Zef Shoshi, “aristokrati” i portretit

Portretisti mitik i Enver Hoxhës. E nisi pikturën si “Kopjuesi” i Da Vinçit. Famija “Shoshi, një dinasti në artin shqiptar.


Nga Dash Frashëri

Zef Shoshi, “aristokrati” i portretit! “Artist i Merituar”.

Një jetë me artin! Djali i një piktori amator, Pashkos. Babai i dy piktorëve profesionistë: Albanës dhe Gjergjit.

62 vjet si piktor profesionist. Nga 1962.

Ia ka dalë të shenojë emrin e tij në “librin e artë” të Arteve Pamore.

I konsideruar si një nga portretistët më të mirë të shkollës shqiptare të arteve.

 

***

Zef Shoshi u lind, në Tiranë, më 19 shkurt 1939, pak para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në një periudhë kur arti shqiptar në kohën e Mbretërisë kishte krijuar shkollat e para të vizatimit dhe kishte nxjerrë piktorët e parë të edukuar në Itali, Francë, Austri apo Rumani, me emra të tillë si Vangjush Mio, Foto Stamo apo Andrea Kushi.

Djali i një bankieri dhe piktori amator, Pashko Shoshit, Zefi i vogël trashëgoi ADN-në e artit, ku u dallua qysh në vizatimet e moshës së hershme. Ishte i ati që e nxiti Zefin drejt artit, duke qenë njkohësisht edhe mësuesi i tij i parë.

“Vizatimet e mia të para kanë qenë në moshën 3-4 vjeçare (1943) kur kemi qenë në Ulqin (Mali i Zi), horizonzi i detit me anijet”, ka treguar Zef Shoshi gjatl një intervite për Monika Stafën.

Piktori gjenial italian Leonardo Da Vinçi ishte edhe pika e parë e referimit të piktorit të ardhshëmm Shoshi. Kur ishte në 7-vjeçare, i ati, i cili kishte mbaruar Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër për kontabilitet, i kishte sjellë një album me piktura të Da Vinëit, dhe Zefi i kopjonte thuajse çdo ditë.

Zefi e konsideron edhe sot të atin si një piktor amator të talentuar, madje disa punë të tij i ruan me fanatizëm në studion e tij.

Pashko Shoshi kishte realizuar edhe portretin e Mbretit Ahmet Zog, por edhe pse iu premtua një bursë për studime për piktor, nuk ia akorduan atë.

 

STUDENT NË RUSI

Zef Shoshi shkëlqeu në Liceun Artistik.

Në lice realizonte portrete me një profesionalizëm të lartë. Për këtë, në vitin 1957,  liceistit të talentuar i akorduan një bursë studimi në Rusinë e piktorëve të mëdhenj.

Ai ndoqi studimet e larta në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia), deri në vitin 1961, ku po aty kishin studiuar bashkëkohës të të tillë si piktorët Sali Shijaku dhe Vilson Kilica, skulptorët Mumtas Dhrami dhe Kristaq Rama.

Një shkollë ku pranoheshin me konkurs dhe që ishte e pikturës realiste, sipas traditës ruse.

Ai u kthye në atdhe, pa i përfunduar plotësisht studimet në Bashkimin Sovjetik, për shkak të rrethanave politike që u krijuan në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Ai mbrojti diplomën në vitin 1962, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.


Piktori rus Boris Vladimiroviç Joganson, me të cilin studioi Zef Shoshi.

“Gjyshja” (1956) e pikturuar kur ai ishte 17 vjeç, mbetet një nga punët e para dhe ndër më të bukurat e piktorit Shoshi. Një vepër që i krijoi një reputacion të shkëlqyer midis artistëve.

“E ekspozova ‘Gjyshen’ në Ekspozitën Kombëtare. E pëlqyen të gjithë. Udhëheqja e vlerësoi shumë. Në atë kohë, Mehmet Shehu ka dashur ta blejë këtë portret, por i thanë që e ka marrë Galeria e Arteve”, kujton Shoshi.

Çdo piktor ka krijuar nudot e tij. Edhe Zef Shoshi i ka disa të tilla. Ky vizatim është bërë në Leningrad (sot Shën Petersburg) në vitin 1959, kur ai studionte në Institutin “Ilia Efimoviç Rjepin”.

Nënshkrimi “Zef Shoshi” u bë shumë i dashur për dashamirësit e artit. Në vitin 1983 mori titullin “Piktor i Merituar”.


ZEF SHOSHI DHE ENVER HOXHA

Mitik në pikturimin e një figure komplekse si Enver Hoxha, liderit komunist që udhëhoqi me dorë të hekurt Shqipërinë, nga viti 1944 deri në 1985.

Zef Shoshi tregon se e ka takuar vetëm një herë Enver Hoxhën, kur ai ishte nxënës në tetëvjeçare.

“Në vitin 1952 unë i isha në Kampin e Pionerëve, te Plepat (në Durrës). Më pas u organizua një eskursion me pionerët që do të kalonin në zonat e jugut, ku kishte kaluar Shtabi i Përgjithshëm me Enver Hoxhën.

. Më morën edhe mua si piktor. Mora një album. Kaluam fillimisht në Vlorë dhe më pas nga Vlora shkuam në Gjirokastër. 

Bëmë një vizitë te familja e Thoma Papapanos, i cili ka qenë mësuesi i Enver Hoxhës.  Aty bëra vizatim unë profesorin. E bëra skicë.

Pastaj vizatova Veip Qorrin, që ka qenë personazh i familjes në lagjen ku ka jetuar Enver Hoxha. 

Kur erdhëm në Tiranë, grupin e pionerëve e priti Enver Hoxha në Pallatin e Brigadave. Dhe aty i dhurova unë albumin me vizatime dhe ai i njohu menjëherë personazhet, që unë kisha vizatuar.

Më pas u shtrua një koktej i vogël për ne dhe kur erdhi ai, më thirri: ‘Ku është ai pioneri, ai piktori i vogël”. Ai më tregoi një portret që i kishin bërë Enver Hoxhës me kokra misri dhe bimë mjekësore. ‘Si duket?’, më tha ai. ‘Bukur’, i thashë unë. ‘Mirë, tha. Ti do të vazhdosh shkollën’. ‘Po, i thashë, sivjet do të shkoj në lice’.

Ky ka qenë takimi i parë dhe i fundit me Enver Hoxhën”, tregoi Shoshi gjatë një interviste për emisionin “Ekskluzive” të gazetares Monika Stafa.

“Im atë ka punuar në bankë dhe kishte sjellë nja dy fotografi me Enver Hoxhën. Prej saj, unë bëra një vizatim në karbon, që doli i mirë dhe i bukur, doli shpejt. Pastaj vendosa për ta realizuar. Por për ta realizuar me ngjyra ka pasur probleme më të komplikuara, më të thelluara.

Ka qenë siç si më e lodhshme për ta realizuar, aq sa kam pasur dhe disa shqetësime kështu. Më dolën disa puçrra nga shqetësimi, nga preokupimi. Pastaj gradualisht doli portreti dhe u realizua.

Në atë kohë, pati ardhur Ramiz Alia këtu për t’i parë dhe portretin. Ai e vlerësoi, bëri ndonjë vërejtje të vogël dhe pastaj u ekspozua në ekspozita. E kam përjetuar me ankth, realizimin e portretit të diktatorit. Ishte një portret që kërkonte përgjegjësi”, tha Shoshi gjatë një interviste me gazetaren Leontina Nika.

Në fakt, Enver Hoxha nuk ka shërbyer si model për piktorin.

“Nuk ka pozuar për mua Enver Hoxha, vetëm e kam skicuar në distancë në vizitat që shkonte në jug në Dropull, në Korçë dhe në Pogradec, në vitin 1978.  I kam bërë disa vizatime nga natyra kur fliste me popullin. Në Ksamil e kam skicuar shumë afër. Në profil ishte”, tregon Zef Shoshi.

 


ZADRIMA, DASHURIA E MADHE

Është i ati, Pashko, i cili e shtyn të shkojë në Zadrimë. Dhe folklori i saj, kostumet e bukura, vajzat e hijshme, janë dashuria e madhe e Zef Shoshit. Dhjetëra kompozime, dhjetëra portrete të realizuara me shumë dashuri.

Zef Shoshi dallohet për kompozimet e tij.

“Artisti Zef Shoshi në kompozimet e tij pati dy drejtime kryesore: temën e punës në bujqësi duke u përqendruar kryesisht në zonën e Zadrimës, ku ai është më çliruar nga i ashtuquajturi “arti i propagandës” dhe drejtimi i dytë është tema e luftës Nacional Çlirimtare dhe ndërtimit të socializmit, ku veçojmë edhe serinë e kompozimeve me figurën e udhëheqësit komunist Enver Hoxha.

Tablotë e tij janë në përgjithësi optimiste dhe me dritë. Në historinë e arteve pamore shqiptare Zef Shoshi zë një vend të veçantë, duke krijuar imazhin e artistit realist.

Shoshi krijoi individualitetin e tij artistik ku evidentohet dashuria për njeriun e thjeshtë, për punën, dhe për historinë e vendit. Koleksioni i madh i veprave piktorike që ai krijoi, është pjesë thesarit të arteve pamore shqiptare”, shkruante piktori dhe ish-drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani, me rastin e hapjes së ekspozitës personale të Shoshit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në prill të vitit 2017.

Punimet e Zef Shoshit janë ekspozuar në shumë vende të botës edhe para viteve 1990. Ai ka marrë pjesë edhe në Bienalen e Aleksandrisë, në Egjipt, ku Shqipëria merrte pjesë që nga viti 1958.

Media ka qenë e vëmendshme ndaj krijimtarisë ndër vite të Zef Shoshit.

***

Edhe pse sot është 85 vjeç, Zef Shoshi vazhdon të pikturojë me shumë dëshirë dhe pasion…

_____________________________

Tiranë, më 23 mars 2023

Freitag: Ju tregoj frymëzimin shqiptar në një përvojë perëndimore

Intervistë me piktorin me famë nderkombëtare Gazmend Freitag dhënë për gazetën kombëtare “Nacional”

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.