Vilson Kilica, “akademiku i arteve”

Një artist i talentuar, një pedagog poliderik! I vlerësuar me titujt “Piktor i Merituar” (1969)  dhe “Piktor i Popullit” (1987).


Nga Dash Frashëri

Vilson Kilica!

Një artist i talentuar, një pedagog poliderik! I vlerësuar me titujt më të lartë të kohës “Piktor i Merituar” (1969)  dhe “Piktor i Popullit” (1987).

I konsideruar si një nga baballarët e pikturës shqiptare.

Drejtori i parë i Institutit të Lartë të Arteve (1965), “minierës” që ka nxjerrë disa breza piktorësh dhe disa vite më pas, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Një ndër krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare me një kontribut të respektuar. Mbi 100 vepra të Vilson Kilicës janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës e shumë të tjera në institucione brenda vendit.

“Piktorit i pajisur me finesë dhe vetëpërmbajtje dinjitoze”, e cilëson Kilicën shkrimtari i madh, Ismail Kadare, në esenë e tij “Elegji për artin” (3 shkurt 2020).

Krijimet e piktorit të famshëm, të ndarë nga jeta , më 7 korrik 2016, fillojnë nga viti 1950 e deri në ditët tona sidomos për periudhën e gjatë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri.


Portret, 1953, Vaj në kanavacë


Peizazh, viti 1955


Vilson Kilica, “Brigadieret”, etyd (pastel), 1971


“Brigadieret”

Galeria e Artit në Fier, e hapur prill 2018 në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe familjarëve të piktorit të ndjerë, mban emrin “Vilson Kilica”.

***

Vilson Kilica u lind në Vlorë më 2 qershor të vitit 1932 dhe ndërroi jetë në Tiranë më 7 korrik të vitit 2016, në moshën 84-vjeçare.

Familja Kilica ishte me origjinë nga Voskopoja, e njohur për kishat me afresket e famshme. Në shekullin XVIII u vendosën me banim në Seman, ku blenë mjaft toka. Më vonë ajo ishte një ndër familjet e para që krijuan qytetin e Fierit.

Kilica filloi hapat e para drejt artit figurativ i mbështetur nga vëllai i tij Janaq Kilica (dëshmor i atdheut), i cili e kish pasion pikturën dhe gjithashtu nga daja i tij, ikonograf.

Kilica i ri i kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera (medalje ari) në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1948 – 1951) nën drejtimin e pedagogut Sadik Kaceli. Prof. Kaceli kishte mbaruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Paris, në Francë, me piktorët e mëdhenj Andre Lotte, Fernand Sabatte dhe Ducad de Haille.

Vilsoni studioi në një klasë me emrat të tjerë të mëdhenj të artit shqiptar, si Sali Shijaku, Ksenofon Dilo Dhimitër Kokoshi, etj.

Piktori Vilson Kilica ishte një nga studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota (1951 – 1958) me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia) .

Skicë e realizuar nga Vilson Kilica, viit 1955.

Viktor Oreshnikov, Drejtori i Institutit të Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad, kishte vlerësim të lartë për studentin Kilica.

Ai ishte student i ateliesë së piktorit dhe profesorit Boris Vladimiroviç Joganson, një nga figurat e rëndësishme të artit të realizmit socialist sovjetik, që ishte njëkohësisht edhe drejtor i muzeut “Tretjakov“ në Moskë. Më vonë në këtë atelje kanë studiuar piktorët Sali Shijaku dhe Zef Shoshi.


Muzeu “Tretjakov“ në Moskë


Piktori rus Boris Vladimiroviç Joganson, me të cilin studioi Vilson Kilica.


Vajza, portret nga piktori rus Jogansson.

Vilson Kilica, u vlerësua si një student i shkëlqyer dhe me të ardhme në pikturën shqiptare.

Kilica 26-vjeçar ishte admirues i veprave të mjeshtërve botërorë të impresionizmit, ekspresionizmit, kubizmit, fovizmit etj; para të cilave rrinte me orë të tëra në sallat e një prej Muzeve më të pasur në botë “Ermitazhit”, ku ndodheshin të ekspozuara kryeveprat botërore të autorëve nga vende të ndryshme të botës.

Puna e diplomës titullohej “Të papunët” (1958).

***

Me kthimin në Tiranë, piktori Vilson Kilica emërohet inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit (1958 – 1960) dhe më pas, drejtori i parë i Institutit të Arteve Figurative, që fillimisht ishte 3-vjeçar (1960 – 65) e më tej drejtori Institutit të Lartë të Arteve (tashmë 4- vjeçar) në vitet 1965 – 1969.

Kilica nga viti 1969–1973 ishte sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në vazhdimësi që nga viti 1981 – 1992 udhëheqës artistik i Ateljesë së pikturës së kavaletit dhe asaj monumentale në Institutin e Lartë të Arteve,  Tiranë.

Por, edhe”pse thuajse e gjithë krjimtaria e tij para viteve 1990 kishte ngjyrime të realizmit socialist, Kilica shfaqte në stil edhe ndonjë tendencë moderniste perëndimore.

Ai ishte, siç e ka pranuar edhe vetë gjatë një interviste të vitit 2013 , një “partizan i Modilianit”, piktorit hebre që dallohej për ngjyrat e ngrohta dhe veçanërisht për qafat e gjata,

Ai është vlerësuar në vite për krijimtarinë dhe kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave të artistëve të rinj, si pedagog për shumë vite në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.

Artisti Kilica është vlerësuar me “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1962), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1964), me titullin “Piktor i Merituar” (1969), “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1970), me gradën shkencore “Docent”, “Çmimi i Republikës” i klasit të II (1979), i jepet titulli “Piktor i Popullit” (1987).

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar konsiderohet si një nga veprat më të mira të realizmit të vonë socialist shqiptar. I vendosur në vitin 1981, ai shfaq në sipërfaqen prej 565 m2, disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, që nga antikiteti deri në epokën komuniste. Dizajni i tij i ndërlikuar është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.

Piktori Vilson Kilica. ishte pjesmarrës në të gjitha ekspozitat, konkurset dhe veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare (Egjipt, Turqi, Kinë, Itali, Kosovë, Bullgari, Rumani, Francë) të organizuara nga shteti shqiptar para viteve 1990, ndërsa mbi 80 vepra të autorit ndodhen në koleksione private në Itali, SHBA, Itali,Gjermani, Slloveni, Serbi, Francë, Greqi, Spanjë.


“Denoncimi i Traktatiti të Varshavës” (1974, kompozim)

Kilica trajtoi edhe peizazhin.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen 41 punime të artistit (kompozime, portrete, peizazhe, natyra të qeta).

Ndër to mund të kujtojmë:“Portret i skulptorit Kristaq Rama” (1959), “Leningradi”, peizazh (1960), “Punëtori”, portret (1960); “Denoncimi i Traktatiti të Varshavës” (1974, kompozim); “Gjyqi i Sinjës” (1978, kompozim), “Portret i Rrapo Hekalit” dhe “U kthefsh me lirinë” (1979); “ 11 janar 1946 “ (1981, kompozim), “Ditë vjeshte” (1987), “Shoqet” (1988) etj.


“Rrapo Hekali”, 1970

Kontributi i piktorit Vilson Kilica në artet pamore shqiptare është i një rëndësie të veçantë, pasi talenti, mjeshtria e tij artistike shërbeu në modernizimin e pikturës shqiptare të shekullit XX në Shqipëri.

 

Lexo më shumë nga

Buza, i pari piktor modern shqiptar

"Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar"

“Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX”

82 artistë prezantohen në ekspozitën e hapur në Galerinë FAB me drejtues projekti Olsi Laskën dhe kuratore Suzana Varvarica Kukën

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.