kërkojnë nga arti vetëm kuptimin. Kjo nuk i lejon ta ndjejnë atë lloj arti që përpiqet të trajtojë formën në vetvete të zhveshur nga përmbajtja.

Arti është ndjesi përpara se të jetë kuptim. Piktura sikundër muzika ka të drejtën legjitime të përcjellë ndjesi. Nëse piktura nuk mund ta bëjë këtë, çdo lloj kuptimi sado sublim të përpiqemi t’i japim, ajo, piktura do të mbetet vetëm një ilustrim i idesë së autorit. Piktura mund të bazohet mbi hedonistikën pa patur nevojë domosdoshmërisht për përmbajtjen. Piktura mund të kërkojë harmoninë e ngjyrave sikundër muzika kërkon harmoninë e notave. Piktura abstrakte është si muzika xhaz ku artisti improvizon mrekullisht pa partiturë duke i nxjerrë veglës tingujt më virtuozë të mundshëm që në kushte të tjera do ta kishte të pamundur t’i krijonte. Ky kombinim ndodh vetëm njëherë dhe është i papërsëritshëm, dhe çdo herë që luhet arrihet një kombinim i ri po kurrsesi i njëjti.

Titulli i kësaj ekspozite është: DIKOTOMI (Dichotomy, a division or contrast between two things that are or are represented as being opposed or entirely different) Ky titull korrespondon simbolikisht në shumë aspekte me dualizmin që më rrethon mua si individ, por edhe vetë pikturën time. Për shembull, në ndarjen e figuratives që unë kam përqafuar dikur si formë të shprehjes artistike dhe abstraktes aktuale që po trajtoj në këtë fazë të re të krijimtarisë time. Gjithashtu angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën.
Këtë ekspozitë e konsideroj si një moment të rëndësishëm për mua, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, ndaj do të doja ta ndaja me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit.

Maj, 2024

DIKOTOMI / DICHOTOMY
3 – 8 QERSHOR / JUNE 2024 / FAB Gallery.
Ekspozite Personale nga Ilir Butka

Lexo më shumë nga

Buza, i pari piktor modern shqiptar

"Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar"

“Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX”

82 artistë prezantohen në ekspozitën e hapur në Galerinë FAB me drejtues projekti Olsi Laskën dhe kuratore Suzana Varvarica Kukën

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.