
Kronikë e një udhëtimi pa ndalim!
Te Bashkim Ahmeti Izano, në ekspozitën e tij “Wanderlust” shfaqet arti që nuk i duhet pasaporta se nga vjen.

Nga Ilir Kuke
KRONIKË E NJË UDHËTIMI PA NDALIM
Qytetet thjesht ngushtohen në madhësinë e sirtarit, ku i mbyll me çelës bashkë me kujtimet e vjetra.
Njeriu ndërron adresë, merr me vete thesin e zakoneve, ndërton një jetë të re në hapësira të gjera, por gjymtyrët ruajnë kujtimin e kalldrëmit ku janë penguar dikur.

Nuk është çështje nostalgjie.
Nostalgjia është një lloj reumatizme shpirtërore që ankohet te e shkuara për t’u mbrojtur nga e tashmja.

Piktori Bashkim Ahmeti Izano – Vizatimi nga Ilir Kuke
Te Bashkim Ahmeti Izano, në ekspozitën e tij “Wanderlust”, shfaqet diçka më e ftohtë, më e saktë, shfaqet ajo lloj përkatësie që nuk i duhet pasaporta.
Ai e pikturon Gjirokastrën, jo vetëm, për t’i treguar Amerikës se nga vjen.
Por Amerikën, nuk e pikturon, për t’i treguar Shqipërisë se ku ka mbërritur.
Ai thjesht i përdor të dyja si material.
Krijimtaria lind aty ku këto dy botë, gërryejnë njëra-tjetrën.

Skicat janë gjurmë të një procesi ku piktura është ende duke kërkuar.
Profesori di të ndërtojë gjendjen dhe ç’ka është më e vlefshmja, di kur duhet të ndalojë mendimin, duke e lënë syrin të marrë kontrollin.
Kur shikon malin e tij, shkëmbi nuk është i lëmuar; peneli e ka çarë dhe e ka ngritur në sipërfaqe.
Atje ku majat e shkëmbinjve të presin, ferrat grricin dhe lulet kacavjerrëse lëshojnë aromë, piktura bëhet prekje.

Paleta flet me një gjuhë të prerë, bluja monokrone, të verdhat e tharta të limonit, dhe të kuqet… ah, të kuqet.
Jeshilet e ftohta ngjallin ankth, ndërsa lejlatë dhe rozat ndërtojnë volumin.
Nuk ka rëndësi se ku bien hijet e reve të pambukta mbi telajo.
Hijet ruajnë ngjyrën e dheut.
Ato, sjellin një dinamikë ku linjat mbivendosen, duke krijuar figura në lëvizje me pala fustanelle që mbartin ritmin e shpirtit.
Aty peneli ngjyros mes hapësirave të ngjeshura, ku vendlindja futet si një kujtim kacavjerës që nuk i largohet.


















