Livadhet e shpresës!

Ekspozita e skulptorit Pjerin Kolnikaj do të hapet ditën e mërkurë, datë 20 mars ore 19:00 te Galeria FAB


Nga Vladimir Murtezai

Nuk e kam kuptuar asnjëherë, por sa herë më vjen në mendje një emër i përveçëm kam një ndërlidhje me natyrë përkrahëse mes etimologjisë dhe një gjëje që e bashkëlidh këtë emër. Ky akt është një harbim i mendjes në formë të pavetëdijshme, në mbivendosje nga më të çuditshmet. Shpesh i sendërtoj njerëzit me sende apo rrethana, ku vetëvizatohen si një kurth mendor. Sigurisht që kësaj gjuetie të mendjes i ravijëzohen figura që, në fakt, kanë përthithur një vëmendje të gjatë, që në mënyrë të lirë qenia dhe truri i bën pjesë të përzgjedhjes për të provuar një teknikë të lirë pëlqimi.

Shpesh mbivendosemi dhe afrohemi ndoshta pa të drejtë, si një gjykim i lartë, i kontrolluar nga ajo çfarë quhet ndikim social apo rregulla në rend të ditës, apo një aftësi për të atashuar dijen tonë në një botë klasifikimi dhe vlerash. Është një ingranazh që e lëviz fokusin në varësi të çuditshme, ku shpesh ratifikojmë dijet dhe vendosim qasjet e përkufizimit tonë, ku jo në çdo rast është ai që e përcakton vlerën, ama vë në lëvizje mekanizmin e debatit dhe gjallërinë e mendimit.

Një vepër apo një artist është një perspektivë e parashikimit, më shumë sesa një akt i mbaruar në një hapësirë fizike apo ideore. Për mua është më shumë formë e panjohur e asaj që nuk shohim, jo vetëm prani e ekzekutuar e asaj se po të mos ishte kështu, veprave do u mungonte parashikimi si shpresa më e lartë e kërkimit të çfarëdoshëm.

Sa herë e sjell në vëmendje, Pjerin Kolnika më ndërlidhet me disa livadhe të munguara në peizazhin e artit, ku në një formë apo në një tjetër presim të lulëzojnë trajtat parake të pavetëdijes, që në të shumtë kanë diçka nga adoleshenti që rreket të vendosë një rend të ri estetik.

Kaq e vërtetë është kjo, saqë kur ulesh në një bisedë me të, ashtu siç zbulon drita objektin, zbulon fillin alogjik të krejt gjërave që komenton, pavarësisht subjektit, qoftë politik, social apo diç nga eksperienca zbuluar në humusin e fenomeneve që rrethojnë një artist. Një territor konceptesh të thjeshtëzuara që i ngjan krijesave të tij ngulmuese. Ngelesh pa frymë se si e përkthen botën dhe se si krijon në pavetëdije një tjetër gravitet vlerash mbi eksperiencën njerëzore. Shumë i thjeshtë e në territore të virgjëra, mendja e tij ka feksje dhe ndërprerje në një subrealitet që ndodh vetëm në ndërgjegje të sofistikuara. E sigurt që e gjithë kjo ndërvarje jashtë vorbullës perceptuese dhe kaosit i jep privilegjin që të vështrojë drejt një tharmi të konfliktuar të ndërgjegjes së tij.

Nëse në të gjitha ëndrrat e artistëve të ndryshëm janë qendrat dhe institucionet me emër, për Pjerinin periferitë janë e do të bëhen medoemos qendër. Periferitë, vendi ku mbillet vepra, ku ngjizet, ku harxhohet stërmundimi i mendjes dhe thotë se duhet të jetë e besueshme për të gjithë, pasi ai mendon se mekanizmi i fortë i investuar prej tij nuk është teatri i madh shoqëror, por aftësia e dramës së tij brenda fuqive mbrojtëse që ai zotëron, gjë për të cilën ta mbush mendjen edhe përmes një karakteri të vendosur.

Shumë nga punët e Kolnikës janë embrionale, me një trajektore parashikimi të hershëm, si një ëndërr që nuk dorëzohet në një territor të pamundur mundësish kur bëhet fjalë për ta aplikuar në hapësirë.
Në fakt, sa herë që dua të zhvendosem nga një mjedis i mbingopur e toksik ndërgjegjesh të pleksura ballkanike, arratisem në periferi, në livadhet e lira të Kolnikës për të ridimensionuar shijen e një jete me cilësi, qoftë edhe si një gjë e rrallë jashtë realitetit; një lloj oksigjenimi që e marrim nga njerëz të lindur të lirë, me një mendje të pakushtëzuar e bredharake, në një qetësi që të jep takimi bazik me gjërat primare.

E pyeta në një zakon kalimtar se kush do të ta menaxhojë ekspozitën? Dhe me një nga ato përgjigjet e tij origjinale, më tha: “Thoma Thomai do jetë në krye të fjalës”, dhe shtoi “unë kam privilegjin që të kem mësuesin tim gjallë”. Qesha në vete se sa thjesht e dashur e jeton jetën ky njeri, me piketat e tij të paprekura e të shenjta, në akte të përditshme njerëzore, pa delire, pa zhurmë.

Pjerin Kolnika është një artist i rëndësishëm i pasnëntëdhjetës, në një lidhje organike me misionin e tij si artist dhe si njeri; në një prirje të hapur në vlerë të atij kontributi që quhet përputhshmëri me vokacionin që e kultivoi. Një zë solid me pak kompromise në jetën e tij dhe me kurba të ngadalta, pasi jeta iu afrua si një material i fortë, i rëndë: herë metal, herë dru, herë mermer e herë hapësirë boshe, ose livadhe të gjelbra të mendjes ku mbillet shpresë.
Vladimir Myrtezai

Hisni Meta, mjeshtri i harmonisë!

Piktori Hisni Meta feston 70-vjetorin. Një artist me një dashuri të madhe për artin e bukur. Perfeksionist.

“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti

Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit