
“Mëshira fiorentine” e Mikelanxhelos!

Nga Albert Vataj
“MESHIRA FLORENTINE” E BUONARROTIT
Kur pleqëria u bë dëshmitare e dhimbjes dhe mermeri u kthye në një rrëfim për vdekjen
Edhe kur kishte kapërcyer të 75-at, Mikelanxhelo Buonarroti nuk kishte humbur asgjë nga fuqia krijuese, nga kërkimi i përsosmërisë dhe nga ajo marrëdhënie pothuajse mistike me mermerin, të cilin e shihte si një trup që priste të çlirohej nga materia. Në moshën kur shumica e njerëzve i përkasin kujtesës, ai vazhdonte t’i përkiste krijimit. Dhe pikërisht atëherë, në vitet e fundit të jetës, ai iu rikthye një prej temave që e kishte ndjekur gjatë gjithë ekzistencës artistike, Pietàs, (Mëshirës) dhimbjes së Nënës për Birin e vdekur.
Pietà Florentine, e njohur edhe si Pietà Bandini ose Zbritja nga Kryqi, është një nga veprat më intime, më të errëta dhe më tronditëse të Mikelanxhelos. E punuar në mermer gjatë viteve të fundit të krijimtarisë së tij, ajo ndryshon thellësisht nga Pietà e Vatikanit, kryevepra e rinisë së tij. Nëse Pietàn e Shën Pjetrit është e përshkuar nga një bukuri e qetë, klasike dhe pothuajse qiellore, Pietà Florentine është një vepër e pleqërisë, e mendimit mbi vdekjen, fajin, mëshirën dhe shpëtimin.
Sot ajo ruhet në Museo dell’Opera del Duomo, në Firence, jo larg nga hapësira monumentale e Katedrales së Santa Maria del Fiore.
Skulptura ka një strukturë të fuqishme piramidale. Katër figura lidhen në një përqafim të ngushtë, sikur trupi i Krishtit të ishte bërë qendra e gravitetit të gjithë dhimbjes dhe pranis shprehëse.
Krishti është i shtrirë, i rënduar nga vdekja. Trupi i tij nuk ka më forcën e jetës. Ai rrëshqet drejt tokës, ndërsa gjymtyrët mbahen nga figurat përreth. Anatomia është ende e fuqishme, por tashmë e pushtuar nga pesha e vdekjes.

Virgjëresha Mari qëndron pas tij, duke marrë mbi vete dhimbjen e Nënës që nuk mund ta ndalë fatin. Ajo nuk është thjesht një figurë mbajtëse, është prania e mëshirës, e dashurisë dhe e pikëllimit të pazëshëm që viket potershëm për dy mijëvjeçarë. Në gurin ende të papërfunduar, gjesti i saj duket sikur sapo ka nisur të lindë nga materia.
Maria Magdalena, e vendosur në njërën anë të grupit, i bashkohet këtij akti të fundit të dashurisë. Duart e saj ndihmojnë në mbajtjen e trupit të Krishtit dhe krijojnë një tjetër nyje emocionale në kompozim.
Dhe mbi të gjitha qëndron Nikodemi, figura me kapuç, që duket sikur e mban të gjithë grupin nga lart.
Por pikërisht këtu ndodhet një nga misteret më të bukura të veprës.
Fytyra e Nikodemit besohet se është autoportreti i vetë Mikelanxhelos.
Artisti i moshuar duket se e ka futur veten në skenën e Mundimit. Jo si spektator, por si një njeri që merr pjesë në misterin e vdekjes së Krishtit. Në perëndim të jetës së tij, Buonarroti e vendos fytyrën e vet mbi trupin e atij që po përgatitet për varrim. Është sikur skulptori ta ketë parashikuar vetveten në atë gur: Mikelanxhelo që mban Krishtin, por njëkohësisht Mikelanxhelo që përballet me vdekjen e vet.
Kompozimi ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar edhe nga pikëpamja teknike. Katër trupa të ndërthurur krijonin një nyje të vështirë për skulptorin. Koka, krahë, duar, këmbë dhe pjesë të trupit afrohen aq shumë me njëra-tjetrën, saqë edhe dora e mjeshtrit duhej të gjente rrugën e saj nëpër një labirint mermeri, për t’i dhënë jetë mëshirës, për ta bërë të frymshëm këtë akt dhimbjeje.
Si të arrije te flokët e Krishtit kur koka e tij ndërthurej me figurën e Virgjëreshës?
Si të depërtoje me daltë në hapësirat e ngushta mes trupave pa dëmtuar atë që tashmë ishte krijuar?
Mikelanxhelo e trajtoi bllokun sipas mënyrës së tij të zakonshme, duke u përqendruar fillimisht te figura qendrore, Krishti, rreth së cilës ndërtohet e gjithë skena.
Gjuri i djathtë del përpara dhe bëhet një nga pikat më të fuqishme të kompozimit. Trupi është i modeluar me një njohje të jashtëzakonshme të anatomisë njerëzore. Muskujt nuk paraqiten më si shenjë force, por si një trup që po e humbet forcën. Një krah bie i përdredhur drejt gjurit, ndërsa tjetri mbështetet nga figurat që e rrethojnë.
Dhe pikërisht këtu qëndron një nga paradokset e Mikelanxhelos. Ai e paraqet vdekjen përmes një trupi ende të bukur.
Krishti i tij nuk është një trup i shpërbërë. Është ende i ri, harmonik, pothuajse apolonian. Vdekja nuk e ka shkatërruar bukurinë, vetëm e ka bërë të heshtur atë.
Pietà Florentine është një nga shembujt më të fuqishëm të non finitos, estetikës së së papërfunduarës që në veprat e vonshme të Mikelanxhelos fiton një kuptim të veçantë.
Vetëm figura e Krishtit është punuar deri në një shkallë shumë më të lartë përfundimi. Lëkura e tij është lëmuar me kujdes, duke kapur dhe reflektuar dritën. Koka, flokët dhe mjekra mbeten më pak të përfunduara, ndërsa figurat e tjera duken sikur ende po çlirohen nga blloku i gurit, për të fituar lirinë e shenjtërimit.
Por kjo paplotësi nuk është domosdoshmërisht një mangësi.
Përkundrazi, ajo mund të përjetohet si metaforë e ekzistencës njerëzore.
Figurat janë ende në gur, ashtu si njeriu është gjithmonë një qenie e papërfunduar. Krishti, i përfunduar dhe i lëmuar, është në qendër të dritës, të tjerët mbeten në errësirën e materies, sikur ende të jenë duke kërkuar rrugën drejt shpëtimit.
Në këtë kuptim, Pietà Florentine është shumë më tepër se një skenë biblike. Është një meditim i plakut Mikelanxhelo mbi kohën, trupin, shpirtin dhe vdekjen.
Në trupin e Krishtit ka diçka që të kujton Apolonin e lashtë. Ai është i vdekur, por nuk është i shëmtuar, i dorëzuar, por jo i mundur.
Mikelanxhelo nuk e paraqet vdekjen si shpërbërje të bukurisë. Ai e paraqet si një kalim të saj nga forma materiale drejt një kuptimi tjetër, të etershmes, shpirtërores, gjithëdritjes së kumtuar.
Bukuria e Krishtit bëhet pasqyrë e Bukurisë hyjnore.
Dhe kjo është një nga çelësat për të kuptuar veprat e fundit të Mikelanxhelos. Gjithnjë e më shumë, arti i tij largohet nga triumfi i trupit dhe afrohet te misteri i shpirtit.
Sot grupi skulpturor është i dëmtuar dhe i paplotë. Krahu i majtë i Krishtit është restauruar nga fragmente të bashkuara, ndërsa këmba e majtë mungon. Këto dëmtime e bëjnë veprën edhe më dramatike, sikur vetë historia të kishte ndërhyrë mbi dhimbjen që Mikelanxhelo kishte gdhendur në mermer.
Por një nga episodet më të njohura të historisë së saj lidhet me vetë artistin.
Giorgio Vasari tregon se Mikelanxhelo, i pakënaqur me veprën, e sulmoi atë me çekiç dhe daltë. Sipas rrëfimit, një damar në mermer shkaktonte një defekt që e shqetësonte mjeshtrin. Historia është bërë pjesë e legjendës së artistit të madh që në një shpërthim zemërimi shkatërron veprën e vet.
Por rrëfimi i Vasarit është vënë prej kohësh në pikëpyetje.
Sepse Pietà ishte në një fazë shumë të avancuar pune, sidomos figura e Krishtit, e cila ishte e lëmuar dhe e përpunuar me kujdes. Për më tepër, Mikelanxhelo nuk ishte një skulptor që dorëzohej lehtë përballë papërsosmërive të gurit. Ai kishte përvojë të gjatë me defektet dhe deformimet e blloqeve të mermerit.
Prandaj historia e Vasarit mund të ketë qenë edhe një mënyrë për të ushqyer mitin e gjeniut të pakontrollueshëm, artistit të madh që jetonte në konflikt të vazhdueshëm me materialin, me veten dhe me botën.
Varri i vetes, apo lutja e fundit?
Mikelanxhelo e kishte menduar këtë Pietà për varrin e tij. Kjo e bën veprën edhe më tronditëse.
Në moshën kur njeriu fillon të dëgjojë më qartë hapat e fundit të jetës, ai zgjodhi të gdhendte jo një monument të lavdisë së vet, por një trup të vdekur që mbahet nga duart e mëshirës.
Dhe në atë skenë futi edhe fytyrën e tij.
Është sikur Buonarroti të ketë dashur të thotë se, në fund, ai nuk ishte më vetëm artisti që krijonte figura të pavdekshme; ishte edhe një njeri i plakur që po kërkonte një kuptim për vdekjen e vet.
Pietà e Vatikanit është vepra e një të riu që demonstron madhështinë e artit.
Pietà Florentine është lutja e një plaku që e njeh peshën e vdekjes.
Midis tyre qëndron pothuajse një jetë e tërë.
Në të parën, Mikelanxhelo gdhend bukurinë.
Në të dytën, ai gdhend dhimbjen.
Në të parën, ai dëshiron të tregojë se çfarë mund të bëjë njeriu me mermerin.
Në të dytën, duket sikur pyet se çfarë mund të bëjë mermeri me njeriun.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Pietà Florentine mbetet një nga veprat më të thella të pleqërisë së Mikelanxhelos: sepse këtu mermeri nuk është më vetëm material artistik. Ai bëhet trupi i kohës, ndërsa dora e skulptorit bëhet dëshmitare e një njeriu që po afrohet vetë drejt asaj skene që ka gdhendur.
Mikelanxhelo nuk e përfundoi plotësisht Pietà-n.
Por ndoshta, në një kuptim më të lartë, ishte vetë jeta ajo që nuk mund ta përfundonte dot.
Dhe pikërisht në këtë paplotësi qëndron madhështia e saj.
Një kryevepër e mbetur midis gurit dhe shpirtit, midis jetës dhe vdekjes, midis dorës së njeriut dhe heshtjes së Zotit.
















